Sllovenia lufton të frenojë rritjen e rasteve të COVID-19
Autori: Gazeta inFokus
10:52 | 23 Tetor 2020
Gati pesë muaj pasi avionët ushtarakë sllovenë dhe amerikanë fluturuan mbi Slloveni për nder të personelit mjekësor në vijën e parë, situata në këtë vend është shumë më e keqe sesa gjatë valës së parë të pandemisë.
Shkofja Loka është një qytet i vogël me pothuajse 12.000 banorë në veriperëndim të kryeqytetit, Ljubljana. Sipas statistikave zyrtare, 348 njerëz në bashki janë infektuar me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Në qendrën lokale të të verbërve, të dëmtuarve në shikim dhe të moshuarve, më shumë se 30 banorë janë infektuar. Qendra ka mungesë të madhe personeli, me dhjetë punonjës të infektuar me virusin.
Ndërsa spitalet në të gjithë vendin po arrijnë në limitet e kapacitetit të tyre, qendra në Shkofja Loka vendosi, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, të krijojnë një të ashtuquajtur “zonë të kuqe” për banorët e infektuar në një zonë pranë një palestre të një shkolle fillore.
Këtu, nën rrathët e basketbollit, stafi ngriti mure ndarëse të lëvizshme dhe vendosi shtretër në përgatitje për ardhjen e 45 banorëve. “Në fakt është një hapësirë e përshtatshme, por ato nuk e ngrohin shkollën fillore gjatë natës, kështu që na u desh të merrnim batanije shtesë për banorët natën e parë. Ne e zgjidhëm problemin menjëhere mëngjesin tjetër,” thotë Silva Koshnjek, drejtoreshë të qendrës, duke folur për televizionin publik RTV Sllovenia.
Dyfishimi i rasteve të reja
Sidoqoftë, disa të afërm nuk ishin të kënaqur për transferimin e të afërmve të tyre në palestër, e cila është e pajisur me tualete dhe dush. Koshnjek thotë: “Ne u kërkuam të afërmve të mirëkuptonin lëvizjen. Përndryshe, do të ishte më mirë që prindërit e tyre të ishin në shtëpi. Ne nuk e dimë se cila do të ishte alternativa.”
Numri i rasteve të reja me COVID-19 në Slloveni është dyfishuar brenda një jave. Të martën (13.10) opinioni publik u trondit kur mësoi se 707 raste të reja ishin regjistruar një ditë më parë. Një javë më vonë, më 20 tetor, u regjistruan 1.503 raste të reja dhe u kryen 5.891 teste. Rreth 313 vetë kishin nevojë për kujdes spitalor; 55 ishin nën kujdesin intensiv. Brenda një jave, 29 vetë ndërruan jetë.
Epidemi për herë të dytë
Më 19 tetor, qeveria sllovene shpalli një epidemi për herë të dytë sivjet, këtë herë për 30 ditë. Gjithashtu vendosi ndalim-qarkullimin nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit
Jo të gjithë ishin dakord me urdhërin dhe në orën 21:00 në mbrëmjen e parë të ndalim-qarkullimit, një grup i vogël prej rreth 50 protestuesish dolën në shesh në Maribor, qyteti i dytë i Sllovenisë, për të shprehur indinjatën e tyre. Kryeministri Janez Jansha nga partia më e madhe e koalicionit SDS ishte si gjithmonë i drejtpërdrejtë në përgjigjen e tij në Twitter: “Bëhuni serioz!”
Plani i ri i veprimit i qeverisë
Në fillim të tetorit, qeveria paraqiti një plan veprimi bazuar në kapacitetin e sistemit shëndetësor slloven, duke ndarë kriteret në numrin e infeksioneve të zbuluara çdo ditë, numrin e pacientëve në spitale dhe numrin e pacientëve në kujdes intensiv.
Aktualisht, të gjitha rajonet përveç “Obalna” (bregdeti Adriatik në qytetin Koper) janë në një “zonë të kuqe” që do të thotë se të gjitha pub-et, baret dhe restorantet janë të mbyllura, përveç atyre që shpërndajnë ushqim dhe pije. Palestrat janë gjithashtu të mbyllura dhe aktivitetet sportive janë të ndaluara për të gjithë, përveç atletëve profesionistë. Me disa përjashtime, njerëzit nuk lejohen të kalojnë nga një rajon statistikor në një tjetër përveçse kur udhëtojnë për të punuar, për të kërkuar kujdes mjekësor urgjent dhe disa përjashtime të tjera. Të njëjtat rregulla zbatohen për udhëtimet përtej kufijve kombëtarë.
Kufizimet dhe përjashtimet
Të gjitha ceremonitë fetare, dasmat dhe eventet janë ndaluar. Transporti publik ende po funksionon në përputhje me rregullat e qeverisë. Dyqanet dhe qendrat tregtare mbeten të hapura. Maskat janë të detyrueshme si brenda ashtu edhe në hapësirat publike në të gjithë vendin. Takimet në grup me maksimumi gjashtë persona lejohen me përjashtim të atyre që jetojnë në të njëjtën shtëpi.
Qeveria po i inkurajon njerëzit të punojnë nga shtëpia. Shumica e fëmijëve të shkollës po ndjekin shkollën nga shtëpia, me përjashtim të atyre në shkollat fillore deri në klasën e 5-të.
Protestë në Maribor
Sistemi shëndetësor nën vëzhgim
Pandemia e koronavirusit ka ndezur një reagim të ashpër mbi gjendjen e sistemit të kujdesit shëndetësor slloven, i cili ka qenë në gjendje të keqe për shumë vite. “Edhe në Slloveni, ne do të duhet të bëjmë diçka në lidhje me infrastrukturën e kujdesit shëndetësor,” tha Dr Vojko Flis, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore Universitare Maribor për Radio Slloveninë.
“Të gjitha spitalet tona janë në ndërtesa relativisht të vjetra. Në të njëjtën kohë, ne nuk kemi ndërtesa të përshtatshme për akomodimin e pacientëve që mund të përhapin sëmundje të rënda infektive.” Flis vijoi duke thënë, se situata duhet të adresohet midis pandemive, duke shtuar se “nëse ne vërtet bëjmë diçka është, natyrisht, një histori tjetër”.
Punonjësit e shërbimit mjekësor të mbingarkuar
Si kudo tjetër në Evropë, ka histori të përditshme të punonjësve të mbingarkuar të kujdesit shëndetësor slloven në media. Sipas projektit statistikor joqeveritar slloven “Covid Follower”, kishte 8.860 raste aktive në Slloveni që nga 20 tetori, 5-10 përqind e të cilave mendohet të jenë punonjës të kujdesit shëndetësor. Sipas Dr Flis, punonjësit vuajnë nga tensioni mendor edhe më shumë sesa lodhja fizike.
Shkalla e incidencës 14-ditore për 100.000 popullsi për Slloveninë është rritur në 423, gjë që e vendos vendin në vendin e pestë në Bashkimin Evropian. Që nga fillimi i pandemisë, 202 vetë në vend kanë vdekur nga COVID-19. /DW/

T� tjera
-
Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për Arlinda Zekajn
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, që po mbahet për rastin e vrasjes mizore...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Fjalët e saj sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për vrasjen e Arli...
-
Macron paralajmëron: E shtuna e ardhshme mbetet “ditë me rrezik të lartë” nga protestat
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të hënën se e shtuna e ardhsh...
-
Gjyqtari e lejoi dhunuesin të jetojë në një shtëpi me viktimën, ia ndaloi t’i afrohej në distancë dy metrash në shtëpinë ku jetonin
Migjen Kastrati, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Pejë, kishte marrë një vendi...
-
Prokuroria në Pejë: Janë iniciuar hetime ndaj zyrtarëve të përmendur në parashtresën e Arlinda Zekajt
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, bën të ditur se, j...
-
Presidentja ua përcjell kryeparlamentares dhe deputetëve vendimin për kthimin e Ligjit të Speciales në Kuvend
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ia ka kthyer Kuvendit për rishqy...
-
Njeriu i tij rrëfen momentin kur Vuçiq mori vesh se kishte humbur zgjedhjet në Serbi
Presidenti i Partisë Progresive Serbe, Milosh Vuçeviq, ka komentuar humbjen z...
-
“Jepni dorëheqje”, Çitaku: Si Arlinda, edhe unë uroj që të mos mund të flini më natën!
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për së ...
-
Thellohet rasti i vràsjes së Arlinda Zekajt: Gjykata e Pejës thotë se tek sot pranuan aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish-bashkëshortit të saj
Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se këtë të hënë (26 tetor), e ka pranua...
-
Hoti dhe 14 deputetë opozitarë i kërkojnë Presidentes të mos e dekretojë Bashkim Nurbojën në Bordin e BQK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë të di...
-
Rasti në Pejë, Sadiku kërkon dorëheqjen e Sveçlës
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të Punëve ...
-
Rashiq: Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe duhet të largohet nga politika
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e ka mirëpritur fitoren e Li...




































