Lajme

​Opozita njëzëri pas takimit me emisarët: Dëmtimi i raporteve me aleatët do të ketë pasoja

Autori: Gazeta inFokus 14:40 | 06 June 2023

Liderët e dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK janë shprehur të shqetësuar në lidhje me situatën në veri, pas takimit me emisarët ndërkombëtar, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar. Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, alarmuan për dëmtim të raporteve me aleatët dhe pasoja të rënda për Kosovën. Të njëjtit, njëzëri kritikuan kryeministrin Albin Kurti, por edhe presidenten Vjosa Osmani për veprime të pakoordinuara me aleatët, të cilat sipas tyre, po prodhojnë vetëm kriza në vend.

Pas takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se s’ka parë asnjëherë shqetësim të këtij niveli nga aleatët për situatën në Kosovë.

Ai tha stagnimi në shtensionimin e situatës në veri po e dëmton Kosovën në shumë aspekte.

-Advertisement-

Krasniqi: S’kam parë shqetësimi të këtij niveli nga aleatët

“Shqetësimi për situatën aktuale është i madh. Ne po shohim se s’ka lëvizje parapara, ka një situatë që është duke dëmtuar Kosovën në kuptimin e raporteve të saj ndërkombëtare, në radhë të parë me partnerët strategjik. Andaj shprehëm gatishmërinë tonë që të kemi rolin tonë shtetërore për të ruajtur relacionet e Kosovës me ShBA-në dhe BE-në po ashtu…S’ka pas kërkesa përtej një informimi më të detajshëm për situatën që është zhvilluar, për diskutimet e deritashme, për qëndrimet që vërtet asnjëherë s’kam parë shqetësime të këtij niveli, të kësaj natyre nga ana e partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës. Ndjenjë aspak e mirë dhe e lehta që të dëgjosh SHBA-në dhe përfaqësuesin e BE-së duke shprehur zhgënjim kaq të thellë, e cila e ka obligim t’i forcojë raportet tona, jo t’i dëmtojë ato”, tha Krasniqi.

Kritik u shpreh edhe kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se kjo situata në veri është shqetësuese për Kosovën, pasi institucionet janë të paqarta në veprimet e tyre për të gjetur një zgjidhje.

Ai kërkoi edhe nga presidentja Osmani që mos të heshtë dhe të jetë e zëshëm në këtë moment, të cilin e quajti kritik për Kosovën.

Abdixhiku: Po futemi bukur në një situatë shqetësuese dhe të paqartë

“Po futemi bukur në një situatë shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes, relacioneve që Kosova ka me aleatët e saj dhe të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët tanë. Në këtë fazë, Kosovës i mbetet të sheh dhe pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, BE-ja dhe NATO. Një gjendje të tillë si LDK e kemi vështirë të pranojmë. Si parti politike opozitare, me numër të kufizuar të deputetëve në Kuvend veprimet tona do të jenë publike…Shpresoj që të reflektoj (Kurti) dhe i bëj thirrje presidentes që të jetë më e zëshme dhe më e qartë për këtë moment kritik të Kosovës”, theksoi ai.

Përgjegjësi më të madhe nga presidentja Osmani kërkoi edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi: Ne kemi vetëm kriza për këto dy vjet të shkaktuara nga kryeministri i Kosovës, të mbështetura nga presidentja

“Zgjidhja është Qeveria, përgjegjësitë janë te Qeveria, te presidentja. Populli i ka zgjedhë këta njerëz për t’i zgjidhur problemet, jo për t’i krijuar. Ne kemi vetëm kriza për këto dy vjet të shkaktuara nga kryeministri i Kosovës, të mbështetura nga presidentja. Është e paarsyeshme që presidentja të vazhdojë të heshtë. Ajo ka përgjegjësi dhe mes tjerash është edhe komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i saj nga stërvitja Defender Europe nuk mund të merret me këtë qasje injoruese. Ajo duhet të flasë edhe për shuarjen e ëndrrës së 1000 ushtarëve tanë. Kërkesat janë publike, ne i dimë”, shtoi ai.

I pyetur për mundësitë që kryetarët nga radhët e PDK-së në Zubin Potok dhe Zveçan të japin dorëheqje, Krasnqi tha se janë në konsultim ditor me ta për të parë se cilat janë veprimet e duhura për të shkuar përpara.

Krasniqi: Ne do të jemi në konsultim ditor brenda nesh dhe me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut

“PDK ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre ditëve, sidomos pas të premtes ku Qeveria pa koordinim, në mënyrë të fshehur ka ndërmarrë veprime që e kanë sjellë këtë situatë, por ne do të jemi në konsultim ditor brenda nesh dhe me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut për të parë se cilat janë veprimet e duhura për të shkuar përpara”, tha ai.

Në takim me Lajçak dhe Escobar ishte edhe kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, por i njëjti nuk u prononcua para mediave.

Pas takimit me liderët opozitarë, dy emisarët pritën në takim edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët po ashtu nuk u deklaruan për takimin me Lajçak dhe Escobar.

Lajçak dhe Escobar gjatë të martës takuan edhe presidenten Vjosa Osmani, derisa dje mbi dy orë diskutuan me kryeministrin Albin Kurti, ku të njëjtit i paraqiten tri kërkesa për de-eskalimin e situatës në veri. Aty ndër tjera u kërkua de-eskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja dhe rikthimi në dialog.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera