Lajme

Zgjedhjet e parakohshme në veri s’pritet të mbahen gjatë këtij viti

Autori: Gazeta inFokus 09:18 | 03 December 2023

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore nuk pritet të mbahen gjatë këtij viti. Nga ekzekutivi nuk konfirmojnë se ka nis ndonjë iniciativë nga qytetarët serbë në veri që përmes peticionit të largohen kryetarët aktual, ndërkaq opozita dhe njohësit e proceseve zgjedhore e shohin të pamundur të ndodhin zgjedhjet gjatë këtij viti.

Megjithëse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se janë pajtuar me kërkesat e BE-së që të shmanget kërkesa për numrin e telefonit në kuadër të nënshkrimit për peticion, nga zyra e tij thanë se edhe pas këtij zhvillimi gjithçka varet nga vullneti i qytetarëve atje për të nis peticionin.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet në veri duhet të organizohen në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit.

-Advertisement-

Duke folur për mundësinë e dorëheqjeve të kryetarëve aktual, ai thotë se duhet të shikohet nëse ka vullnet politikë për një gjë të tillë, pasi kryetarët aktual pavarësisht numrit të vogël të votave janë legjitim.

“Në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje duhet të organizohen zgjedhjet e përkohshme në veri, pasi ne nuk mund të dalim jashtë asaj kornize. Nëse ka vullnet politik mundet me ndodh një gjë e tillë, por siç po shohim ne po humbin kohën. Kryetarët atje janë legjitim me atë legjitimentit që e kanë, por situata si ka ardhur atje e ka një histori dhe përgjegjës për ato veprime është kryeministri Kurti”, thotë Beqa.

Ndërkaq, njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, thotë se në bazë të udhëzimit administrativ dhe ligjit për zgjedhjet lokale, për të pasur zgjedhje të reja në komunat veriore duhet të ketë një kërkesë nga të paktën 20 për qind të trupës elektorale për shkarkimin e kryetarëve aktual.

Megjithatë, ai thekson se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe mosndëshkimit të Serbisë nuk duhet të ketë zgjedhje në veri, pasi edhe Lista Serbe është deligjitimuar dhe ka humbur besimin e qytetarëve.

“Çështje thelbësore dhe kërkesë ligjore e udhëzimit administrativ dhe Ligjit për zgjedhjet lokale është që për të pasur zgjedhje duhet të bëhet një kërkesë të paktën e 20 për qind të trupës elektorale të të gjitha komuniteteve. Ky është kushti dhe nëse realizohet atëherë mund të ketë zgjedhje. Por unë mendoj se në një situatë ku as BE-ja dhe as Serbia nuk kanë reaguar në mënyrën adekuate (sulmin terrorist të 24 shtatorit) përkundër e kanë neglizhuar çështjen e agresionit ushtarak të Serbisë në veri nuk mund të ketë zgjedhje dhe përparim atje. Lista Serbe është deligjitimuar dhe ka humbur besimin tek qytetarët dhe institucionet tona. Duhet që edhe bashkësia ndërkombëtare të këtë një qëndrim të tillë”, deklaron Baraliu.

Po ashtu, edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi është skeptik se do të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore.

“Nuk besoj se do të ketë zgjedhje në katër komunat në veri të paktën këtë vit. Këtë vit po e shoh të humbur në shumë aspekte…(Marrëveshja politike për dorëheqjen e kryetarëve aktual) Mund të ndodh ajo por zgjedhjet në veri nuk besoj se do të kenë ndonjë sukses nëse s’ka ndonjë marrëveshje politike, pasi ato do të prodhojnë të njëjtën krizë”, thotë Arifi.

Në bazë të një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian në Bratisllavë, Kosova ka treguar gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në muajin shtator ka hartuar udhëzimin administrativ që mundëson përmes peticionit largimin e kryetarëve aktual.

Kryetarët aktual në katër komunat veriore kanë dal nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera