Fokus

ZRRE nuk e përfillë vendimin e Gjykatës Themelore për tarifat e reja të energjisë elektrike

Autori: Samire Jaha 10:33 | 19 April 2022

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, nuk e ka ndërmend ta pranoj vendimin e Gjykatës Themelore për pezullimin e tarifave të reja, që ngritën çmimin e energjisë elektrike, shkruan Gazeta Infokus.

Në një përgjigje për Gazetën Infokus, ZRRE ka bërë të ditur se do të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“ZRRE-ja, mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006), do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2  të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën Infokus.

-Advertisement-

Tutje është bërë e ditur se kjo çështje e ankesës do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit e ku aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë e ku praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm.

“Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se: “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Për këtë arsye nga ZRRE kanë thënë se gjykata ende nuk e ka specifikuar nëse ankesa në aktvendim e nxjerrë, e ndalë apo e shtynë ekzekutimin e vendimit për tarifat e reja.

“Në Këshillën Juridike, përveç se gjykata e shkallës së parë ka përcaktuar afatin 15 ditorë të ankesës, në përputhje me pikën 2 të Nenit 49 të Ligjit për Konfliktet Administrative , gjykata nuk ka specifikuar nëse Ankesa në aktvendimin e nxjerrë e ndal apo e shtynë ekzekutimin e aktit të kontestuar, përkatësisht Vendimin e Tarifave. Kjo për faktin se Neni 66 i të njëjtit ligj mbi të cilin është nxjerr vendimi thotë se Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen kur të bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, kanë thënë nga ZRRE-ja.

Krejt në fund kanë thënë se deri sa vendimi do të bëhet  i plotfuqishëm, vendimi i tarifave të shtrenjta do të mbetën në fuqi.

“Në këtë kuptim, ne besojmë se ky Vendim bëhet i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, atëherë kur vendoset në shkallën e dytë, dhe deri në vendimin e shkallës së dytë akti i kontestuar, përkatësisht Vendimi i Tarifave mbetet në fuqi”, deklaruan nga ZRRE.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Një vendim i tillë ka ardhur pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative në konfliktin administrativ të paditëses-propozueses Partia Demokratike e Kosovës kundër të paditurës-kundërpropozueses ZRRE me seli në Prishtinë, për shkak të anulimit të vendimit Nr.077/22 të datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 me propozim për shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, jashtë seancës me datë 08.04.2022 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses-propozueses PDK-së. Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022, i publikuar me datë 16.02.2022 të paditurës ZRRE me seli në Prishtinë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”, thuhet në njoftim e Gjykatës.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës në mars kishte parashtruar Padi kundër Vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Në njoftimin e PDK-së thuhej se “vendimi i ZRrE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit”.

“ZRrE, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit”, kishte njoftuar PDK.

“Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për të paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, vjen pasi Grupi Parlamentar ka parashtruar edhe kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar, në të cilin do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë, veçanërisht në muajt e krizës energjetike në të cilën u keqpërdorën dhjetëra miliona euro, pa plan, pa strategji, pa transparencë dhe në mënyrë të kundërligjshme”, thuhej në njoftim. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin
-Advertisement-

Të tjera