Çfarë po ndodh me aktakuzën e dytë ndaj Thaçit?
Autori: Gazeta inFokus 07:51 | 20 December 2024
Teksa rasti i parë gjyqësor kundër ish-udhëheqësit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, po shkon drejt përfundimit në Hagë, Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzën e dytë kundër tij – këtë herë për pengim të drejtësisë, duke kthyer gjithë vëmendjen mbi të dhe mbi deklarimet e tij.
Thaçi, ish-president i Kosovës, ka përsëritur, të paktën dy herë në javët e fundit, domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës nga Specialja, teksa ka përmendur se dy aktakuzat kundër tij janë ngritur vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.
“Unë nuk jam pjesë e garës politike dhe as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike. E theksoj që nuk jam pengesë dhe as nuk paraqes rrezik për askënd, në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”, ka thënë Thaçi në gjyq.
Për përmendjen e Kushtetutës nga Thaçi, njohës të drejtësisë kanë pak për të komentuar. Duke mos pasur qasje në aktakuzën e plotë ndaj tij, dhe duke mos dashur të futen në spekulime, ata presin që vetë Thaçi, ose avokati i tij mbrojtës, të japin më shumë hollësi kur të deklarohen rreth fajësisë për aktakuzën e dytë.
Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të sqaruar deklaratat e klientit të tij.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në bazë të Kushtetutës, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, janë disa të drejta të të pandehurit në procedurë, për të cilat ai po mendon që nuk po i respektohen”.
“Nëse aktakuza nuk është e bazuar në ligj, atëherë pa dyshim që është shkelje e Kushtetutës, sepse Kushtetuta e mbron barazinë e palëve në procedurë, i ka disa garanci për të pandehurit, që aktakuzë mund të ngrihet vetëm kur ka bazë ligjore, kur ka dëshmi, kur ka argumente”.
Thaçi duhet të deklarohet rreth fajësisë në afat prej 30 ditësh. Aktakuza e dytë kundër tij u miratua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.
Miftaraj ka përsëritur thirrjet e vazhdueshme të IKD-së që gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale të ruajnë integritetin e procesit gjyqësor – të sigurojnë që dëshmitarët të mos kërcënohen, si dhe të ketë pasoja për ata që e bëjnë kërcënimin.
“Thuhet se që prej vitit 2023-2024, këta persona [Thaçi dhe të tjerë] kanë marrë pjesë në frikësim të dëshmitarëve, dhe arrestimet ndodhin në fund të vitit 2024. Në aspektin penal, është e pakuptueshme se si, pavarësisht që kanë pasur informata që një vit, nuk kanë marrë veprime, por po marrin në fund”.
Miftaraj e ka konsideruar shumë të rëndësishme që të ketë epilog procesi gjyqësor kryesor, dhe që të mos marrë vëmendje procedura e dytë.
“Pothuajse në fund të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, kur kanë mbetur edhe dy-tre muaj, të nisësh aktakuzë të re, në aspektin juridik, në aspektin logjik, nuk ka shumë kuptim”.
Lidhja e aktakuzave me zgjedhjet
Deklaratën e Thaçit, ku ai bën një lidhje mes aktakuzave dhe zgjedhjeve në Kosovë, Miftaraj e sheh si politike dhe shumë të përgjithshme.
Ndërkaq, hulumtuesi ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija, beson se ato as që do të merren parasysh nga trupi gjykues.
“Këto deklarata fare nuk kanë rëndësi për procedurat ligjore, pasi që zgjedhjet në Kosovë nuk i hyjnë në punë as mbrojtjes, dhe as Gjykatës, apo trupit gjykues në procedurat në të cilat ai ngarkohet”.
Thaçi, ish-drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, është në paraburgim në Holandë prej nëntorit të vitit 2020.
Puna e Gjykatës Speciale
Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Hagë.
Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Puna e Gjykatës financohet nga Bashkimi Evropian dhe nga disa vende tjera perëndimore.
Nga buxheti i Kosovës paguhen avokatët, si dhe udhëtimet e dëshmitarëve dhe vizitat e familjarëve të të akuzuarve. Çështja e dëmshpërblimit të viktimave nuk është e rregulluar mirë me ligjet, mbi të cilat është formuar Gjykata.
Si Miftaraj, ashtu edhe Alija, kanë vlerësuar se në bazë të asaj që ka qenë e qasshme për publikun, Gjykata po bën punë të mirë dhe është e paanshme.
Megjithatë, Miftaraj ka thënë se “së paku njëri prej gjyqtarëve shihet që po del prej rolit të tij si gjyqtar. Kemi parë shumë herë pyetje orientuese, pyetje sugjestive, ose në njëfarë mënyre duke bërë përpjekje që të marrë një përgjigje që atij i pëlqen ndaj dëshmitarëve”, teksa nuk ka pranuar ta identifikojë atë.
Njohësit e drejtësisë nuk shohin asnjë problem as rreth takimeve që është raportuar të jenë zhvilluar mes zyrtarëve të Gjykatës me disa përfaqësues të vendeve sponsorizuese, duke thënë se ato janë vende mike të Kosovës, dhe se nuk besojnë që në ato takime të jetë diskutuar për ndonjë rast apo provë, por për mbarëvajtjen e përgjithshme të punës së këtij institucioni.
Gjykata Speciale, deri më tani, ka shpallur dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
Të tjera
-
Testi i mbijetesës, “Simboli i Ujkut” përzgjedh më të mirët e FSK-së
Pjesëtarët e FSK-së u përballen me trajnimin më të vështirë, “Simboli i Ujkut...
-
Gërvalla: Rama e keqpërdori fort mikpritjen e Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka kritikuar kryeministr...
-
Mbi dy orë pritjet për të hyrë në Kosovë te Dheu i Bardhë e në Merdarë
Në disa prej pikave kufitare në hyrje të Kosovës kanë nisur pritjet e gjata t...
-
Kasanof: Po e ndihmojmë Kosovën për hetimin e sụlmit në Ibër-Lepenc, ishte një sulm i tmerrshëm
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, A...
-
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument sa vjen e bëhet më i fuqishëm
Armenia ka njohur sot pasaportën e Kosovës. Për këtë ka reaguar kryeminist...
-
Rafuna-Hasani: Të jesh grua në politikë nuk është e lehtë, prandaj angazhohem çdo ditë që secila grua të jetë e fuqizuar
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jeta Raf...
-
“Kurrë mos u dorëzo!”, Gani Geci e takon Sali Berishën
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë sot kanë mbajtur seancën e dytë të përb...
-
Refuzimi i ftesës së Prokurorisë nga kryeministri, Miftaraj: Kurti po sillet si prokuror
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pasi...
-
Tentim vrạsje në një fshat të Gjakovës dhe sụlm ndaj një polici të Kosovës, arrestohen dy persona
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda ka njoft...
-
Aksidentohen dy vetura në Sllatinë, s’ka të lënduar
Ditën e premte në Sllatinë është raportuar për një aksident. Zëdhënësi i p...
-
Lumir Abdixhiku përdor strategjinë e vjetër të VV-së, mashtrime në rrjetet sociale, klikime kineze e profile të rrejshme
Doni Preniqi, Enver Smakiqi, Ari Kusari, Smail Sopjani, Viktor Shala, Tahir H...
-
Krejt çfarë u tha në seancën e përbashkët mes kuvendit të Kosovës dhe të Shqipërisë
Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë e mbajtën të premten një seancë të përb...