Opinione

KOSOVA NË MES TË RECIPROCITETIT DHE SOVRANITETIT

Autori: Mehmet PRISHTINA 18:20 | 06 October 2021

Në Prishtinë do të vazhdojë të kritikohet marrëveshja e fundit për mbulimin e simboleve shtetërore në target e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo është edhe detyra e opozitës, por ajo që do të duhej të kihet parasysh është fakti se për herë të parë kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të trajtohet si adminstrativ nga Beogradi, siç është trajtuar deri më tani, por si prag që shënon derën e një shteti ku Serbia duhet patjetër të trokas

Nga Mehmet PRISHTINA

Tani kur ka filluar qarkullimi i lirë  në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë, pas largimit të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe largimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, shumë kush, nga këndvështrimi i tij, e ka analiziuar situatën e krijuar në veri të Kosovës. Dy tetori ka qenë dita dhe afati i tërheqjes së Njësive Speciale të Policisë dhe zhbllokimit të rrugëve për në Jarinje e Bërnjak, sipas marrëveshjes së arritur nga Kosova e Serbia në Bruksel. Të shtunën filloi edhe zbatimi i pikës së parë të kësaj marrëveshje, e cila e parasheh largimin e protestuesve serbë, si dhe zëvendësimin e njësive speciale me trupat e KFOR-it në pikat kufitare në veri. Ndërsa pika e dytë, nisi të zbatohet  nga 4 tetor 2021, me ç’rast filloi vendosja e përkohshme e sistemit të afisheve, me të cilat si Kosova, ashtu edhe Serbia do të mbulojnë simbolet shtetërore të targave të njëra-tjetrës.

-Advertisement-

Pika e tretë parasheh që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të BE-së, Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, ky grup pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Marrëveshja Kosovë-Serbi është lavdëruar nga diplomatët ndërkombëtarë, kurse është kritikuar nga opozita dhe një pjesë e mediave në Kosovë.

Marrëveshje mes dy vendeve është e përkohshme dhe do të zgjasë për 6 muaj. Në shtensionimin e situatës një rol të rëndësishëm, përveç zyrtarëve të BE-së, ka luajtur edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar. Kjo ka ndikuar që Brukseli ta trajtojë SHBA-në si “partner strategjik më i afërt dhe i rëndësishëm i Bashkimit Europian”.

Ndërkohë, disa ligjvënës amerikanë i bëjnë thirrje presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken që të angazhohen për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dyfishojnë vëmendjen e SHBA për zgjidhjen e tensioneve mes dy vendeve.

The Guardian  ka vërejtur se  zhvillimet gjatë dy javëve të fundit kanë nxjerrë në pah mungesën e lidershipit ndërkombëtar për këtë çështje, veçanërisht nga BE-ja. Prandaj roli i Washingtonit në tejkalimin e kësaj situate ka ardhur edhe si rezultat i dështimeve të BE-së në imponimin e zgjidhjeve afatgjata.

Në krizën e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë u shfaq edhe Rusia. Ambasadori rus në Beograd ishte i pranishëm në afërsi të kufirit verior të Kosovës, kurse Serbia demonstroi forcë përms fluturakeve të prodhuar në Rusi.

Perendimi ende nuk e ka kuptuar se furnizimi i Serbisë me arsenal armatimi rus nuk është kërcënim vetëm për Kosovën, por edhe për pjesët tjera të Ballkanit dhe të Evropës. U desht të demostrohet në praktikë fuqia e këtij kërcënimi, për t’u  bindur se Kosova ka nevojë për një mbështetje më të madhe perendimore. Ndoshta është koha që të shqyrtohet seriozisht përfshirja e saj në NATO. Vetëm në këtë mënyrë arrihet paqja dhe stabiliteti i kësaj pjese të Evropës Juglindore, ku Kosova po paguan koston e një neglizhence të pajustifikueshme perendimore.

Kjo edhe për faktin se, siç ka thënë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, shkaku i problemeve në Ballkanin Perëndimor, Serbia nuk e pranon rendin perëndimor. Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me qasjen e tij ndaj krizës në veri të Kosovës, ka treguar se Serbia ka pranuar dhe ndjek vlerat dhe agjendën e Rusisë dhe Kinës.

Paraqitja e Njësisë special të policisë së Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak në mbështetje të reciprocitetit të aplikuar lidhur me mënyrën e përdorimit të targave të automjeteve, shënoi edhe kufirin ku mbrohen vlerat perendimore nga ndikimi rus. Kosova ka mundur të rrëshqet në një krizë edhe më të thellë sigurie, por vendosmëria për të refuzuar logjikën serbe të imponimit të arrogancës së mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës, dëshmoi se përpjekja për të mbrojtur sovranitetin e saj, Kosova po mbron edhe rendin demokratik Perendimor, i cili u vu në rrezik seriozisht nga aleanca ruso-serbe.

Në Prishtinë do të vazhdojë të kritikohet marrëveshjs e fundit për mbulimin e simboleve shtetërore në target e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo është edhe detyra e opozitës, por ajo që do të duhej të kihet parasysh është fakti se për herë të parë kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të trajtohet si adminstrativ nga Beogradi, siç është trajtuar deri më tani, por si prag që shënon derën e një shteti ku Serbia duhet patjetër të trokas. Për herë të parë Serbia duhet të heqë dorë nga arroganca e saj dhe të plotësoj kushtetet Kosovës. Për herë të parë Kosova përmes reciprocitetit të vendosur ndaj Serbisë po e konfirmon gatishmërinë kushtetuese e ligjore për të mbrojtur sovranitetin e saj në çdo cep të territorit. Gjithçka tjetër pasatj është pjesë e debatit mbi atë se a ka mundur Kosova të del më e fuqishme nga kjo situatë e tensionuar, dhe të mos pranojë largimin e Njësisë speciale nga veriu, apo të negocojë për një marëveshje kompromisi. Me këtë raport të forcave ndërkombëtare, me një BE të shpërqëndruar nga problemet e Ballkanit, me një Gjermani pa Merkelin, me një gjeopolitikë rajonale ku në sipërfaqe duken ide që e largojnë Ballkanin nga Procesi i Berlinit etj.etj. Kosova e ka pasur shumë vështirë të demonstrojë njëanshmërinë e saj në impionimin e ndonjë zgjidhjeje që do ta bënte atë më të dinjitetshme. Përkundrazi, çdo munutë e status-quos në formë të barrikadave, rrrezikonte shumë gjasat për një stabilitet afatgjatë dhe kjo nuk i ka konvenuar Kosovës. Sidomos nuk i ka konvenuar politikës së saj që përmes reciprocitetit të filluar ndaj Serbisë, ta detyrojë këtë të fundit të pranojë edhe kushtet tjera të Kosovës në dialogun e Brukselit. Kjo, mbase, do të shihet pas gjashtë muajve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera