Fokus

Ku e ka problemin LDK-ja: Te lidershipi apo te grupet e interesit? Flasin analistët

Autori: Gazeta inFokus 15:14 | 24 June 2026

Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas kërkesave të disa degëve për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, kanë nxitur reagime dhe analiza të shumta në opinionin publik.

Lidhur me këtë situatë, për Gazetën Infokus kanë folur analistët politikë Ardian Bytyqi dhe Arbnor Sadiku, të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre për gjendjen aktuale në LDK.

Ardian Bytyqi vlerëson se kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut janë të pritshme dhe se kryetari i LDK-së do të duhej të merrte përgjegjësi politike menjëherë pas zgjedhjeve.

-Advertisement-

“Lumir Abdixhiku qysh më 8 qershor në mbrëmje do të duhej ta shpallte dorëheqjen e tij. Reagimet kanë qenë të pritshme, prandaj edhe këto pakënaqësi që po ndodhin janë të natyrshme brenda Lidhjes Demokratike”, tha Bytyqi.

Sipas tij, LDK-ja nuk po përballet me mungesë votash, por me mungesë të një lidershipi që arrin të mobilizojë elektoratin tradicional të partisë.

“LDK-ja asnjëherë nuk ka pasur problem me vota, ajo ka problem me lidership sepse nuk po arrin të gjejë një emër i cili i sjell votat që i takojnë LDK-së”, deklaroi ai.

Ndërkohë, analisti Arbnor Sadiku e sheh situatën nga një këndvështrim tjetër, duke vlerësuar se përplasjet e fundit rrezikojnë ta dëmtojnë partinë më shumë sesa kundërshtarët e saj politikë.

Sipas Sadikut, debati aktual nuk duhet të reduktohet vetëm në largimin e kryetarit aktual, pa u ofruar një alternativë bindëse për të ardhmen e partisë.

“LDK-ja nuk rrezikohet nga kundërshtarët e saj, por nga grupet e interesit brenda saj. Edhe Lumir Abdixhiku mund të gjykohet për sukseset dhe dështimet e tij, por nëse synimi është vetëm ndërrimi i kryetarit pa ofruar një alternativë më të fuqishme, atëherë kjo nuk i shërben LDK-së”, tha Sadiku për Infokusin.

Ai shtoi se, pavarësisht kritikave, Abdixhiku vazhdon të mbetet figura më konkurruese që LDK-ja ka aktualisht në skenën politike.

Debati brenda LDK-së u intensifikua pasi degët e Lipjanit, Pejës dhe Dega e Dytë në Prishtinë kërkuan publikisht dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, duke argumentuar se rezultatet zgjedhore kërkojnë reflektim dhe përgjegjësi politike. Nga ana tjetër, një pjesë e strukturave të partisë kanë dalë në mbështetje të kryetarit aktual, duke kundërshtuar kërkesat për largimin e tij.

Përplasjet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah ndarjet brenda LDK-së, ndërsa mbetet të shihet nëse debati do të çojë në ndryshime në lidership apo në një proces tjetër të brendshëm politik./GazetaInfokus

 

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy