Çfarë janë ‘Terminatorët’ rusë që janë parë në Ukrainë?
Autori: Gazeta inFokus 16:04 | 22 May 2022
Imazhet e reja konfirmojnë praninë në Donbas të Ukrainës të një makine luftarake të blinduar të Rusisë, e cila është e pazakontë.
Ky është një automjet luftarak rus për mbështetjen e tankeve (BMPT) i fotografuar gjatë stërvitjeve më 2017. Të quajtur “Terminatorë” nga prodhuesi i tyre, Uralvagonzavod, automjetet morën vëmendjen e mediave në fund të majit, kur u panë në Ukrainë.
Fotografia e mësipërme dhe dy video amatore të publikuara së fundmi, thuhet se tregojnë për praninë e Terminatorëve rusë rreth qytetit lindor ukrainas të Severodonjeck. Prania e këtyre automjeteve në Ukrainë u konfirmua me sa duket më 18 maj përmes një raporti të agjencisë ruse të lajmeve, RIA Novosti.
Terminatorët u krijuan si rezultat i përpjekjes së Rusisë për të zhvilluar automjete specifike për t’i përdorur për luftime në hapësira të ngushta urbane. Nevoja e këtyre lloj automjetesh u bë urgjente pas luftës së parë çeçene, në të cilën një numër jashtëzakonisht i madh i automjeteve të blinduara ruse u shkatërruan nga luftëtarët çeçenë.
Militantët çeçenë duke qëndruar pranë një automjeti të blinduar rus, i shkatërruar në betejën për Groznin në janar të vitit 1995.
Gjatë betejës më 1994-1995 për kryeqytetin çeçen, Grozni, luftëtarët lokalë ishin në gjendje që nga dritaret dhe dyert të sulmonin me armë të lira kundërtanke dhe të zhdukeshin në territorin që e njihnin mirë. Fuqia e tankeve ruse u zhbë për shkak të paaftësisë së tyre për të qëlluar lart apo për të lëvizur grykën e topit aq ulët sa për të vrarë luftëtarët çeçenë, të cilët shpesh qëndronin në bodrume dhe prisnin që në rrugët pranë të kalonin automjetet e blinduara ruse dhe më pas kryenin sulme.
Një fotografi e realizuar nga lart gjatë parakalimit të një automjeti BMPT në paradën ushtarake në Moskë.
Taktikat moderne ushtarake thonë se tanket në fushëbetejat urbane bashkëpunojnë me këmbësorinë. Shoqërimi i tankeve nga këmbësoria mundëson që ushtarët të jenë sytë dhe veshët e ekuipazhit të tankeve dhe u mundëson që të sulmojnë menjëherë armiqtë në çdo drejtim, ndërkaq tanket sigurojnë mbulim për këmbësorinë nga zjarri i armëve të vogla.
Terminatorët e Rusisë janë të dizajnuar për të luftuar në mjedise urbane së bashku me tanket, duke zëvendësuar këmbësorinë si mbështetje për tanket. Është e paqartë nëse ekuipazhet e Terminatorëve, që qëndrojnë të mbyllur brenda këtyre automjeteve të blinduara, do të mund të përshtaten me mënyrën se si këmbësoria e percepton situatën në terren të hapur.
Terminatorët janë të armatosur edhe me auto-topa të dyfishtë (që gjenden në qendër të fotografisë së mësipërme) dhe secili prej tyre është i aftë që të gjuajë më shumë se 10 fishekë 30 milimetërsh në sekondë. Në këto pajisje po ashtu mund të vendosen edhe në armë të tjera, që do të thotë se gjuajtësi mund të gjuajë fishekë nga një tytë, pastaj të kalojë menjëherë tek tyta tjerët dhe të gjuajë fishekë të tjerë, ose mund të qëllojë nga të dyja në të njëjtën kohë.
Këto automjete luftarake po ashtu mund të mbajnë raketa (në secilën prej tytave që shihen në këtë fotografi) dhe mitraloz. Versioni i BMPT-së që shihet këtu mban dy granatahedhës (njëra prej tyre shihet në anën e majtë, në pjesën e poshtme).
Një ushtar rus duke mbajtur një granatahedhës teksa qëndron sipër Terminatorit BMPT, në afërsi të Moskës më 2017.
Ekzistojnë të paktën dy lloje të veçanta të Terminatorëve. Njëri model është i pajisur me dy granatahedhës dhe mund të bartë një ekuipazh prej pesë personash. Ndërkaq, modeli i dytë kërkon që të operohet nga një ekuipazh prej tre personash dhe funksionon pa granatahedhës. Terminatorët që janë parë në Ukrainë duket se kanë qenë të pajisur me granatahedhës.
BMPT-të e Rusisë gjithashtu kanë edhe pajisje të vendosura në pjesën e jashtme që shpërthejnë kur goditen nga një predhë, duke neutralizuar goditjet nga disa armë kundërtanke. Masa të tjera mbrojtëse përfshijë edhe pjesë të blinduara apo grila metalike që shihen në fotografinë e mësipërme, që pengojnë fuqinë shpuese të armëve kundërtanke. Të paktën një tank rus, me tipare të ngjashme reaktive moderne, është shkatërruar gjatë luftimeve në Ukrainë.
Nuk dihet se sa Terminatorë ka Rusia aktualisht në shërbim, por në fund të vitit 2021, Rusia shtoi 10 në një regjiment tankesh në qarkun qendror të ushtrisë.
Disa analistë perëndimorë thanë se prania në Ukrainë e disa prej këtyre automjeteve të rralla luftarake, është një shenjë e “zhgënjimit” nga Kremlini, ndërkaq analistët rusë kanë duartrokitur përdorimin e automjeteve të tilla dhe kanë thënë se ato paraqesin shembullin se sa i fuqishëm është arsenali i Rusisë.
Sido që të jetë, prania e Terminatorëve në Donbas, ku armatimi i avancuar kundërtank po pret përparimin e Rusisë, padyshim se është si një lojë bixhozi. Imazhi i krijuar me kujdes nga ushtria ruse se është e “pamposhtur” do të merrte një goditje të re të fuqishme nëse Terminatorët do të performonin dobët në Ukrainë. /REL
Të tjera
-
Pacienti që u raportua i zhdukur nga Instituti Special në Shtime kthehet në qendër
Pacienti i cili është larguar një ditë më parë nga Qendra për Integrimin dhe ...
-
PDK: Kuvendi sa më parë të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e sotme të Ku...
-
Zhvilluan gara në autostradë dhe goditën për vde kje tre persona, aktakuzë ndaj dy të dyshuarve në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur ...
-
Hapet thirrja për praktikë me pagesë në Agjencinë e Punësimit, Ministria tregon kriteret
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka njoftuar se është hapur thir...
-
Zhvillime në rastin e vra*jes së Liridona Ademajt, lirohet njëri nga të dyshuarit
Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin,...
-
Gërvalla takon homologun estonez, flasin për situatën e sigurisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me ...
-
Deliu-Kodra: Ilaz Kodra ishte sinonim i shpirtit liridashës
Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ilaz Kodra, ra në altarin e liris...
-
Haziri: Krerët shtetëror duhet ta bëjnë të qartë se çfarë obligimesh kanë marrë pas letrës së dërguar për anëtarësim
Ish-negociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Lutfi Haziri ka kërkuar sqarim nga...
-
Bislimi: Reformat do të na ndihmojnë në avancimin tonë drejt integrimit në BE
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shpalosur disa nga masat n...
-
Glauk Konjufca: Ilaz Kodra, ndër figurat më emblematike të UÇK-së, pjesë e bërthamës themeluese të saj
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën solemne në nderim ...
-
Osmani: Ilaz Kodra ishte dora e djathtë i komandantit legjendar Adem Jashari
Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të komandantin të U...
-
Reagimi i DASH-it, Kandiq: Edhe Zoti ka çuar duart nga Serbia
Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar pasi De...