Fokus

Milionerët e Bordit të AKP-së me nga 3 e deri në 5 paga, unaza, byzylykë, vathë me 18 karat e diamante, kjo është pasuria e tyre

Autori: Elvira Haxhiu 16:26 | 02 July 2022

Dikur Albin Kurti, sa ishte në opozitë kërkonte me ngulm zhbërjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke arsyetuar se kjo agjenci është kryesorja që ka bërë degradimin e pronës publike në dobi të personave të politikës dhe oligarkëve të biznesit.

Në gusht të vitit 2021, Kurti në cilësinë e kryeministrit paralajmëroi sërish se do ta shuaj AKP-në, pasi që aty është vjedhur e privatizuar gabimisht.

“Me AKP dhe ARKEP ne u dalim zot premtimeve tona për qytetarët. 50.28 për qind kanë votuar për fitoren tone, një fitore e paparë për Kosovën e pasluftës dhe kemi thënë që AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet, por që të shuhet AKP është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet Bordi se ka vjedhur shumë, e ne nuk do t’i lejojmë”, pati thënë Kurti asokohe në Kuvend.

-Advertisement-

Edhe pse pati thënë se do ta shuaj bordin fillimisht e pastaj edhe AKP-në, në vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bordin e ri të kësaj agjencie dhe kryesuesin e saj, raporton Gazeta Infokus

Me 60 vota për dhe një abstenim, legjislativi zgjodhi Bordin e ri të AKP-së.

Nazmi Mikullovci është votuar si kryesues i AKP-së, ndërsa anëtarë të bordit janë emëruar Suzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi-Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muçolli dhe Avni Ajdini.

Por sa do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës pagat e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit?

Sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsion, kryesuesi i këtij bordi, Nazmi Mikullovci merr 15 mijë e 350 euro në vit nga AKP-ja.

Më shumë se kryesuesi, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë paga e anëtarit Avni Ajdini, i cili ka deklaruar se nga AKP-ja merr 21 mijë e 772 euro si të hyra vjetore.

Kurse, zëvendës kryesuesja e Bordit të AKP-së, Syzana Dautaj-Surdulli merr 11 mijë e 670 euro në vit nga shteti.

Anëtari tjetër i bordit të drejtorëve, Mentor Hyseni, si të hyra vjetore sipas AKK-së merr 10 mijë e 608 euro honorar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Ndërsa kolegu i tij, Halim Muçolli merr 384 euro më pak honorar nga AKP-ja si të hyra vjetore, konkretisht ai merr 10 mijë e 224 euro në vit nga shteti.

Sipas raportit për deklarimin e pasurisë, paga e anëtares së Bordit të AKP-së, Violeta Arifi-Krasniqit, do t’i kushtojë buxhetit 7 mijë e 804 euro në vit.

Ndërkaq, anëtarët Vjollca Jashari dhe Xhevdet Neziraj, kanë deklaruar se marrin nga 1 mijë e 723 euro në muaj nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Por, krahas pagave të majme, sa pasuri kanë deklaruar anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve të AKP-së?

Sipas raportit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, më e pasura nga anëtarët e këtij bordi po del të jetë, Violeta Arifi-Krasniqi.

Përveç, shtëpive e tokave, ajo ka deklaruar para të gatshme në banka vendore e ndërkombëtare.

Por, ajo që bie në sy në deklarimin e pasurisë të Arifi-Krasniqit, janë stolitë prej ari e me diamante të cilat arrijnë vlerën e 12 mijë e 240 euro.

Në kuadër të pasurisë së luajtshme, ajo ka deklaruar një unazë ari 18 karatë me diamant një karat e cila ka vlerën e 3 mijë e 944 euro.

Gjithashtu, sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Violeta Arifi-Krasniqi, ka deklaruar byzylyk të arit të bardhë, po ashtu me 18 karatë dhe me diamant një karat, e që kushton 3 mijë
e 162 euro.

Mirëpo, pasuria e saj me stoli prej ari nuk mbaron me kaq. Anëtarja e Bordit të AKP-së ka deklaruar një qafore ari 9 karat e me diamant një karat dhe vathë të arit të bardhë 18 karatë me
diamant një karat, që të dyja së bashku kanë vlerën e 5 mijë e 134 eurosh.

Në kuadër të pasurisë së paluajtshme, Arifi-Krasniqi ka deklaruar një shtëpi me 4.91 ari tokë me sipërfaqe të përgjithshme prej 240 m2, e cila ka vlerë 240 mijë euro.

Në pronësinë e saj, anëtarja e Bordit të AKP-së ka deklaruar edhe një apartament në vlerë monetare prej 60 mijë euro.

Kurse, në pronësi të përbashkët ajo ka deklaruar në shtëpi vikendi me 153 m2, e cila ka vlerë 120 mijë euro.

Një anëtar tjetër i këtij bordi i cili po del të jetë i pasur është Halim Muçolli, i cili në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar se ka në pronësi toka e banesa.

Si pasuri të paluajtshme Muçolli ka deklaruar një tokë me sipërfaqe 3 mijë e 310 m2 cila ka vlerën prej 1 milion e 324 mijë eurosh.

Sipas statistikave të AKK-së, ai ka deklaruar edhe dy banesa, ku njëra prej tyre ka sipërfaqe 123.77 m2 në vlerë prej 148 mijë e 500 euro, kurse banesa tjetër e deklaruar nga Muçolli me sipërfaqe 82.70 m2 ka vlerën e 66 mijë eurove.

Gjithashtu, anëtari i Bordit të AKP-së, Halim Muçolli, në kuadër të pasurisë së paluajtshme ka deklaruar edhe disa toka të cilat i ka në pronësi të përbashkët.

Kurse, zëvendës kryesuesja e Bordit të AKP-së, Syzana Dautaj-Surdulli, si pasuri të paluajtshme ka deklaruar tri banesa dhe dy toka.

Sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsion, njëra nga banesat e cila është vetëm në pronësinë e Dautaj-Surdullit, ka vlerë prej 92 mijë euro.

Ajo po ashtu ka deklaruar një tokë me sipërfaqe 8 mijë e 800 m2, e që kushton 110 mijë euro.

E kryesuesi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci, si pasuri të paluajtshme në AKK ka deklaruar dy shtëpi, vlera e të cilave nuk figuron në këtë raport dhe një banesë me 49.35 m2 që ka vlerë prej 41 mijë e 500 euro.

Ndryshe nga kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, anëtari Avni Ajdini, sipas raportit të AKK-së merr 6 mijë e 422 euro më shumë se Mikullovci nga AKP-ja. Pra, ai në kuadër të të hyrave vjetore ka deklaruar se merr 21 mijë e 772 euro në vit nga AKP-ja.

Ndërsa, si pasuri të paluajtshme, Ajdini posedon një banesë që kushton 45 mijë e 500 euro, një shtëpi me 250 m2 në vlerë prej 12 mijë euro dhe një lokal me vlerë 40 mijë euro.

E si pasuri të luajtshme anëtari i Bordit të AKP-së, ka deklaruar një veturë që ia ka blerë djali nga Gjermania, e cila kushton 21 mijë euro.

Anëtari tjetër i këtij bordi, Mentor Hyseni, si pasuri të paluajtshme ka deklaruar një tokë dhe një banesë.

E anëtari i shtatë i AKP-së, Xhevdet Neziraj, ka deklaruar se posedon një shtëpi dhe një tokë.

Gjithashtu, në kuadër të të hyrave vjetore ai ka deklaruar se si kompensim merr 128 euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Ndërkaq, anëtarja e fundit e Bordit të AKP-së, Vjollca Jashari, si pasuri të paluajtshme e ka deklaruar vetëm një banesë në vlerë prej 40 mijë euro.

E si të hyra vjetore në AKK, ajo ka deklaruar se merr 1 mijë e 723 euro në muaj, si kompensim për mbledhjet e bordit të AKP-së dhe 128 euro si kompensim për pjesëmarrje në komitetin e
auditimit nga kjo agjenci.

Ditë më parë Gazeta Infokus ka publikuar një hulumtim, ku përmes Agjencisë Kosovare të Privatizimit më anë të konkurseve për punësim me Kontrata për Shërbime të Veçanta, apo Kontrata mbi Vepër, janë punësuar hiq më pak se 33 persona.

LEXO EDHE: AKP-ja e Albin Kurtit nuk po mbyllet, por është kthyer në “Agjenci të Punësimeve Masive”

E ky numër vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2022.

Punësimi i këtyre personave është bërë nëpërmjet 9 konkurseve të shpallura nga AKP-ja.

Sipas hulumtimit të bërë nga Gazeta Infokus del se këta 33 të punësuar me kontratë mbi vepër në AKP, do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës hiq më pak se 86 mijë e 220 euro./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera