Fokus

Avokati Rrecaj i reagon ashpër Presidentes për deklaratën “gjyqtarët e Kushtetueses s’janë të shenjtë”: Ky është sulmi më brutal ndaj Gjykatës

Autori: Gazeta inFokus 15:12 | 09 Shtator 2025

Avokati Visar Rrecaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për sulmet e vazhdueshme të zyrtarëve të shtetit ndaj Gjykatës Kushtetuese, tha se gjyqtarët e këtij institucioni “nuk janë të shenjtë”.

Rrecaj, në një deklaratë për Gazetën Infokus, theksoi se një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe e konsideroi si goditjen më të rëndë që i është bërë drejtësisë dhe besimit të qytetarëve në institucione.

“Gjuha e një Presidenteje në drejtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur thotë se nuk janë të shenjtë, është sulmi më brutal ndaj drejtësisë dhe tendencë për minimin e besimit ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka ruajtur Republikën nga radikalistët politikë të 10-vjeçarit të fundit”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Sipas tij, fjalët e Osmanit janë të papranueshme jo vetëm për peshën e postit të saj, por edhe për shkak të profesionit të saj si juriste.

“Fjalët e Presidentes janë tejet të rënda, sidomos kur dalin nga një ‘juriste’ si ajo, e cila fatkeqësisht ka ndodhur që edhe të japë mësim në Fakultetin e Drejtësisë. Pra, kjo është vazhda e shkatërrimit të shtetit dhe institucioneve të tij, sepse institucionet më së lehti shkatërrohen nga pozicionet e larta shtetërore”, ka shtuar Rrecaj.

Në një konferencë për media, presidentja Vjosa Osmani tha se kritika ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e lejueshme dhe pjesë e demokracisë.

“Ta themi qartë, Kushtetuta nuk e ndalon që ne të komentojmë vendimet e gjykatave. As nuk ndalohet kritika, po flas për kritikën profesionale. Janë në suaza të normales, të demokracisë. S’po flasim për shenjtëri,” ka deklaruar Osmani.

Deklaratat e zyrtarëve të VV-së dhe të presidentes kanë ngjallur reagime edhe nga ambasadat e huaja në Prishtinë.

Ato kanë dënuar sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe kanë theksuar se pavarësia e këtij institucioni është shtyllë themelore e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Sot përmes një reagimi ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kritikuar zyrtarët e shtetit për sulmet “personale” ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, u tha në reagimin e ambasadës.

Ndërsa të hënën pas sulmeve e deklaratave të shumta ka reaguar edhe Gjykata Kushtetuese.

Kushtuesja reagoi pas akuzave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ish-kryeparlamentarit Glauk Konjufca, që i bënë të dielën në drejtim të këtij institucioni.

Kjo Gjykatë bëri thirrje që të ndalen siç ka thënë ajo “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”.

“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.

Të gjithë këto reagime erdhën pas deklaratave që u bënë të dielën në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Gazeta Infokus.

Kryetari i kësaj partie dhe njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kushtetuesja po “vonon, zvarrit, pengon dhe qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët”.

“Ne si qeveri kemi marrë më shumë se një vendim në ditë, e ata më shumë se 11 muaj për një vendim. E kur e marrin atë vendim, është vendim zakonisht i mbrapshtë e ne i kemi të gjitha këto vendime të mira”, tha ai.

Ndërsa një deklaratë edhe më të rëndë e pati, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i cili e propozoi formalisht Albin Kurtin si emrin e partisë për kryeministër dhe paralajmëroi se Kushtetuesja mund ta bëjë një “tradhti shtetërore” ndërsa foli për aktgjykimin që deri në fund të muajit pritet ta marrë kjo gjykatë.

Ai tha se gjykata “nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës”, ndërsa përmendi fillimisht dy opsione.

“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.

“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm”, tha Konjufca. “Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”./Gazeta Infokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy