Lajme

Vërshimet në vend, Kurti: Qeveria do t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, krahas vlerësimeve të dëmeve duhet dhe rivlerësim i sjelljes karshi mjedisit

Autori: Gazeta inFokus 11:11 | 25 January 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se ndihma për komunat e prekura nga vërshimet nuk do të mungojë për asnjë moment, por sipas tij, krahas vlerësimeve të dëmeve duhet të bëhet dhe rivlerësim i sjelljes karshi mjedisit dhe natyrës.

Kurti para kabinetit qeveritar tha se preokupimi kryesor i vendit ditëve të fundit ishin vërshimet, ndërsa nga vizitat në terren kanë parë nga afër forcën shkatërruese të tyre.

“Dëmet janë të mëdha, ndërsa rreziku nuk ka kaluar i tëri. Reagimi i  institucioneve shtetërore ka qenë i shpejt, solidaritet i madh dhe për fat të mirë pasojat ishin vetëm materiale…”, tha Kurti, duke treguar për veprimet që kanë ndërmarrë gjatë këtyre ditëve në terren.

-Advertisement-

Por, sipas tij, teksa po punojnë për të sanuar dëmet e shkaktuara, përveçse me pasojën, duhet të merren edhe me shkaktarët e vërshimeve.

“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve dhe mungesa e pyllëzimit, sistemet joadekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës dhe ndryshime klimatike padyshim që i kanë lehtësuar, shpeshtuar e shpejtuar përmbushjet në vendbanimet tona”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivit të vendit më tej tha se krahas vlerësimeve të dëmeve duhet të bëhet edhe rivlerësim i sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës dhe në të njëjtën kohë të përmirësohet edhe reagimi për parandalimin e vërshimeve.

“Duhet edhe hetim edhe për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. Nuk mjafton vetëm rimëkëmbja nëse nuk nxjerrim mësime…. Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura do t’iu qëndrojmë pranë përherë. Ndihma nga qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva bashkë do të ngritën”, tha ndër të tjera kryeministri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera