Fokus

“SUPER PUNËTORJA” e AKP-së, mban njëkohësisht 5 vende të punës

Autori: H. Smajli 14:49 | 04 July 2022

Një jetë luksoze me shtëpi, villa, apartamente e diamante. Gazeta Infokus raportoi për jetën e pasur që bën, anëtarja e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Violeta Arifi – Krasniqi.

Mirëpo nuk përfundon me kaq. Ajo përveç punës në këtë institucion ku paguhet hiq më pak se mbi 7 mijë euro në vit, mban njëkohësisht edhe katër vende të tjera të punës.

Sipas raportit të deklarimit të pasurisë, Arifi – Krasniqi së bashku me postin në AKP, mban 5 vende të punës.

-Advertisement-

Për herë të parë ajo u bë pjesë e bordit të AKP-së në muajin gusht të vitit 2021. Kurse konsulente në Shkollën e Frankfurtit të Financave dhe Menaxhmentit, është njëri nga postet që ajo e mban qysh nga viti 2020, edhe para se të bëhej pjesë e Bordit të AKP-së.

Ndërsa deri në muajin e tetë të vitit 2021 ajo ishte Anëtare e Bordit Drejtues në Bankën për Biznes, e pas kësaj date ajo mban vetëm postin e konsulentes në po këtë bankë.

Violeta Arifi – Krasniqi është po ashtu edhe kryetare e Këshillit të Prindërve në shkollën “Mileniumi i Tretë” . Njëkohësisht ajo punon edhe si kontraktuese e pavarur në kompaninë “Metrica INC”.

Drejtoresha e AKP-së është edhe anëtarja më e pasur e këtij institucioni.

Përveç, shtëpive e tokave, ajo ka deklaruar para të gatshme në banka vendore e ndërkombëtare.

Por, ajo që bie në sy në deklarimin e pasurisë së  Violeta Arifi-Krasniqit, janë stolitë prej ari e me diamante të cilat arrijnë vlerën e 12 mijë e 240 euro.

Në kuadër të pasurisë së luajtshme, ajo ka deklaruar një unazë ari 18 karatë me diamant një karat e cila ka vlerën e 3 mijë e 944 euro.

Gjithashtu, sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Violeta Arifi-Krasniqi, ka deklaruar byzylyk të arit të bardhë, po ashtu me 18 karatë dhe me diamant një karat, e që kushton 3 mijë e 162 euro.

Mirëpo, pasuria e saj me stoli prej ari nuk mbaron me kaq. Anëtarja e Bordit të AKP-së ka deklaruar një qafore ari 9 karat e me diamant një karat dhe vathë të arit të bardhë 18 karatë me diamant një karat, që të dyja së bashku kanë vlerën e 5 mijë e 134 eurosh./Gazeta Infokus/

Milionerët e Bordit të AKP-së me nga 3 e deri në 5 paga, unaza, byzylykë, vathë me 18 karat e diamante, kjo është pasuria e tyre

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera