Lajme

88 lumenj në Ballkanin Perëndimor propozohen si zona të mbrojtura natyrore “Emerald”

Autori: Gazeta inFokus 21:15 | 15 February 2023

Një grup shkencëtarësh dhe organizatash jo-qeveritare mjedisore nga 11 shtete publikuan një listë me 88 lumenj dhe pasuri natyrore nga Ballkani Perëndimor që ata i konsiderojnë me prioritet të lartë për t’u mbrojtur, duke u kërkuar vendeve nënshkruese të Konventës së Bernës të zgjerojnë Rrjetin “Emerald” në rajon.

Rrjeti “Emerald” është themeluar nga Këshilli i Evropës në vitin 1989, sipas Konventës për Ruajtjen e Jetës së Egër Evropiane dhe Habitateve Natyrore (Konventa e Bernës) dhe përbëhet nga zona me interes të veçantë për të ruajtur florën dhe faunën e egër në habitatet e tyre natyrore.

Shqipëria e ka ratifikuar Konventën e Bernës në Janar te vitit 1999 dhe është pjesë e saj së bashku me 46 vendet anëtare të Këshillit të Europës.

-Advertisement-

Propozim i ri i shkencëtarëve dhe organizatave mjedisore përfshin 15 zona natyrore dhe lumenj në Shqipëri: “Vjosa”, “Shumbin”, “Seman”, “Erzen”, “Pavllo”, “Drini i Zi”, “Mat”, “Buna”, “Cem”, Parkun Kombëtar të Butrintit, Liqenin e Shkodrës, Karavastanë, Alpet, zonën natyrore Shëngjin -Ishëm dhe Moravën.

Si nënshkruese të Konventës së Bernës, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia filluan krijimin e Rrjetit Emerald në vitin 2011, kur propozuan një numër të vogël zonash natyrore, por shumë nga lumenjte mahnitës të rajonit janë lënë të pambrojtur dhe kjo synohet të përmirësohet përmes prozimit të ri.

“Lumenjtë në Ballkan janë ndër ekosistemet më të kërcënuara dhe është me mjfat vlerë që ato të përfshihen në një rrjet të mbrojtur ligjërisht”, i tha Zërit të Amerikës Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i “EcoAlbania”, e cila u përfshi nga Shqipëria në rrjetin e organizatave që paraqitën kërkesën.

Ndërsa Aleksandër Trajçe, Drejtori Ekzekutiv i organizatës tjetër shqiptare “PPNEA që u përfshi në propozim tha se “kërkesa për përfshirjen e këtyre lumenjve në rrjetin “Emerald” është një hap i madh në drejtimin e duhur për garantimin e mbrojtjes afatgjatë dhe ruajtjen e biodiversitetit të paçmuar të këtyre zonave natyrore ”.

Lista e lumenjve të publikuar në propozimin e shkencëtarëve dhe organizatave mjedisore u përpilua gjatë një aktiviteti ndërkombëtar dhjetorin e vitit të shkuar ku pjesëmarrësit paraqitën edhe të dhëna shkencore për speciet dhe habitatet e peshqve për të mbështetur zgjerimin e rrjetit “Emerald” në vendet e Ballkanit Perëndimor./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera