Lajme

Tri bizneset që i fshehu Martin Berishaj

Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 17 August 2022

Martin Berishaj është denoncuar penalisht nga Agjencia Kundër-Korrupsionit për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

Lënda e tij i është përcjellë Prokurorisë së Shtetit më 5 gusht, 2022.

Ambasadori i Kosovës në Zagreb, nuk e ka deklaruar pronësinë e tij mbi tri kompani private, në deklarimin e obligueshëm të pasurisë së tij pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion.

-Advertisement-

Në formularin e pasurisë pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion (AKK), ambasadori Berishaj e ka fshehur edhe pronësinë e tij mbi “MB Consulting”, kompaninë private në Mal të Zi, e cila është përfshirë në transfertat e dyshimta të parave tek një politikan slloven.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, ambasadori Berishaj ka fshehur aksionet të cilat i posedon edhe në dy kompanitë në Kosovë: Myloja LLC dhe Zaslon Kosova.

Megjithatë, në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, shefi i Misionit Diplomatik të Kosovës në Zagreb ka deklaruar një shtëpi, një banesë dhe një parcelë tokë në emër të tij. Po ashtu, ka deklaruar një veturë të vlefshme 15 mijë euro.

Ambasadori Berishaj u përfshi në një skandal financiar të cilin e zbuloi Planet TV, një medium slloven, në fund të muajit prill të këtij viti.

Ai dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Afera e dyshimtë për shpërlarje parash është zbuluar dhe transmetuar nga televizioni Planet TV. Hulumtimi bazohet në dokumente.

Ambasadori Berishaj dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës mes një kompanie serbe dhe politikanit slloven, Robert Golub. Në mes tyre, sipas hulumtimit të televizionit slloven, ndodhen 600 mijë euro të dyshimta.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar në prill, zbulon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Paparaci, ka raportuar disa muaj më parë për bizneset e regjistruara të Martin Berishajt në Kosovë.

Ambasadori Berishaj figuron bashkë-aksionar me afaristin slloven, Janez Banivuk në kompaninë “Myloja L.L.C”, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë në vitin 2008.

Kompania, e cila ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit monetar dhe lizingut financiar, është e vendosur në lagjen Hajvali të Prishtinës, raporton Paparaci, bazuar në të dhënat publike pranë ARBK-së.

Bashkë-aksionar në kompani figuron edhe Anton Çerne, një tjetër biznesmen slloven, ish-anëtar i Bordit të Lotarisë Sportive në Slloveni.

Po ashtu, ai posedon aksione edhe në kompaninë “Zaslon Kosova” LLC. Kjo kompani ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit të shitjeve të produkteve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera