Lajme

Zhvillimi i fundit nga senaca e gjykimit për vjedhjen e 2 milionë eurove të Thesarit

Autori: Gazeta inFokus 11:13 | 30 May 2022

Për shkak të mungesës së gjykatëses Shadije Gërguri, është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të hënën, në rastin ku Labinot Gruda dhe Kadri Shala akuzohen për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit.Gjyqtari Arben Hoti njoftoi se gjyqtarja Gërguri mungon për shkak të një urgjence, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty, ndërsa ajo e radhës u caktua më 13 qershor 2022.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

-Advertisement-

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ekskluzive: Skema e vjedhjes së 2 milionë eurove, të përfshirë njerëz të lidhur me politikën dhe biznese

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera