Sport

Superkupë rekordesh për Ancelottin dhe Benzema, sulmuesi francez synon “rrëzimin e Ronaldos nga froni”

Autori: Gazeta inFokus 10:54 | 11 August 2022

David Alaba në pjesën e parë dhe Karim Benzema në të dytën vulosën suksesin e Realit të Madridit në Superkupën e Europës ndaj Eintracht Frankfurt, duke bërë që Los Blancos ta nisin sezonin me një tjetër trofe.

Ka arsye për të festuar edhe Carlo Ancelotti, që ka fituar kështu trofeun e 23-të në karrierë, duke u afruar edhe më shumë me treshen kryesuese Mourinho (26), Guardiola (31), Lucescu (33).

Por nuk mbaron me kaq, sepse pasi u bë i pari trajner që fiton titullin kampion në të 5 ligat më të forta evropiane (Itali, Spanjë, Angli, Francë e Gjermani) dhe i pari që fiton 4 herë Ligën e kampionëve, Ancelotti bëhet i pari trajner që fiton po 4 herë edhe Superkupën e UEFA-s.

-Advertisement-

Statistikave nuk u gëzohet vetëm Carlo Ancelotti, por edhe heroi i skuadrës në fushë, sulmuesi francez Karim Benzema, që ka shënuar mbrëmjen e djeshme golin e 324-t me fanellën e Realit të Madridit, duke parakaluar kështu legjendën Raul Gonzales, që u ndal në kuotën e 323 golave.

Tani më shumë se Benzema me fanellën e Realit ,ka shënuar vetëm Cristiano Ronaldo, që numëron 451 gola, shifër kjo që do ta motivojë jo pak sulmuesin francez në vitet e mbetura të karrierës.

Nga ana tjetër, tifozëve të Realit u mbetet vetëm të admirojnë një skuadër që pasi mbylli sezonin e kaluar me triumfin në kampionat e Champions, nisi të riun me një tjetër trofe, duke konfirmuar se nuk i mungon as uria e as forca për të fituar sërish .

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera