Lajme

KQZ të hënën u kthen përgjigje kryesuesve të kuvendeve komunale në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok

Autori: Gazeta inFokus 13:55 | 17 December 2023

Të hënën KQZ do t’i kthejë përgjigje kryesuesve të kuvendeve komunale në Mitrovivcë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kështu tha për Express zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

“Gjatë ditës së hënë do t’i përcjellim përgjigjet zyrtare lidhur me dy pyetjet që kanë parashtruar në adresë të KQZ-së të tre kryesuesit e kuvendeve komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Sigurisht se përmbajtjen e përgjigjes do ta bëjmë publike”, ka thënë Elezi.

-Advertisement-

Të mërkurën, para mediave Elezi tha se kryesuesit kanë kërkuar nga KQZ që të ofrojnë informata zyrtare për anëtarët e grupit iniciues se a janë votues të komunave përkatëse dhe informata për numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna që të mund të llogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Përmbajtja e këtyre tri kërkesave është e njëjtë. Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit inicues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%.”, tha ai.

Mirëpo, një kërkesë të tillë nuk e ka bërë komuna e Zveçanit, pasi kryesuesja e kuvendit komunal atje e ka refuzuar kërkesën për peticion.

Në përgjigjen e Kelmendit për grupin nismëtar, të cilën e ka parë Express, thuhet se kërkesa refuzohet “për faktin se kjo kërkesë bie në kundërshtim me dispozitat e nenit 4, paragrafi 3, e në veçanti paragrafi 2 i nenit 5 të Udhëzimit Administrativ (MAPL) nr. 02/2023 për Iniciativën e Qytetarëve për Largimin e Kryetarit të Komunës nga Funksioni”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera