Ekskluzive: Flasin nga Ambasada Britanike për emërimet në Bordin e “Ibër Lepencit”
Autori: H. Smajli 13:51 | 06 May 2022
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar pas raportimeve të Gazetës Infokus se qeveria e Kosovës javën e kaluar (të shtunën), zgjodhi kryesuesin dhe anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Hidro Ekonomike “Ibër – Lepenci”, duke mos i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve britanikë në vlerësimin me pikë maksimale për këtë përzgjedhje. Qeveria e Kosovës vendosi në krye të këtij bordi personin e vlerësuar të 10 në listë nga renditja e më të mirëve, një anëtar të bordit qe ishte i 11 dhe një tjetër qe nuk ishte fare në listën e 13 kandidatëve të poentuar nga Ambasada Britanike.
Në përgjigjen e pyetjeve të Gazetës Infokus nga Ambasada Britanike, është konfirmuar se raporti i tyre për kandidatët me më së shumti pikë për tu emëruar në këtë bord i është dorëzuar Kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës.
“Ne përmes projektit tonë të rekrutimit kemi mbështetur procesin e rekrutimit për Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibër – Lepenci. Ekspertët e Mbretërisë së Bashkuar nga projekti kanë rekomanduar 13 kandidatë të cilët janë vlerësuar të emërohen. Lista e kandidatëve të rekomanduar dhe raporti i janë dorëzuar për shqyrtim Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit”, thuhet në reagimin e ambasadës për Infokus.
E megjithatë këto rekomandime nuk u morën parasysh e madje në krye të bordit u zgjodh Bajram Mustafa, i cili del të jetë kandidati më pak i vlerësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Në vazhdim në përgjigjen e tyre thuhet se ambasada përmes këtyre raporteve mbështet institucionet në Kosovë që proceset e rekrutimeve apo emërimeve të bëhen të bazuara në meritokraci.
“Të gjithë kandidatët që u konsideruan të emëruar nga ekspertët britanikë, dëshmuan se kishin përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për t’u emëruar në këtë pozicion. Projekti ynë i Rekrutimit mbështet institucionet e synuara të Kosovës për të përgatitur dhe drejtuar proceset e rekrutimit të bazuara në merita. Në fund të çdo procesi ekspertët tanë përgatisin dhe dorëzojnë një raport dhe rekomandojnë një listë të kandidatëve të emëruar. Megjithatë, përgjegjësia për emërimin e zyrtarëve është vetëm vendim i institucioneve të Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Derisa ata nuk kanë pranuar të komentojnë pse emrat e këtij raporti të përgatitur nga ekspertët britanikë nuk u përfillën nga qeveria e Kosovës, por kanë thënë se 5 prej 6 nga të emëruarit kanë qenë po ashtu pjesë e listës së qeverisë dhe listës së tyre.
Nga Ambasada Britanike kanë thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Institucionet e Kosovës në procese të tilla të rekrutimit.
“Me këtë rast 5 nga 6 të emëruarit janë rekomanduar edhe nga ekspertët britanikë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim institucionet e Kosovës që drejtojnë proceset e rekrutimit të bazuara në merita për pozitat e larta të synuara, duke përfshirë disa nga bordet e ndërmarrjeve publike. Shpresojmë që rekomandimet tona të merren parasysh dhe emërimi të bëhet në bazë të meritës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Kujtojmë se Gazeta Infokus ka raportuar të shtunën se qeveria e Kosovës emëroi në bordin e “Ibër Lepencit” emra që kishin më së pakti pikë sipas raportit të ekspertëve britanikë.
E madje Gazeta Infokus raportoi edhe se si pati të tillë që u emëruan edhe pse nuk ishin fare pjesë e raportit të rekrutimit nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Sipas raportit, Bajram Mustafa, del të jetë kandidati më pak i vlerësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, e megjithatë Qeveria Kurti, e zgjodhi atë për kryesues të bordit.
Britanikët, Mustafën e kishin renditur si të 10-in në listë, duke e vlerësuar me vetëm 18.5 pikë, ndërsa 9 kandidatët e tjerë që u anashkaluan nga qeveria, kishin marrë nga 19 deri në 23 pikë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.
Ndërkaq edhe pse i 11 në listën e britanikëve me 18.5 pikë, Avdullah Nishori, zgjidhet për të qenë anëtar i Bordit të Ndërmarrjes Publike ‘Ibër Lepenc”.
Kjo nuk është hera e parë që në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike zgjidhen njerëz nga fundi i listës dhe jo ata që Ambasada Britanike i vlerëson si më të mirët.
Ambasada Britanike nuk është ndarë e kënaqur edhe nga përzgjedhja e bordeve që bëjnë mbikëqyrjen e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe të ndarjes së drejtësisë në tender.
Qeveria e Kosovës kishte marrëveshje me Ambasadën Britanike në Prishtinë që të asistohet në këto dy procese të rekrutimit të Bordeve, por ambasada nuk është përfshirë në asnjërin proces.
“Ambasada Britanike në Prishtinë nuk do të asistojë në procesin e ri për zgjedhjen e bordit të OShP-së. Qëndrimi ynë i vazhdueshëm për raste të tilla është se projekti i Ambasadës Britanike nuk do të jetë në gjendje të mbështesë përsëri procesin, në rastet kur rekrutimi ka përfunduar me sukses dhe ka rezultuar me kandidatë që janë të emërueshëm”, kishte bërë të ditur Ambasada Britanike në Prishtinë.
Pavarësisht kësaj qeveria Kurti edhe këtë të shtunë nuk përfilli prapë vlerësimin e britanikëve me përzgjedhjen e Bajram Mustafës në krye të Bordit të “Ibër Lepencit”.
Gazeta Infokus ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zyra e kryeministrit në lidhje me këto emërime mirëpo pavarësisht insistimit të njëjtit kanë heshtur dhe nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, në mbledhjen e së shtunës deklaroi se në konkursin e shpallur për bord të “Ibër Lepencit” kishin aplikuar 110 kandidatë, ndërsa në listën e ngushtë ishin përzgjedhur 59 kandidatë. Gjatë periudhës së ankesave, ishin pranuar 14 ankesa ku 9 prej tyre janë vlerësuar të drejta./Gazeta Infokus/
Kjo është lista me pikët për secilin kandidat nga Ambasada Britanike:
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...