Pse shikohet Big Brother? – Paradoksi puro shqiptar: Dënojnë aktin publik të intimitetit por këto përmbajtje i konsumojnë masivisht
Autori: Agnesa Smajli
16:24 | 04 Shkurt 2026
Dimri është një sezonë kur shumica mbyllen në shtëpi, kalojnë më shumë kohë para ekranit dhe kërkojnë forma të lehta argëtimi.
E pikërisht në këtë periudhë, ‘reality shows’ kthehen në një nga përmbajtjet më të ndjekura, duke nxitur njëkohësisht shikueshmëri të lartë dhe debate të shumta në opinionin publik.
Me nisjen e tyre krijohen edhe dy fenomene paralele: shikueshmëri rekord dhe kritika të ashpra publike.
Teksa këto formate ndiqen në mënyrë masive, sidomos ato 24/7, si Big Brother, Ferma Vip, etj, një pjesë e madhe e opinionit i cilëson si degjeneruese dhe të dëmshme për shoqërinë.
Kjo kontradiktë ngre një pyetje thelbësore: pse i kritikojmë kaq shumë, por vazhdojmë t’i shikojmë?
Sipas psikologes, Antigona Qenaj Sejdiu, kjo ndodhë sepse ‘reality shows’ 24/7 prekin nevoja bazike psikologjike: kureshtjen për jetën e tjetrit, identifikimin emocional dhe dëshirën për dramë e stimulim të vazhdueshëm. Ato ofrojnë një narrativë të thjeshtë dhe emocionale që mban trurin të angazhuar.
“Reality shows 24/7 prekin nevoja bazike psikologjike: kureshtjen për jetën e tjetrit, identifikimin emocional dhe dëshirën për dramë e stimulim të vazhdueshëm” tha Qenaj-Sejdiu për Infokus.
Por ndërkohë lind një konflikt i brendshëm. “Shumë shpesh ekziston disonancë kognitive,” shpjegon ajo, duke nënkuptuar përplasjen mes asaj që e konsiderojmë të pranueshme moralisht dhe asaj që realisht na tërheq emocionalisht. Publikisht ruajmë imazhin e distancimit, ndërsa privatisht konsumojmë për kënaqësi apo arratisje nga realiteti.
Ajo ka theksuar se elementi i gjykimit luan një rol kyç. Gjykimi i pjesëmarrësve u jep shikuesve ndjenjën e superioritetit moral dhe kontrollit, duke i bëre pjesë aktive të spektaklit.
“Elementi i gjykimit u jep shikuesve ndjenjën e superioritetit moral, kontrollit dhe përfshirjes aktive,” thotë ajo për Gazetën Infokus.
Sipas psikologes në këtë mënyrë, përballja me veten dhe problemet personale zëvendësohet me analizën e jetës së tjetrit.
Reality shows, “pasqyrë e shoqërisë sonë”
Nga ana tjetër, sociologu Rejhan Fejza e sheh fenomenin shumë më thellë se thjesht argëtim televiziv.
Sipas tij, shikimi masiv i reality shows është “produkt i një tranzicioni të pafund dhe i etjes për mobilitet social dhe emocion të menjëhershëm”.
Ai thekson se shoqëria shqiptare prej dekadash jeton në një tranzicion të zgjatur, ku mobiliteti social real është i kufizuar dhe meritokracia perceptohet si e dobët.
“Suksesi shpesh shihet si i lidhur me fatin, lidhjet farefisnore apo ekspozimin publik,” thotë ai për Infokus.
Në këtë realitet, reality shows ofrojnë një rrugë simbolike drejt suksesit nga anonimiteti në famë, pa kapital ekonomik apo arsimor fillestar. Dhe kjo, sipas tij, i bën jashtëzakonisht tërheqëse, sidomos për të rinjtë.
Fejza ndalet edhe te ajo që ai e quan “kultura e syrit të tjetrit”. Në shoqërinë tonë, opinioni publik ka qenë gjithmonë mekanizëm turpi dhe kontrolli social.
“’Reality show-s’ ndërlidhin fshatin me studio televizive, thashethemin me rrjetet sociale, gjykimin lokal me gjykim kombëtar,” shpjegon ai.
Pra, sipas tij ne nuk kemi ndaluar kurrë së gjykuari, vetëm se tani e bëjmë në ekran dhe online.
Sociologu thekson se intimiteti publik dhe thyerja e tabuve në një shoqëri tradicionalisht konservatore marrin formën e rebelimit.
Ai e lidh këtë me konceptin e kapitalit simbolik: kush e përkufizon se çfarë është e pranueshme?
“Paradoksi puro shqiptar është që aktin e puthjes dhe të seksit e dënon publikisht, por e konsumon masivisht.” Ky bashkëdyzim, sipas tij, prodhon hipokrizi sociale, por njëkohësisht edhe ndryshim gradual të normave.
Një tjetër pikë e fortë që ai thekson lidhet me të rinjtë dhe famën e shpejtë.
“Situata ku ne jemi është zhvendosje e suksesit nga arsimi dhe puna tek ekspozimi,” thotë Fejza.
Sipas tij, sot shpesh vëmendja dhe dukja vlejnë më shumë se përgatitja apo procesi. Në këtë kuptim, ai e përshkruan realitetin tonë si “shoqëri e spektaklit që e përjeton realitetin përmes imazhit”, duke iu referuar Guy Debord-it.
Në fund të ditës, ‘reality shows’ mbesin argëtim. Secili zgjedh çfarë të shikojë dhe sa kohë t’i kushtojë.
Por fakti që i kritikojmë me zë të lartë dhe njëkohësisht i ndjekim me interes, tregon se fenomeni është më i thellë se sa duket në sipërfaqe.
Ndoshta nuk është vetëm çështje televizive, por pasqyrë e asaj se çfarë na tërheq, çfarë na mungon dhe se si me kohën po ndryshon edhe mënyra si e përjetojmë realitetin./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Le’tra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni ...
-
Kurti uron “Koalicionin Shqiptar” për rezultatin në zgjedhjet në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar “Koalicionin Shqiptar” për rez...
-
Ky është i dyshuari për vrḁsjen me sëpatë të kunatës në Pejë – viktimḁ ishte kthyer nga Policia në shtëpi vetëm pak minuta para krimit
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për vrasjen brut...
-
Tragjedia në Vitomericë/ Avokatja zbulon fjalët e fundit të Arlindës, që u vra nga kunati me sopatë: “Nuk më duhet jeta pa djalin”
Avokatja Adelina Hoxha ka reaguar pas vrasjes së Arlindës, e cila dyshohet se...
-
CRTA: Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave
Lista Studentore kryeson në zgjedhjet parlamentare në Serbi me 51,47 për qind...
-
Burri nga Deçani e vret në Vitomericë kunatën e tij
Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Vitomericë të Pejës, ku një bur...
-
CeSID: Koalicioni Shqiptar, dy mandate në Serbi
“Koalicioni Shqiptar” pritet të përfaqësohet nga dy deputetë në parlamentin s...
-
CeSiD i publikon rezultatet preliminare, Lista e Studentëve e mund Vuçiqin 52 me 39, Daçiq merr veç 2.3% të votave
Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSiD), në bashkëpunim me Ipsos, k...
-
Shqiptarët mund t’i fitojnë tre mandate në Parlamentin e Serbisë?
Me përjashtim të listës së studentëve dhe SNS-it, të gjitha listat tjera zgje...
-
Vuçiq humbi, nisin festimet në shtabin e Listës së Studentëve dhe në qendër të Beogradit
Festimet kanë nisur në shtabin e listës së studentëve “Studentët Fitojnë”, pa...
-
Vuçiç pranon humbjen pas 14 vitesh në pushtet: Ka fituar Lista Studentore
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Lista Studentore pritet të...
-
Rrahja e të miturës në Gjilan nga bashkëmoshataret, familja largohet nga Kosova
Pas dhunës fizike ndaj një vajze të mitur në Gjilan në vitin 2025, e cila iu ...































