Lajme

Trump premton nga pesë mijë dollarë për çdo amerikan nëse republikanët fitojnë zgjedhjet

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 10 September 2026

Presidenti amerikan Donald Trump premtoi të mërkurën nga pesë mijë dollarë për çdo qytetar të rritur amerikan.

Por, për këtë, ai ka një kusht. E ai është fitorja e domosdoshme e republikanëve në zgjedhjet e ardhshme “parlamentare” dhe ruajtja nga ana e tyre e kontrollit në Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, që janë dy dhoma të Kuvendit të Amerikës, i njohur ndryshe si Kongresi.

Premtimi vjen në përpjekje për të përmirësuar pozicionin e partisë së tij para zgjedhjeve të nëntorit.

-Advertisement-

“Nëse fitojnë republikanët, fitoni edhe ju me ne dhe merrni pesë mijë dollarë”, tha Trump në Dallas, raporton AP, transmeton KosovaPress.

Ai njoftoi se pagesa do të quhet “Dividenda Trump” ndërsa e krahasoi atë me shpërndarjen e fitimeve që kompanitë ua bëjnë aksionarëve.

Sipas Associated Press, realizimi i premtimit mund të kushtojë mbi një trilion dollarë dhe kërkon miratimin e Kongresit.

Ajo, po ashtu, mund të shtojë edhe shqetësimet për rritjen e inflacionit.

Nënpresidenti JD Vance sugjeroi më vonë se pagesat mund të mos përfshijnë amerikanët e pasur.

Ai tha se paratë mund të sigurohen nga të ardhurat e tarifave doganore amerikane.

Megjithatë, vlera e pagesave të premtuara tejkalon ndjeshëm të ardhurat e mbledhura nga tarifat.

Shtëpia e Bardhë nuk dha hollësi për mënyrën e financimit apo zbatimit të propozimit, shkruan AP.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy