Vazhdon dëshmia e Agim Idrizit, mohon që ka qenë polic ose roje pylli
Autori: Gazeta inFokus 13:20 | 05 September 2023
Pa masa mbrojtëse po vazhdon dëshmia e Agim Idrizit në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Dëshmitari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që mban numrin W04368, pretendoi që gjatë kohës sa ka qenë i arrestuar në vitin 1999 është rrahur dhe keqtrajtuar.
Në dokumentet e paraqitura nga prokurori i specializuar, e të cilat janë hartuar nga autoritetet serbe, ku figuron emri i tij për sigurinë lokale të komunës së Kaçanikut, dëshmitari i 21-të ka mohuar një gjë të tillë.
Në dëshminë e tij, ai pretendon se është rrëmbyer dhe ndaluar nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1999.
Sipas tij, gjatë kohës sa ka qenë i arrestuar është maltretuar dhe rrahur.
“Aq sa mendja nuk ju merr. Më kanë lënë me flejt ku është më keq. Më kanë maltretuar, më kanë rrahur ku është çka është më së keqi në dynja. Edhe krejt trupin e kam keq”, tha ai.
Prokurori James Pace ka vazhduar të marrë në pyetje këtë dëshmitar, ku janë shfaqur dokumente të hartuara nga autoritetet serbe, ku figuron emri i Agim Idrizit.
Për të njëjtat, ky i fundit tha se nuk i ka parë më herët, deri në momentin që janë shfaqur nga prokurori një javë më parë.
“Në fillim të dokumentit shohim që ky është një dokument që është hartuar nga autoritetet serbe, datën e ka 29 dhjetor 1998. Në këtë dokument jepet një listë emrash të cilët janë regjistruar për sigurinë lokale të Komunës së Kaçanikut. Dëshmitar, a e dini ju se çfarë nënkupton siguria krahinore ose lokale në këtë kontekst?
Idrizi: Krahinore nuk e marrë vesh se çfarë është.
Pace: Ky dokument e ka titullin ‘Lista e personave të regjistruar për sigurinë lokale ose vendore të komunës së Kaçanikut. A e dini se për çka e ka fjalën autori kur ka thënë ‘siguri lokale ose vendore’? Nëse nuk e dinë, mund të thuash se nuk e di.
Idrizi: S’jam bash i sigurt, nëse është kështu por këtu kishin punuar policët lokal.
Pace: Në vitin 1999 apo 1998, a e ke dëgjuar ndonjëherë shprehjen ‘siguria vendore apo policia vendore në Kosovë’.
Idrizi: Vetëm mundem me ju rrejt se nuk kam pas idenë me këtë kurrë”,u tha në gjykatore.
Në pyetjet vijuese të prokurorit, ky dëshmitar mohoi se është regjistruar për siguri vendore të komunës së Kaçanikut.
Pace: A je kyçur ti ndonjëherë në sigurinë vendore për krah organeve ose institucioneve serbe, siç pretendohet prej këtij dokumenti që keni për para në ekran.
Idrizi: Emri jem nuk shkruan kurrkund hiç.
Pace: Dëshmitar, në qoftë se do të shikojmë listën e emrave do të vërejmë që këtu përfshihen shumë persona të tjerë që gjatë dëshmisë tuaj në çështje të mëparshme gjyqësore ju keni thënë që kanë qenë të ndaluar me ju. Për shembull në numrin 16 kemi Rahim Elezën, në numrin 20 e kemi Nezir Topojanin dhe pastaj në fund me numrin 25 kemi Riza Kikën. Pyetja që kam për juve dëshmitar, është kjo: A e keni idenë se pse emrat e këtyre personave janë në një listë të policisë serbe në vitin 1998. Si ka mundësi që këta emra janë në një listë të policisë serbe?
Idrizi: Këta ku kanë ndejt, e ku kanë hyrë, e ku kanë dalë, a kanë mbajtur mbledhje, a kanë qenë policë a çka kanë qenë, unë nuk kam kurrfarë lidhje me ta. Vetëm i burgosur që kam qenë në 1999”, përfundoi Idrizi.
Prokurori i specializuar shtoi se në fund të dokumentit është nënshkruar nga kryetari i këshillit të komunës. Ai u pyet se nëse ka diskutuar ndonjëherë diçka me të njëjtin.
“Kam pas biseda me të, nuk ka qenë njeri i keq, nuk mund të them që ka qenë njeri i keq. Se ka qenë për krejt i mirë. Ai sidomos për muajin Ramazan, kur policinë nuk e ka lënë me dalë natën me shikua se çfarë janë duke bërë. Kanë luajtur gjithë natën vetëm në komunën e Kaçanikut. Kështu ka qenë. Biseda kush ka qenë, kurrë kërkujt me gisht nuk ja kam bërë. Le të del dikush le të kallxon që e kam mshelë në burg, ose ja kam lajmëruar një armë, ose e kam lajmëruar diçka. Një njeri le të del edhe veç le të fol, lirisht, që ja kam bërë një të keqe”, u shpreh ai.
Ai mohoi të ketë qenë roje pylli e pjesëtar i policisë serbe, për çka pretendoi se një gjë e tillë i është bërë qëllimisht. Po ashtu, ai shtoi se e di edhe Kaçaniku që ai nuk ka qenë (shumar) dhe se nuk e dinë se çfarë ka bërë roja e pyllit asokohe.
“Nëse dikush mund ta gjej emrin tem që kam punuar polic, qysh kam dëgjuar këtu në dokumente shkruan, se unë nuk e kam ditur deri tash. Ai është hasmi jem më i madhi që e ka shkruar emrin tim, ka thënë ‘Agim Idrizi është polic edhe është roje e pyllit’. Këto nuk janë të vërteta. Mund të pyesni në Kaçanik atje, ata e dinë më mirë.
Pace: Ju thatë që keni qenë roje e pyllit dhe që kjo është tërësisht jo e vërtetë. A mund ta sqaroni, a keni qenë apo jo roje pylli, është e vërtetë kjo a po jo?
Idrizi: Besën e shqiptarit po ua jap që kam me dalë me u vjerr para gjyqit, veç nëse nuk jam kush do të jap përgjigje me ma pagua jetën, se unë nuk kam qenë roje pylli as polic. Këtë një familje ma ka bërë këtë të keqe në luftë, por njerëzit nuk e dinë. Tash e dinë se ju kam treguar krejtve, para se me ardhur këtu ju kam treguar. Edhe ata janë befasuar kur kanë dëgjuar. Këto janë gënjeshtra. Unë e di për çka më ka shti ai në listë dhe për çka më ka shti në listë”, tha ai.
Dëshmitari i 21-të në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, i cili po dëshmon pa masa mbrojtëse, pretendoi se Sami Agjami kishte thënë që ishte rrahur nga ai dhe një polic tjetër në shtabin e UÇK-së. Derisa është pyetur se pse emri i tij figuron në listë, dëshmitari Agim Idrizi tha se nuk i ka pasur raportet e mira me familjen Agjami dhe Ebib Kokën.
Ai tha se gjatë viteve 98 dhe 99 kush ka dashur është pajisur me dokumente, por që kishte ndihmuar tre persona.
Pace: Me sa di ti, mos ke bërë ndonjë gjë, ndonjë veprim para marsit të ’99 dhe ky veprim i yti të ketë bërë që ndonjë shqiptar të përfundojë në burg, mos ke bërë ti ndonjë gjë para marsit të ’99 që të qonte ndonjë shqiptar në burg?
Idrizi: Unë besën po ua jap, veç një emër le të kallxojnë se kush ka shkuar prej meje në burg, unë jam përgjigje. Unë për këtë kam ardhur këtu. Unë nëse e kisha mbyll në burg, e kisha mbyll Enver Agjamin. Me krejt kam qenë mirë me të tjerët.
Pace: Dëshmitar, i ke thënë ndonjëherë ti policisë serbe, t’i digjni shtëpitë komshinjve?
Idrizi: Unë kësi hakmarrje nuk bëjë, as bëjë kurrë.
Pace: A ka thënë njeri që e ke bërë këtë, a ka thënë ndonjë njeri që Agim Idrizi i ka thënë policisë serbe të ju djegin shtëpitë komshinjve, e ka thënë njeri këtë gjë ndonjëherë?
Idrizi: Jo, këto janë gënjeshtra se kurrë në jetë këtë nuk e kam bërë.
Pace: E kuptojmë që janë gënjeshtra, por ne po pyesim ndonjë person i ka thënë këto gënjeshtra. A e ka thënë njeri me zë që Agim Idrizi u ka thënë policisë serbe që të djegin shtëpitë komshinjve?
Idrizi: Nuk shkruajnë askund këto gjëra, bile mos i bëni pyetje për mua, se këto nuk më kanë interesuar. As nuk më ka thënë askush. Unë kam qenë keq me atë familje, me ata kanë qenë puntë keq. Me familjen Agjami dhe Ebib Kokën dhe me Kemajl Dugollin”, u tha para trupit gjykues.
Dëshmia e dëshmitarit pa masa mbrojtëse në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, do të vazhdojë edhe pasdite.
Të gjithë janë të pranishëm në sallën e gjyqit, në përjashtim të Jakup Krasniqit.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /kp
Të tjera
-
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit
Nesër nga ora 11:00 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. E në rend dite ka...
-
Në janar do të hapet tenderi për tunelin Kosovë-Maqedoni e Veriut
Nga qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se në janar 2025 do të hapet te...
-
Arifi: Kanë filluar pipat e propagandës elektorale të LVV nëpër rrjete sociale
Ish-diplomati Avni Arifi, parashikon se Vetëvendosja do të zvhillojë fushatë ...
-
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas sondazheve
Kandidati i Partisë Social-Demokrate për president të Rumanisë, Marcel Ciolac...
-
Gërvalla nderon heronjtë, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj në 21 vjetorin e vrasjes së tyre
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka përkujtuar zyrtarët e poli...
-
Hoxhaj nesër nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
Nesër pritet që nënkryetarit të Kuvendit Enver Hoxhaj, t’i jepet titulli “Doc...
-
Qalaj thotë se në veri po hyjnë armë nga Serbia
Për tri ditë radhazi Policia e Kosovës në aksionet e saj në Zveçan, Zubin Pot...
-
Skandaloze: Shkëlzen Gashi i quan mediat organizata kriminale, e gazetarët kriminelë
Analisti Shkëlzen Gashi ka lëshuar një deklaratë skandaloze për mediat dhe ga...
-
Shkuarja në zgjedhje me VV-në, Meta: Gërvalla e Peci vendosën për interes të tyre, jo të partisë
Deputeti nga Lista “Guxo”, Burim Meta ka qenë i ftuari i radhës në “Reel Talk...
-
Konjufca e pret nesër homologun e tij nga Maqedonia e Veriut
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nesër e pret në takim homologun e tij nga...
-
Dyshohet se vrau gruan e tij Gjyljeta Ukellën, Edmond Lajçi nuk tentoi kurrë t’i takojë fëmijët
Për një vrasje që ndodhi në prill të këtij viti, tek këto ditë u ngrit aktaku...
-
Vonesa në regjistrimin e veturave me targa “RKS” në Leposaviq
Targa RKS nuk janë parë ndonjëherë më shumë në komunën e Leposaviqit. Megj...