Lajme

LDK dega në Deçan: Kryetari Ramosaj të tërhiqet nga propozimi për rritjen e tarifave të mbeturinave, mos e rëndoni buxhetin e qytetarëve

Autori: Gazeta inFokus 14:48 | 12 November 2026

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Deçan, ka kërkuar nga kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, që të tërhiqet nga propozimi për rritjen e tarifave të mbeturinave, duke vlerësuar se një vendim i tillë do të rëndonte drejtpërdrejt buxhetin e qytetarëve, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një letre drejtuar pushtetit lokal, grupi i asambleistëve të LDK-së ka kërkuar që propozimi për rritjen e faturave të mbeturinave të mos procedohet për miratim në Kuvendin Komunal.

Sipas tyre, shifra e saktë e rritjes nuk u është bërë e ditur gjatë seancës së shqyrtimit të parë të Rregullores, pavarësisht kërkesave të tyre, ndërsa për këtë propozim kanë marrë vesh përmes deklarimeve të kryetarit Ramosaj në media.

-Advertisement-

“Rritja e tarifës rëndon drejtpërdrejt buxhetin e qytetarëve deçanas dhe ua vështirëson edhe më shumë jetën. Për këtë rritje kemi marrë vesh nga deklarimet e Kryetarit Ramosaj në media, pasi shifra e saktë nuk na është bërë e ditur gjatë seancës së shqyrtimit të parë të Rregullores, pavarësisht insistimit tonë.”

LDK dega në Deçan ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen e ndërmarrjes publike “Higjiena”, duke kërkuar që fillimisht në Kuvendin Komunal të diskutohet për problemet me të cilat përballet kjo ndërmarrje dhe të përcaktohen përgjegjësitë për gjendjen aktuale të saj.

“Ndërmarrja “Higjiena” është aset i Komunës. Si subjekt politik, ne e kemi përkrahur themelimin e saj vite më parë, por sot ndërmarrja nuk është në gjendje të mirë. Prandaj, në Kuvendin Komunal të Deçanit fillimisht duhet të diskutojmë për problemet me të cilat përballet, si dhe të përcaktojmë qartë përgjegjësitë për gjendjen në të cilën ndodhet ndërmarrja.”

Po ashtu, kjo parti ka kërkuar që në rendin e ditës të seancës së muajit nëntor të përfshihen edhe dy çështje të tjera: problemet me furnizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Deçanit dhe gjendja e institucionit të Qendrës për Punë Sociale.

Në reagimin e saj, LDK i ka bërë thirrje kryetarit Bashkim Ramosaj dhe kryesuesit të Kuvendit, Sutaj, që të marrin masat e nevojshme për transmetimin publik të seancës së radhës.

“LDK poashtu përmes propozimeve me shkrim ka kërkuar që në seancën e muajit Nëntor të diskutohet edhe për dy pika të tjera: 1.„Diskutim për problemet me furnizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Deçanit 2.„Diskutim mbi gjendjen e institucionit të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Deçanit. LDK pret që këto propozime të futen në rendin e ditës pa hezitim, në mënyrë që Kuvendi Komunal të ketë rastin të diskutojë për këto tema më rëndësi të madhe për jetën e qytetarëve.LDK poashtu i bën thirrje Kryetarit Ramosaj, Kryesuesit Sutaj të marrin gjitha masat që seanca e radhës të ketë transmetim publik, në mënyrë që qytetarët e Deçanit ta dijnë së qfarë po diskutohet dhe qfarë vendime po merren në organin më të lartë komunal.”

Sipas LDK-së, transmetimi do t’u mundësonte qytetarëve të Deçanit të jenë të informuar për diskutimet dhe vendimet që merren në Kuvendin Komunal.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy