Lajme

Bashkëshortja e Agonis Tetajt heq dorë nga kërkesa pasurore-juridike: Të vendoset drejtësia e të mbyllet çështja penale

Autori: Gazeta inFokus 15:42 | 12 March 2024

Në seancën e rigjykmit për vrasjen Agonis Tetajt, bashkëshortja e tij, e dëmtuara Albesa Cacaj, të martën hoqi dorë nga kërkesa pasurore-juridike në shumën 628 mijë euro, kërkesë kjo e specifikuar në seancën e kaluar nga mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj.

E dëmtuara Cacaj deklaroi se sa i përket çështjes së kompensimit, mendon se ka ndodhur një gabim i madh, duke shtuar se për të është e rëndësishme të vendoset drejtësia e të mbyllet çështja penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë së bashku me familjen time dhe njerëzit që më kanë qëndruar pranë gjatë këtyre pesë viteve, do t’i drejtohem gjykatës në çështje civile. Gjithmonë zotin Luan, e kam autorizuar që të bëjë kërkesën dhe të mos heq dorë nga e drejta legjitime që më takon si e dëmtuar, por jo të bëjë specifikime ose përllogaritje siç ka bërë në seancën e kaluar, e që tek unë dhe familja ime dhe njerëzit që më njohin ka ndikuar keq”, tha e dëmtuara Cacaj.

-Advertisement-

Ajo tha se nëse pikësynim të saj do ta kishte dobinë pasurore, nuk do të kishte ardhur për t’u zvarritur nëpër salla të gjykimeve për të pritur drejtësinë.

E dëmtuara kërkoi se kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i viktimave Luan Mehmetaj, në seancën e kaluar të mos merret si kërkesë e familjes së ngushtë, pra të dëmtuarës së bashku me fëmijët e saj.

Ndërkaq, avokati Mehmetaj tha se nuk ka asnjë mundësi ligjore që të parashtrojnë kërkesa pasurore- juridike pa pëlqimin e palës së dëmtuar.

“Unë jam mbrojtës i viktimave dhe vij nga zyra për mbrojtje të viktimave, nuk jam përfaqësues i autorizuar i të dëmtuarës Albesa, nuk marr autorizime nëpërmes SMS-ve, nuk ka asnjë mundësi ligjore, profesionale, etike, mbikëqyrëse, të zyrës sonë që ne të parashtrojmë kërkesa pasurore-juridike pa pëlqimin e palës së dëmtuar”, tha mbrojtësi i viktimave.

Ai tutje sqaroi se e dëmtuara kishte qenë në njohuri lidhur me kërkesën pasurore-juridike, e që të njëjtës tha se iu kishte sqaruar në tërësi.

Sipas tij, deklarata e mbrojtësit të të akuzuarit Gogaj, avokatit Besnik Berisha, ‘se kjo çështje penale ishte shitur’, ka ndikuar tek e dëmtuara dhe rrethi i saj familjar.

Lidhur me këtë, avokati Berisha, deklaroi se të pavërtetat dolën në shesh dhe se sipas tij autori i tyre u demaskua keq bashkë me dëshirën e tij.

“Zyra për mbrojtjen e viktimave nuk është përmbarues i vendimeve dhe kërkesave, por mbron interesant e viktimave dhe nuk mund të parashtrojë kërkesë në shumë astronomike sepse ato mjete nuk mund të inkasohen eventualisht në llogarinë e tyre, por janë shumë që i atribuon gjykata të dëmtuarve. Siç duket përulja dhe njollosja e imazhit të familjes Tetaj dhe Cacaj dhe tani të ndjerit paska qenë e orkestruar nga ‘mbrojtësi’, i interesave të tyre”, tha avokati Berisha.

Fillimisht, në këtë seancë është bërë administrimi i provave ndaj të akuzuarit Isuf Cacaj dhe dhënia e mbrojtjes së tij.

Cacaj, mbeti pranë deklarimeve të dhëna në Polici dhe Prokurori, si dhe se shtoi që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk e ka ditur që arma me gas përbën vepër penale, dhe se në deklaratën e dhënë në Polici e kishte kuptuar këtë.

Ai gjithashtu tha se e ndien vetën fajtor për këtë, duke shtuar se sikur ta kishte ditur se mbajtja armës me gas është vepër penale do të aplikonte për leje dhe nuk kishte rënë në kundërshtim me ligjin.

Tutje, prokurori Isuf Sadiku, tha se e revokon fjalën përfundimtare të 7 marsit 2024, sa i përket Isuf Cacaj, ndërsa pjesa e fjalës përfundimtare për Shaban Gogajn mbetet në tërësi ashtu siç e ka deklaruar në seancën e kaluar.

Sadiku tha se mbetet pranë aktakuzës së ngritur më 12 qershor 2019, duke shtuar se nga provat e administruara përgjatë procesit gjyqësor si ato materiale dhe ato personale ishte vërtetuar pa mëdyshje se i akuzuari Isuf Cacaj e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet sipas aktakuzës.

Andaj, prokurori Sadiku kërkoi nga gjykata që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit konform dispozitave të KPRK-së, ku si rrethanë rënduese të ketë parasysh rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre penale, ndërsa rrethana lehtësuese tha se nuk ka gjetur.

Kurse, mbrojtësi i viktimave, e përkrahu fjalën përfundimtare të prokurorit Sadiku.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Cacaj, avokati Veton Berisha, tha se mbetet në tërësi me fjalën përfundimtare të dhënë me datën 7 mars 2024.

Ndryshe, më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar  me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.

Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera