Serbia u drejtohet ndërkombëtarëve pasi një parcelë në veri iu dha Policisë së Kosovës
Autori: Gazeta inFokus
16:32 | 29 Dhjetor 2023
Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë, në atë hapësirë janë të vendosura Ndërmarrja Publike “Standard”, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit dhe Autoriteti i Përkohshëm Komunal.
Të gjitha këto institucione punojnë sipas sistemit serb.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vlerësuar se Prishtina ka “vazhduar rrëmbimin e tokës” në komunën e Mitrovicës së Veriut.
Ai përmes një komunikate ka thënë se autoritetet e Kosovës, pa njoftim, diskutim publik apo konsultim me qytetarët, kanë ndarë një parcelë të madhe të tokës komunale ku janë vendosur institucionet e Serbisë, për të krijuar një “fortifikim të ri policor” në zonat serbe.
Ai ka bërë të ditur se i ka njoftuar zyrtarët ndërkombëtarë dhe se pret reagimin e tyre.
Petkoviq ka shtuar se në ndërmarrjet komunale “Standard” dhe “Ujësjellësi”, të vendosura në atë parcelë, janë të punësuar më shumë se 300 persona, ndërsa numri i të punësuarve në komunën paralele është dukshëm më i lartë.
Petkoviq ka thënë se kjo është edhe një tentativë për të shkaktuar një krizë të re në veri të Kosovës dhe për të shmangur kështu obligimet e Prishtinës në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe për të penguar procesin e shkarkimit të kryetarit, të iniciuar nga serbët lokalë.
Uglanin: Nuk është shkelur ligji
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se parcela që i është dhënë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka disa objekte ku janë të vendosura institucionet serbe si dhe një sallë sportive, e cila është ndërtuar me fondet e BE-së.
Ai tha se MPB-së i është dhënë “vetëm një parcelë”, por konkretisht nuk ka mundur të përgjigjet se çfarë do të ndodhë me objektet ekzistuese.
Uglanin tha se sipas njohurive të tij, në parcelën e lartpërmendur është planifikuar të ndërtohet një stacion policor, sepse ky i tanishëm ndodhet në një objekt që i përket minierës së Trepçës.
“Në bazë të ligjit kemi votuar për shfrytëzimin e tokës, objektet nuk përmenden fare. Kjo o keqpërdoret gjoja se kemi votuar për shembjen e objekteve”, tha ai.
Sipas tij, nuk është shkelur ligji me faktin se parcela i është dhënë MPB-së pa dëgjim publik dhe shtoi se as ish-Kuvendi Komunal nga radhët e Listës Serbe nuk ka mbajtur seanca publike gjatë marrjes së vendimeve.
“Nuk ka pasur asnjë debat apo diskutim publik për ndërtimin e financuar nga Serbia, veçanërisht për objektin e banimit në Mëhallën e Boshnjakëve, por ishte një zgjidhje e imponuar”, tha ai.
Reagimi i Listës Serbe
Kundër vendimit të autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut ka reaguar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tha se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut është “i paligjshëm”.
Përmes një njoftimi, nga kjo parti thanë se vendimi u mor pa asnjë konsultim apo diskutim publik në të cilin do të duhej të merrnin pjesë qytetarët, duke shtuar se qëllimi i këtij vendimi është “përkeqësimi i situatës në terren dhe presioni ndaj popullatës serbe”.
“Për shkak të këtij vendimi, Lista Serbe do të kërkojë një takim urgjent me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha ambasadorët QUINT-t dhe Bashkimit Evropian dhe do të kërkojë prej tyre reagimin urgjent ndaj synimit të regjimit në Prishtinë për të shkaktuar tensione të reja dhe kërcënimit të paqes dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, tha Lista Serbe.
Ndërkaq, udhëheqësi i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, shkroi në Facebook se në këtë parcelë ka edhe një sallë sportive.
Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut aktualisht përbëhet kryesisht nga këshilltarë nga komuniteti shqiptar, për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në veri që u mbajtën në prill. Po ashtu, kjo komunë me shumicë serbe udhëhiqet nga kryetari Erden Atiq, i cili vjen nga partia, Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.
Arsenijeviq e ka krahasuar këtë vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut me “okupim” dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë “të gjitha procedurat demokratike dhe ligjore për ta zhbërë këtë vendim të paligjshëm”.
Në fund të majit, në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – u rritën tensionet pasi kryetarët e rinj shqiptarë nisën punën. Një përshkallëzim i dhunës ndodhi në Zveçan, ku protestuesit u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në protestën e 29 majit u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it.
Tensionet kulmuan më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova për sulmin e fajëson shtetin e Serbisë, por Beogradi mohon përfshirjen./REL/

T� tjera
-
Grupi i Grave Deputete reagon për vrasjen e Arlinda Zekajt: Të hetohet çdo përgjegjësi institucionale për neglizhencë apo mosveprim
Grupi i Grave Deputete ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke...
-
SKANDAL: Kadetët njoftohen se mund t’u dështojë ceremonia e diplomimit sepse shteti nuk ka uniforma për ta
Mungesa e uniformave vazhdon të jetë problem për institucionet e sigurisë në ...
-
Shpallet në kërkim i dyshuari për vras*jen e kunatës në Pejë
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Albert Sylajn, i dyshuar për vrasjen ...
-
Ministria e Drejtësisë e kishte caktuar në pozitë të rëndësishme prokuroren – ndaj së cilës gruaja që u vra në Pejë kërkoi të mirren masa
Më 20 prill 2026, Qeveria Kurti kishte miratuar propozim-vendimin e Ministris...
-
Kushërira e Arlinda Zekajt: Ajo e kishte lajmëruar rastin, por nuk pati përkrahje nga institucionet
Vajza e axhës së Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës, ka dekl...
-
Ligji për Specialen kthehet në Kuvend, Nagavci tregon nëse VV-ja do ta mbështesë PDK-në
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbërie Nagavci, k...
-
“Do të mbetesh gjithmonë në kujtimet tona”, kompania ku punonte Arlinda Zekaj me mesazh prekës pas vrasjes së saj
Kompania Zekaj Tours ka shprehur dhimbjen e thellë për vrasjen e Arlinda Zeka...
-
Thirret në raportim Kryeprokurorja e Pejës – së cilës viktima i shkroi letër tri ditë para vrasjes
Kryeprokuroria në Kosovë është vënë në lëvizje tek pas vrasjes së Arlinda Zek...
-
Musliu kërkon përgjegjësi për rastin në Pejë: Fjalët pa veprime konkrete nuk e shpëtojnë askënd
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas rastit tragjik në Vitomir...
-
Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e gruas nga Peja
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, në orën 15:00, një seancë të jashtëzakonsh...
-
Kronologjia e rastit të Arlinda Zekajt sipas Prokurorisë – Çfarë kishte ndodhur?
Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një njoftim të detajuar lidhur me vep...
-
OJQ `QIKA` paralajmëron aksion simbolik para qeverisë
Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka njoftuar se sot në orën 13:...
































