Lajme

Bill Gates: Olimpiada e Tokios varet nga progresi që do të arrihet në vaksinim

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 29 January 2021

Themeluesi i gjigantit teknologjik Microsoft, Bill Gates, deklaroi se e ardhmja e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios, të cilat pritet të mbahen në korrik, varet nga progresi i vaksinimit kundër COVID-19.

Duke folur për agjencinë Kyodo, Gates tha se vaksinat kundër COVID-19 do të luajnë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e Lojërave Olimpike të Tokios dhe në këtë kontekst, po bëhen përpjekje për t’i përhapur vaksinat.

“Unë mendoj se duhet ta shohim progresin që do ta bëjmë në muajt e ardhshëm. Nëse gjërat shkojnë mirë, mendoj se janë ende të mundura. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, atëherë kjo do të ishte një fat i keq. Por ju e dini që ne po bëjmë më të mirën që vaksinat të miratohen dhe të arrijnë në gjithë botën”, tha Gates sipas Anadolu Agency.

-Advertisement-

Gates deklaroi se ai gjithashtu “ndihet rehat dhe me fat” që është vaksinuar dhe se më shumë njerëz do t’u drejtohen vaksinave kur të shohin përfitimet e tyre. Ai deklaroi se vaksinat do të popullarizohen në vendet e zhvilluara brenda 6-8 muajve dhe në vendet në zhvillim më vonë sesa 6-8 muaj.

Më herët, në një telefonatë me kryeministrin japonez Suga Yoshihide më 12 janar, Gates tha se mbajtja e një Olimpiade të sigurt verore do të ishte një mesazh i fortë për botën.

Siç dihet, Fondacioni Bill & Melinda Gates, i udhëhequr nga Gates dhe gruaja e tij, financon aktivitetet kërkimore dhe zhvillimore për vaksinat kundër COVID-19 dhe trajtimet me një shumë prej 1,75 miliard dollarësh.

Lidhur me pretendimet se vaksinimi do të kërkohet si kusht në Lojërat Olimpike, Kryesekretari i Kabinetit Kato Katsunobu ka thënë se po diskutojnë masat në kuadër të së cilave vaksinat nuk do të zbatohen si “parakusht”.

“Ne po shqyrtojmë masa gjithëpërfshirëse, veçanërisht skanimin e nevojshëm dhe menaxhimin e sjelljes, në mënyrë që të organizojmë një turne të sigurt ku nuk do të kërkohen vaksinat”, ka thënë ai.

Sipas një ankete të agjencisë së lajmeve Kyodo në fillim të muajit, 35,3 për qind e të anketuarve kanë thënë se Lojërat Olimpike “duhet të anulohen” dhe 44,8 për qind “duhet të shtyhen përsëri”, për shkak të trendit të vazhdueshëm të rritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19 në mbarë vendin.

Lojërat Olimpike të Tokios, të cilat ishin planifikuar më parë të mbaheshin në 24 korrik-9 gusht 2020 dhe ishin shtyrë për shkak të pandemisë, së fundmi është vendosur të zhvillohen më 23 korrik-8 gusht 2021.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera