“Kur vajza kthehet vonë, dal e pres në rrugë”: Pasiguria brengos prindërit
Autori: Gazeta inFokus 11:33 | 16 March 2024
“I kam thënë të mos hyjë në ashensor në ndërtesa të panjohura”, thotë Lumnije Salihu nga Prishtina, e shqetësuar se dikush mund ta sulmojë seksualisht vajzën e saj 15-vjeçare.
Sa herë që ajo kthehet më vonë në shtëpi, Lumnija del në rrugë për ta pritur.
“E pres në rrugë, sepse frikësohem, dëgjoj shpesh për raste të sulmeve ndaj vajzave”, thotë ajo për Radio Evropa e Lirë.
Lumnija tregon se vajza e saj ndjek shkollë dhe kurse, andaj jo rrallëherë kthehet në shtëpi në orët e territ.
Ajo kujton edhe një rast kur kishte dalë për ta pritur në lagje dhe një veturë ishte ndalur para së bijës.
“Kur iu afrova, i thashë ‘a u ndal kjo veturë tani’, vajza më tha ‘po, pasi më pa mua’”.
Lumnija mundohet që me shqetësimet e saj të mos e frikësojë vajzën, por thotë se nganjëherë i flet edhe për rastet me të cilat mund të përballet.
“Mos hyr në lift kur shkon diku, i kam thënë, sepse mund të përballesh me çdo gjë”, thotë Lumnija.
“I kam thënë ‘kërko ndihmë nëse përballesh me ndonjë rast, kërko ndihmë nga qytetarët përreth’”, tregon ajo.
Dhjetëra raste të dhunës të raportuara në polici
Të dhënat nga Policia e Kosovës, tregojnë se në këtë institucion, gjatë vitit 2023, janë raportuar 79 raste të dhunimit apo sulmit seksual.
Ato përfshijnë viktima të moshave 14-18 vjeçare.
Një vit më herët, më 2022, janë raportuar 74 raste të tilla, ndërsa deri më tash këtë vit 4 raste.
Rasti i fundit në Kosovë u bë i ditur më 11 mars të këtij viti.
Një vajzë e mitur dyshohet se u dhunua në një fshat të Drenasit nga dy persona të moshës madhore.
Çka dihet deri tani për këtë rast?
Më 11 mars, në raportin e rregullt 24-orësh, Policia e Kosovës e raportoi këtë rast si “person i zhdukur”.
Mesditën e 10 marsit, viktima ishte larguar nga një shtëpi në Malishevë dhe ishte raportuar si e zhdukur.
Në raportin e policisë thuhet se të nesërmen, në orët e para të datës 11 mars, hetuesit e kishin lokalizuar viktimën, e cila shoqërohej nga “dy të dyshuar meshkuj kosovarë”.
“Rasti është duke u hetuar”, tha policia.
Për shkak se viktima vinte nga rajoni i Pejës, rasti kaloi te hetuesit e Drejtorisë Rajonale në Pejë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi Fadil Gashi.
“Viktima ka qenë te një i afërm i saj në Malishevë, me datën 9 mars. Më 10 mars ka dalë nga aty dhe e kanë raportuar të zhdukur”, tha ai.
Ai shtoi se pas identifikimit të lokacionit në një fshat të Drenasit, policia ka arrestuar dhe intervistuar dy persona të moshës madhore, të cilët, siç tha, dyshohet se e kanë dhunuar të miturën.
Gashi tha se viktima, më pas, është marrë në trajtim nga qendrat për punë sociale, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, konfirmoi se ndaj dy të dyshuarve është caktuar tashmë masa e paraburgimit prej një muaji.
Institucionet kritikohen për dështim në mbrojtjen fëmijëve
Numri i lartë i raportimeve të rasteve të dhunimit, ngacmimit dhe veprave të tjera që lidhen me integritetin seksual të fëmijëve, tregon për performancë të ulët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, thotë Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).
KOMF përmend mungesën e programeve të parandalimit të situatave të sulmeve, abuzimeve seksuale, dhunimeve dhe veprave tjera kundër integritetit seksual të fëmijëve.
“Kjo tregon për një neglizhencë të institucioneve lidhur me këto raste”, thotë KOMF, duke shtuar se dënimet që shqiptohen ndaj kryesve të veprave penale kundër integritetit seksual, duhet të ashpërsohen.
Çka thotë Kodi Penal i Kosovës?
Neni 227 përcakton dënim me burgim nga 5 deri në 15 vjet për rastet e dhunimit seksual të viktimave të moshës 16 deri në 18 vjeçe.
Burgim deri në 20 vjet parashihet për kryesit e veprave ndaj viktimave nën moshën 16 vjeçe.
Neni 229 parasheh 5 deri në 10 vjet burgim për rastet kur sulmi seksual kryhet ndaj personave nën moshën 16 vjeçe.
Nëse sulmi seksual kryhet ndaj personave nën moshën 14 vjeçe, kryesi dënohet me burgim prej 10 deri në 20 vjet.
Sociologia Linda Gusia vlerëson se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë përparim në krijimin e mekanizmave për sigurinë e të miturve.
“Rastet tregojnë për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve. Nuk e di me numër, por në 4-5 vjetët e fundit, vazhdimisht, dalim në protesta për raste të ngjashme dhe, deri sot, nuk shohim mekanizma që janë ndërtuar për të krijuar njëfarë sigurie”, thotë Gusia për Radion Evropa e Lirë.
Fakti që dy burrave “iu merr mendja të sulmojnë një grua”, tregon, sipas saj, se njerëzit “nuk dënohen për krime të tilla”.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çka janë duke ndërmarrë institucionet për parandalimin e rasteve të tilla.
Çka duhet të bëhet?
KOMF-i rekomandon “investimin e menjëhershëm në themelimin dhe fuqizimin e programeve parandaluese, edukative dhe sociale”.
Sipas këtij koalicioni, duhet të ofrohet trajtim dhe mbrojtje adekuate për të gjithë fëmijët që janë viktima të ngacmimit apo abuzimit seksual.
“Duhet të krijohet databaza e personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe, rrjedhimisht, ndalimi i qasjes së tyre te fëmijët”, thotë KOMF.
Krijimin e një regjistri të tillë e mbështet edhe Gusia, sipas së cilës, duhet të krijohet, po ashtu, edhe një rrjet i punëtorëve socialë.
“Duhet të punohet më shumë në ndërtimin e mekanizmave të tjerë, të ketë më shumë punëtorë socialë në institucione arsimore, psikologë, sociologë, njerëz që dinë të lexojnë nëse një fëmijë është në stres apo nëse një fëmijë po ballafaqohet me probleme të ndryshme”, thotë Gusia.
Thirrje për krijimin e një regjistri të tillë publik ka pasur edhe më herët, si për shembull pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, dy vjet më parë.
Në shumë vende të Evropës ka regjistra të personave të dënuar për krime seksuale, por janë të hapur vetëm për organet e rendit.
Në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni të Veriut ekzistojnë regjistra publikë të personave të dënuar për krime seksuale.
Në vitin 2010, Këshilli i Evropës – organizatë në të cilën Kosova ka aplikuar për anëtarësim – ka miratuar një rezolutë përmes së cilës i ka inkurajuar shtetet anëtare të mos krijojnë regjistra të tillë për publikun, por vetëm për organet e rendit.
Të enjten në Prishtinë u protestua me kërkesën për siguri për gratë dhe vajzat.
Organizata Kolektivi për Veprim dhe Mendim Feminist organizoi protestë dhe marshoi nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Protestuesit kërkuan që siguria e vajzave dhe grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Protestës iu bashkua edhe Lumnije Salihu, e cila tha se duhet të ketë dënime më të larta për kryesit e sulmeve dhe dhunimeve seksuale të të miturve.
“Duhet të dënohen më shumë, të ketë siguri më shumë, të ketë policë nëpër lagje, që nëse rrezikohet një person, ta ketë ndihmën e tyre. Unë, si nënë, jam shumë e shqetësuar”, thotë Lumnija./REL
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...