Lajme

Formati aktual i bisedimeve Kosovë-Serbi nuk garanton marrëveshje të shpejtë përfundimtare

Autori: Gazeta inFokus 09:22 | 20 November 2021

Delegacionet teknike të Kosovës dhe Serbisë përmbyllën këtë javë takimet e veçanta me ndërmjetësuesin e bisedimeve në Bruksel pa ndonjë rezultat për shkak të mospajtime mbi temat që duhet diskutuar.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se “është koha për përparim”, ndërsa i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha të enjten se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diskutoi për mundësinë e një marrëveshjeje me Serbinë, përgjatë mandatit të qeverisë aktuale.

Përparimi në bisedimet Kosovë – Serbi u diskutua të premten në një bisedë telefonike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Zv/ndihmës Sekretarin amerikan të shtetit, Gabriel Escobar.

-Advertisement-

Zyra e kryeministrit Kurti citoi zotin Escobar të ketë theksuar “mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e SHBA-ve që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim”, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti.

Analistët në Prishtinë thonë se një marrëveshje përfundimtare është e vështirë pa një përfshirje të fuqishme të vendeve kryesore perëndimore.

Drejtori i Grupit Ballkanik për hulumtimin e politikave, Naim Rashiti tha për Zërin e Amerikës se është e qartë që ka një lodhje ndërkombëtare me procesin e bisedimeve dhe kjo sipas tij po përcillet me një rritje të angazhimit amerikan për të përmbyllur bisedimet me një marrëveshje.

“Kështu që po duhet të jetë një mesazh i qartë që të kërkohet marrëveshje, duhet të gjendet një marrëveshje. Tani u mbetët palëve, mbetet që Kosova të bëhet gati fuqishëm për të negociuar një marrëveshje të tillë, te shohim se Serbia a do të bëhet gati për negociata apo do të vazhdojë të manipulojë mes perëndimit dhe Rusisë siç po e shohim këto ditë dhe të shohim se çfarë sekuencimi ndërkombëtar të dialogut po krijon BE-ja”, tha ai.

Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se përmbyllja e bisedimeve me Serbinë nuk varet vetëm prej qeverisë.

“Një ndër ta është edhe bashkërendimi trans-atlantik apo njëmendësia e të dyja palëve për të përfunduar dialogun Kosovë-Serbi. Nëse nuk ka incentivë të vërtetë dhe shumë serioze dhe shtetet e saj veç e veç si Gjermania, Franca dhe shtetet jashtë BE-së si Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës atëherë dialogu Kosovë-Serbi është vështirë i përfundueshëm marrë parasysh se nuk ka ndonjë presion tjetër që do të mund ta bëj marrëveshjen finale përpos këtyre superfuqive botërore të cilat kanë edhe fuqi por kanë edhe lehtë për ta imponuar një marrëveshje varësisht prej momentumit që ata krijojnë”, tha Fetahu.

Për analistët, formati aktual i bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel nuk mund të garantojë një marrëveshje përfundimtare./VOA/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera