Si u përmbys premtimi i Albin Kurtit “familjarët janë për dasma e ahengje”, kjo është lista me emrat e punësimeve familjare e partiake
Autori: H. Smajli 17:05 | 15 February 2023
“Familjarët janë për dasma e ahengje e jo për institucione”, kishte deklaruar kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, në fushatën zgjedhore dy vite më parë.
Mirëpo pas ardhjes në pushtet gjërat ndryshuan, e u hapën dyert edhe për akrabllakun e bartësve të rinj të institucioneve.
Gazeta Infokus ka bërë një përmbledhje të të gjitha punësimeve familjare të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Lista e tyre del të jetë goxha e gjatë.
KEK “vërshohet” nga militantët
Mandatin, qeveria Kurti, e nisi me një super skandal të punësimeve masive në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), shkruan Gazeta Infokus.
Në konkursin e muajit prill të vitit 2022, u punësuan 128 persona prej tyre shumica ishin familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe anëtarë e militantë partiakë të partisë në pushtet bashk me ata të listës Guxo. Kjo ani pse në konkurs kishin aplikuar hiq më pak se 4 mijë e 668 persona, këtu u zgjodhën të afërm ministrash e të afërm deputetësh të Vetëvendosjes e Listës Guxo.
Këtu premtimet elektorale u harruan e nepotizmi nisi të shtrihet në institucione.
Në lidhje me këtë konkurs e punësimet familjare pa dyshim që pati reagime të shumta.
U nisën edhe hetime nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mirëpo edhe pse ka kaluar gati një vit, ende nuk është zbardhur asgjë nga hetimet p֝ër këtë skandal.
Këtë për Gazetën Infokus e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të cilët kanë thënë se ky konkurs është ende në fazën e hetimeve.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’iu njoftojmë se rasti në fjalë ndodhet në fazën e hetimeve, andaj për shkak të procesit hetimor nuk mund të japim më shumë informata lidhur me këtë çështje”, ka thënë për Infokus zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
Mirëpo kjo nuk është e gjitha. Për dy vite me radhë qeveria që proklamonte ç ‘kapjen e shtetit e të institucioneve publike në vend, i ç ‘kapi dhe i kapi ato sërish, duke punësuar anëtarë partiakë e familjarë të zyrtarëve të pushtetit.
Punësimi i nipit të famshëm që nuk kishte parë dajën për 50 vite!
Një punësim ishte edhe ai i nipit të zëvendës kryeministrit, Besnik Bislimi, Gëzim Tosuni i cili u emërua në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
Kjo do të mbahet në mend edhe për deklaratën e famshme të Bisnik Bislimit që sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ai kishte thënë se kishte 50 vite që se kishte parë nipin, ani pse mosha e nipit është shumë më e re se kaq.
E përveç punësim familjar, Gazeta Infokus raportoi para një viti se kjo pozitë për Tosunin ishte edhe konflikt interesi. Gazeta Infokus kishte zbuluar atë kohë se nipi i Bislimt ishte duke kryer në të njëjtën kohë edhe një punë tjetër në kuadër të Ministrisë së Arsimit, atë të nostrifikimit të diplomave.
Pas raportimit të Gazetës Infokus, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nisur hetimet për këtë rast dhe e kishte obliguar, Gëzim Tosunin, që të hiqte dorë nga njëra pozitë.
Madje kur gazeta Infokus e kishte pyetur, Tosunin, sa kohë kishte që se ka parë dajën ai e kishte kërcënuar me padi nëse publikon diçka nga biseda e gazetares me të.
Përpjekjet për të rehatuar nipin e Bislimit nuk përfunduan me kaq.
Pas një viti, kur edhe u pretendua se mund të jetë harruar emri i tij nga mediat, në vitin 2023, sërish Tosuni ia mësyu garës për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.
Gazeta Infokus raportoi ekskluzivisht se nipi i Bislimit po garon për të parin e BQK-së në garë me 14 kandidatë të tjerë me përvojë të bujshme në institucione financiare.
Pas raportimit të Gazetës Infokus dhe pas intervistimit të listës së ngushtë nipi i zëvendës kryeministrit të parë të Kosovës u diskualifikua nga gara.
Punësimet e familjarëve deri te frizeri i Albin Kurtit!
Motra e Ministrit Xhelal Sveçla u punësua në Ministrinë e Bujqësisë, xhaxhai i Glauk Konjufcës u emërua këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, vajza e Arbërie Nagavcit u punësua në Ministrinë e Financave.
Motra e Xhelal Sfeqlës, Magbule Hyseni u punësua në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. E njëjta, është angazhuar në pozitën Zyrtare për Rrjetin Kombëtar Rural dhe partnerët e tjerë socialë për përgatitjen e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR), në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
LEXO EDHE: Motra e ministrit Xhelal Sveçlës punësohet në Ministrinë e Bujqësisë
Punësime të tjera familjare ani pse kishte një kohë të shkurtër në pushtet u bënë në vitin 2021.
Xhaxhai i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, Rabit Konjufca u emërua këshilltar politik në Ministrinë e Mbrotjes.
Për këtë kishte raportuar Demokracia.com, sipas të cilëve vajza e ministres Nagavci ishte punësuar në vitin 2020, gjatë periudhës së shkurtër të qeverisjes nga LVV-ja.
Për këtë kishte reaguar edhe vetë Nagavci, duke u arsyetuar se në kohën që iu punësua vajza LVV-ja nuk ishte në pushtet.
LEXO EDHE: Reagon ministrja Nagavci për punësimin e vajzës
Gazeta Infokus në korrik të vitit 2022, kishte raportuar edhe për punësimin e vajzës së Shpejtim Bulliqit, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Nga gjashtë konkurset e hapura për vetëm një ditë për ‘ofrues të shërbimeve’ me kontratë mbi vepër nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, për të cilat raportoi Gazeta Infokus u punësua edhe vajza e Shpejtim Bulliqit, kryetarit të komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Egzonë Bulliqi.
Nga pushteti kanë përfituar edhe familjarë të deputetëve të Listës Guxo, që janë pjesë e koalicionit qeverisës. Në Ministrinë e Shëndetësisë, u punësua djali i axhës së deputetit, Haxhi Avdyli, Emrush Avdyli.
Me 27 korrik, në Bordin Qendror për Shkollim Specialistik është emëruar Driton Vela, ish-kandidat i LVV-së për deputet, i cili është vëllai i Blerim Velës, këshilltar i presidentes, Vjosa Osmani.
E së fundmi një punësim tjetër bëri goxha bujë. Qeveria Kurti, ka menduar që të mos lë anash dhe ti bëjë një vend pune edhe frizerit të Kurtit e bashkëshortes së tij.
Brikena Kelmendi Gashi, së fundi është emëruar në një pozitë pune në Ministrinë e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, e cila u kthye edhe në marketing për sallonin ‘Vouge Hair’ që është në pronësinë e Armend Gashit.
Mirëpo përveç bashkëshortes, qeveria i siguroi një vend plus të punës edhe vetë Gashit. Ai është punësuar në shkollën “Shtjefën Gjeqovi” në Prishtinë.
Ç ’kapja e kapja e bordeve
Edhe ç’kapja e bordeve e institucioneve publike ishte njëri ndër premtimet e mëdha të “qeverisë së shpresës”.
“Nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive politike”, kishte premtuar, Kurti sërish gjatë fushatës para zgjedhjeve.
Sa i përket kësaj përveç nipit të Bislimit, një emërim tjetër ishte edhe ai i Mentor Hysenit, që u propozua nga qeveria Kurti si anëtar i bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim, të cilën edhe kishte premtuar se do ta shuante sa po të vinte në pushtet.
Ndërsa pasi LVV-ja rehatoi Hysenin, në këtë pozitë, si duket ai nisi iniciativat për të rehatuar familjarë të tjerë në institucione shtetërore.
Infokusi përmes burimeve të saj kishte zbuluar në vitin 2022 se vëllai i bashkëshortes të Mentor Hysenit të LVV-së, ishte emëruar në krye të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSST).
Evetar Zeqiri u zgjodh në krye të këtij bordi, pas hapjes së konkursit publik dhe intervistmit nga komisioni bordi i KOSST.
Mentor Hyseni, ish-kandidat i VV-së për deputet në qeverinë Kurti 1, dhe ishte bërë, Drejtues Bordi i KRU Prishtina, ndërsa në në Kurti 2 është anëtar bordi i AKP-së dhe njëkohësisht konsulent i GIZ-it gjerman për Kuvend të Kosovës.
Mirëpo kapja e bordeve në mandatin e Kurti II, nuk mbaron me kaq. Në vitin 2022, në bordin e Kompanisë, Ujësjellësi Hidroregjioni Jugor emëroi kryesues aktivisti i lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Feim Fetoshin.
Feim Fetoshi është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Një njoftim të tillë e kishte bërë vetë Kurti në nëntor të viti 2019, ku kishte njoftuar se Fetoshi i ishte bashkuar Lëvizjes.
Së fundmi një emërim tjetër i tillë është bërë në Ndërmarrjen Hidroekonomike, Iber – Lepenci, ku kryshef i saj u emërua, ish-kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka.
Një emërim tjetër i partisë në pushtet u bë edhe në Bankën Qendrore të Kosovës. Ish-kandidati kryetar të Pejës dhe më pas kandidat edhe për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Bashkim Nurboja është zgjedhur në krye të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Derisa i njëjti fillimisht ishte emëruar anëtar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës në nëntor të vitit 2021, sërish kur në LVV-ja ishte në qeverisje.
Lista e këtyre punësimeve duket të jetë e pafund. Përveç zyrtarëve, anëtarëve e aktivistëve të partisë, LVV-ja po punëson edhe familjarët e këtyre të fundit.
Dafina Gezha, ishte emëruar në Bordin Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në emër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike – IKSHPK dhe me vendim të qeverisë do të kishte një mandat 3 vjeçar. Gezha është bashkëshortja e Fatban Bunjakut, Zyrtar për Logjistikë dhe Informatikë në Vetëvendosje i cili në vitin 2017 ka qenë edhe kandidat për asamblist në Komunën e Prishtinës.
E si për çudi askujt nga opozita nuk iu kujtua që me 14 shkurt në ditën e 2 vjetorit të qeverisjes Kurti ti përmendej thyerja e një ndër premtimeve kryesore që “familjarët janë për dasma”.
Pati reagime të shumta që lidheshin me keqqeverisjen, kthimin e vendit mbrapa, ikjen e mjekëve e të rinisë nga Kosova, regresin në dialog, mirëpo as edhe një fjalë nuk u tha për punësimet./Gazeta Infokus/
Të tjera
-
Detaje të reja nga plagosja e dyfishtë në “Kodrën e Trimave”
Pasditja e së enjtes tronditi lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet. Nga n...
-
Urdhër-arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Netanyahut, reagon ashpër Izraeli
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) pranoi kërkesën e kryeprokurorit të saj K...
-
Erërat e forta e reshjet e shiut, Pejës i shkaktojnë dëme të konsiderueshme
Dy net më parë, qyteti i Pejës mbeti në errësirë. Kjo pasi erërat e forta ...
-
Supremja lanson udhëzuesin për matjen e dënimit, merr pjesë ambasadori Hovenier
Gjykata Supreme e Kosovës lanson sot udhëzuesin për matjen e dënimit. E pj...
-
Liburn Aliu sot mban konferencë për media
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu,...
-
Fundjavë e ftohtë, temperaturat zbresin në -4 gradë
Fundjava në Kosovë do të mbizotërojë me mot të vranët e me temperatura të ulë...
-
Pemë për ushtarët e FSK-së, Ministria e Mbrojtjes jep tender në vlerë mbi 45 mijë eurosh
45 mijë e 925 euro për furnizim me pemë për nevojat e ushtarëve të Forcës së ...
-
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongr...
-
Sot përurohet QKMF-ja në Mamushë, marrin pjesë Kurti e Vitia
Sot përurohet Qendra e re e Mjekësisë Familjare në Mamushë. Në përurim do ...
-
Komisioni për të Drejtat e Njeriut takon sot gratë greviste të Kuvendit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, ...
-
Kërkesa për ‘viza të arta’ në Evropë nga qytetarët e SHBA, rritet ndjeshëm pas fitores së Trump
Interesi për të ashtuquajturat “viza të arta” nga qytetarë të pasur amerikanë...
-
Trump zgjedh Pam Bondi si prokurore të përgjithshme pasi Matt Gaetz u tërhoq ditën e djeshme
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka emëruar aleaten e vjetër dhe prokur...