Lajme

Shefi i NATO-s i bën thirrje Kosovës e Serbisë për shtensionim të situatës

Autori: Gazeta inFokus 14:45 | 22 June 2023

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të de-përshkallëzojnë tensionin dhe t’i vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tij me presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviq, Stoltenberg riafirmoi përkushtimin “e palëkundur” të NATO-s ndaj misionit paqeruajtës të  udhëhequr nga KFOR-i në Kosovë.

“Ne kemi shtuar praninë tonë dhe do të vazhdojmë të marrim të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha ai.

-Advertisement-

Ai tha se KFOR-i e merr përsipër detyrën në mënyrë “të paanshme” në mes të tensioneve të rritura së fundmi.

Stoltenberg u bëri thirrje “të gjitha palëve për de-përshkallëzim” dhe përshëndeti faktin që liderët e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel të enjten.

Tutje ai tha se ulja e tensioneve është “kyç për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon”.

Nga ana e tij, Milatoviq theksoi se Mali i Zi “mbështet fuqishëm” dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takohen sot me shefin e politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, teksa tensionet u rritën në veri të Kosovës muajin e kaluar pas zgjedhjeve komunale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera