Ekonomi

11 komuna pa buxhet, Burjani: Interesi personal dhe inatet politike po dominojnë, rreziku për qytetarët është evident

Autori: Samire Jaha 12:55 | 23 October 2025

Në Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë procesi i miratimit të buxheteve komunale për vitin fiskal ende nuk është finalizuar, shkruan Gazeta Infokus.

Kjo situatë e krijuar në 11 Komunat e Kosovës po cilësohet tejet shqetësuese dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Analisti, Blerim Burjani ka thënë për Infokus se gjendja aktuale nuk kërkon më përshkrim të problemit, por zgjidhje urgjente.

-Advertisement-

Sipas tij, vonesat dhe mos koordinimi mes institucioneve janë pasojë e qartë e interesave politike.

“Shumë keq, gjendje që nuk kërkon përshkrim të problemit, por zgjidhje. Pra, kjo është politikë e dëmshme dhe mund të ketë prapavijë politike. VV edhe ashtu ka pasur pak komuna që ka udhëhequr para katër vjetëve” ka deklaruar ai për Infokus.

Sipas analistit, në vend që të ketë bashkëpunim institucional, po shfaqen inate politike dhe kalkulime partiake që po pengojnë procesin e miratimit të buxheteve komunale.

“Nuk mund të ketë lojëra dhe prapaskena politike në dëm të qytetarëve, apo inate të pakuptimta. Unë mendoj se buxheti nuk ka lojë e as politikë, pra duhet të ketë seriozitet. Nëse ka edhe çështje tjera të pazgjidhura, atëherë këto çështje duhet të zgjidhen me koordinim, por jo të mbeten projektet komunale të pazgjidhura”, shtoi ai.

Burjani tha se kjo situatë nuk është e re, por një përsëritje e praktikave të mëparshme, duke theksuar se qeveria qendrore po e injoron nivelin lokal, gjë që po krijon tensione dhe pakënaqësi.
“Sipas të gjitha gjasave, prapa do të përsëritet rezultati i dobët i VV-së në zgjedhjet komunale. Pra, do të vazhdojë një politikë injoruese e qendrës ndaj lokalitetit, pra qeveri–komuna. Tash pakënaqësia është e madhe ndaj VV-së për humbjet në garën për pushtet lokal. Prapë rezultati do të jetë i pafavorshëm për VV-në në garën komunale”, deklaroi Burjani për Infokus.

Sipas tij, periudha zgjedhore ka krijuar një vakum institucional, ku prioritetet e partive janë zhvendosur nga qytetari te pazaret politike dhe lufta për pushtet lokal.

“Nuk ishte dashur të ketë as kalkulime, as të mbetet peng buxheti, i cili lidhet drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve. Tash në këtë periudhë as që merren me këtë punë, derisa nuk e shohin rezultatin final kush sa ka fituar. Njëherë ka tensione, apo kanë filluar të tensionohen raportet. Koalicione të çuditshme po bëhen, madje edhe pa përkrahje të kryesisë së partive. Interesi personal po dominon, madje disa parti as që po e pyesin shefin e partisë për këto çështje. Pra, interesi personal është i madh, krahasuar madje edhe me degët e partive. Disa kryetarë të partive në nivel lokal po sillen si shefa të partisë. Kjo ka bërë që të përmenden masa nga kryesia e partisë për disa kandidatë të partisë së tyre në këtë nivel të zgjedhjeve”, tha ai.

Ai paralajmëroi se vonesat në miratimin e buxheteve do të prekin drejtpërdrejt qytetarët, pasi komunat nuk do të kenë mundësi të zbatojnë projekte kapitale dhe shërbime publike.

“Fatkeqësisht, ky është mesazhi. Po merren me veten, por jo me qytetarin. Vonesa do të ketë, e thashë – derisa të shohin rezultatin e tyre se si po përfundon në këto zgjedhje. Njëherë fokusimi është tek interesi i partive, ai personal dhe partiak. Kjo është e papranueshme për qytetarët. Nuk është rastësi që ka rënë niveli i interesimit për këto zgjedhje, por do të ketë rënie edhe për nivelin nacional nëse vijnë. Kjo duket jo e arsyeshme, por e drejtë deri në formimin e pushteteve lokale, që duket të jetë e vetmja mundësi reale dhe logjike. Por sa do të jetë dëmi për qytetarët që presin shërbime të kryhen? Ata nuk merren me këto tema – atyre u intereson që të merren me ta për problemet që kërkojnë zgjidhje imediate”, ka potencuar Burjani.

Në fund, ai u bëri thirrje partive që të shmangin vonesat politike dhe të respektojnë ligjin, në mënyrë që buxhetet komunale të miratohen sa më shpejt.

“Rreziku është evident. Nuk besoj se duhet të ketë vonesa në formimin e institucioneve lokale. Nuk ka as nevojë. Pra, duhet të ketë efikasitet në bërjen e koalicioneve, disa prej tyre tashmë po bëhen. Nëse partitë në balotazh bëjnë shumicën e koalicioneve, besoj se nuk do të vonohet konstituimi i institucioneve lokale. Kjo politikë e vonesave si në nivelin qendror nuk duhet legalizuar dhe për të ecë ngadalë e pa interesimin e duhur”, përfundoi Burjani, për Infokus.

Kjo situatë është reflektim i rrethanave të jashtëzakonshme, pasi vendi është në proces zgjedhor, ndërsa më 09 nëntor mbahet edhe balotazhi në disa komuna, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procesin e miratimit të buxheteve.

Nëse buxhetet komunale nuk miratohen para buxhetit të shtetit, komunat do të kufizohen në financim të përkohshëm prej 1/12 të buxhetit të vitit paraprak.

Për këtë arsye, Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit, që buxhetet të miratohen pas konstituimit të organeve të reja komunale.

Sipas drejtorit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, mosmiratimi me kohë i buxheteve komunale ndikon direkt në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e komunave./Gazeta Infokus/

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy