Lajme

Kush janë kërcënuesit e gjykatësve të Kushtetueses?

Autori: Gazeta inFokus 10:57 | 22 May 2020

Gjykata Kushtetuese e ka dënuar diskursin publik të krerëve të shtetit, ku në një reagim për media, Kushtetuesja ka përmendur presidentin dhe kryeministrin në detyrë për paragjykim në vendimmarrjen e saj duke shtuar se nuk iu nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve.

“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, thuhej në reagim.

Lidhur me këtë, avokati Gent Gjini, ka thënë për gazetën “Bota sot” se pushtetin gjyqësor e kemi të kapur dhe po tentohet të ndikohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.

-Advertisement-

“Fatkeqësisht në shoqërinë tonë, përkundër faktit se pushteti gjyqësor është i ndarë nga pushtetet tjera, pushteti gjyqësor që njëkohësisht konsiderohet edhe si themel i shtetit, ku vendoset rendi dhe drejtësia shoqërore, me plot gojë mund të themi se pushtetin gjyqësor e kemi të kapur, të kontrolluar e që normalisht presionet dhe diktatet, janë më pastaj dukuri normale se këto. Pra tani me presionet, ndikimet tentohet të bëhet edhe në vet Gjykatën Kushtetuese, si autoritetin përfundimtar që vendos drejtësi ne si atë për qytetarët dhe të spektrit politik, në mënyrë më të përmbyllur dhe të pakontestuar. Të pakontestuar e them, pasi që shteti i Kosovës ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, që çështjet të mund të kaloheshin më pastaj për shqyrtim, në Gjykatën e Strasburgut”, është shprehur ai.

Sipas Gjinit, është absurde nëse Gjykata nuk i bën publik emrat dhe ata persona të vihen para drejtësisë.

“Duke ditur praktikën dhe zakonin e ndërhyrjeve në pushtetin gjyqësor, nga klanet, politika dhe individët përkatësisht në rastet konkrete gjyqësore, për mua si avokat është absurde se përse atëherë Gjykata Kushtetuese, nuk i bën publike emrat, dhe te i aktivizon mekanizmat parandaluese, me anë të Prokurorisë së që të hetohen, dhe të vihen përpara përgjegjësisë penale individët të tillë. Pra vet Gjykata Kushtetuese, si autoritetin që i njeh dhe i interpreton të gjitha ligjet në Kosovë, duhet ta dijë se kodi penal ka paraparës sanksione penale, për persona që tentojnë të ndikojnë në procedura gjyqësore, atëherë përse ajo nuk i paraqet këto raste. Ku veç tjerash Gjykata Kushtetuese, me veprime të tilla denoncuese ajo do e mbron dhe dinjitetin, imazhin e Gjykatës Kushtetuese, e mbi të gjitha do të shpërfaq para qytetarëve besimin në këtë institucion si gardianin e vetëm të drejtësisë, e jo që të i lë këto gjëra si të mjegullta dhe pothuajse për çdo ditë të del me deklarata ditore rutinore”, ka theksuar ai.

Avokati thotë se po të shfaqeshin emrat do të krijohet edhe kultura që në të ardhmen rastet të paraqiten në prokurori dhe të mos ketë ndërhyrje në të ardhmen.

“Sepse në anën tjetër mendoj se po të shpërfaqeshin emrat e personave, individëve, klaneve për ndikimet në gjyqësi tek ne do krijohej edhe kultura vetëdijesuese në te ardhmen, si ajo e paraqitjes së rasteve në prokurori por edhe vetëdijes parandaluese dhe preventivës nga të tjerët për të mos ndërhyrë në të ardhmen në rastet gjyqësore. Pra, në fakt kjo edhe është qëllimi i vet dënimit penal, në vetëdijesimin shoqëror, dhe parandalues të elementeve kriminale”, ka vlerësuar ai.

Sa i përket vendimit të Gjykatës, Gjini mendon se ajo të do të vendosë për shkuarjen në zgjedhje, si zgjidhja më e pranuar.

“Tani sa i përket temës, se ccfarë vendimi mund të marrë Gjykata Kushtetuese, mendoj se ajo do ta hap rrugën, që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Si zgjidhja më e pranuar dhe ideale për te evituar, dhe parandaluar problemet dhe ndasitë e mëdha në shoqërore, ku vendi sikur më parë ka nevojë për rimëkëmbje ekonomike, politike, dhe të instalimit sa më parë të procesit të Vetingut, edhe për ata akterë që i kanë kontribuar kësaj drejtësie si korruptive klanore dhe nepotike, tanimë që kanë dalë në pension të vihen përballë përgjegjësisë ligjore dhe penale”, ka deklaruar Gent Gjini për “Bota sot”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Zbritje dhe plot 5 dhurata – Oferta spektakulare e dyshekëve Comodita
-Advertisement-

Të tjera