Shqipëria miraton ligjin për kultivimin e kontrolluar të kanabisit

Autori: Gazeta inFokus
09:02 | 21 July 2023
Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi për tre orë pas mesnate të premten dhe miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Ligji mori 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenime. Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.
Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së kanabisit, të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.
Autoritetet besojnë se përmes një procesi të licencuar do të rritet ekonomia e vendit, si dhe kontrolli i subjekteve, që do të merren me kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit, duke krijuar një institucion të veçantë.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se projektligji parashikon krijimin e një agjencie për kontrollin, regjistrimin e prodhimit, dhënien e licencave për eksportin përmes një komisioni të posaçëm, si dhe mbikëqyrjen nga një njësi e specializuar.
“Regjistri kombëtar i subjekteve të licencuara do të rregullojë prodhimin e kontrolluar të kanabisit për qëllime mjekësore. Licenca mjekësore parashikon transportin e farërave, bimëve dhe deri te produktet dhe nënproduktet”, tha Manastirliu.
Projektligji parashikon se licencë mund të kërkojë çdo person juridik, që ka përvojë 3-vjeçare në prodhim, kultivim dhe qarkullim të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore.
Autoritetet pohojnë se subjekti duhet të jetë ushtrues për të paktën 5 vite i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Sipas projektligjit, licenca mund të jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, ndërsa zbatimi i kushteve të licencës verifikohet çdo 3 vjet.
Relatori i projektligjit, deputeti opozitar Tritan Shehu, tha se projektligji bie ndesh me Kodin Penal dhe synon përdorimin e drogave për trafiqe, ndërsa strukturat e sigurisë nuk kanë kapacitete për të kontrolluar territorin.
“Me këtë projektligj synohet të licencohen grupet kriminale. Ky ligj do ta bëjë Shqipërinë një republikë kanabisi, ndërkohë është e prekur nga narkotikët në të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos të rinjtë. Prodhimi vazhdon në të zezë dhe tani presin vetëm licencat”, tha Shehu.
Kundër këtij projektligji u shpreh gjatë fjalimit të tij edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj.
Ai kujtoi se kur ishte ministër i Punëve të Brendshme policia e ka luftuar fuqishëm kultivimin e narkotikëve dhe ai vet ishte luftuar nga shumë anë pikërisht për goditjen e kësaj dukurie.
“Gjatë atyre dy viteve Shqipëria ka regjistruar dy vitet me statistikat më minimale në kultivimin dhe trafikimin, e konfirmuar nga Guardia di Finanzia italiane”, tha Xhafaj.
Ai tha se kanabisi është i pranishëm midis shqiptarëve edhe pse është i paligjshëm, duke nisur nga përdorimi politik, që bëhej në Lazarat, e deri tek përdorimet financiare.
“A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha Xhafa.
Opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me shpejtësi në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.
Deputetët opozitarë shprehën skepticizëm se ministria e Shëndetësisë, që është ngarkuar me zbatimin e këtij projektligji nuk i ka kapacitetet e duhura, ndërkohë që as policia nuk ka arritur ende rezultate të mjaftueshme në luftën ndaj grupeve kriminale, që kultivojnë bimë narkotike në shumë zona të Shqipërisë.
Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha. /Zëri i Amerikës

Të tjera
-
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së/ Nesër konferencë për ecurinë e çështjes
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nesër pritet të mbahet konferen...
-
OBSH-ja nis ristrukturimin e stafit pas shkurtimit të fondeve nga SHBA-ja
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesu...
-
Hoxhë Osman Musliu për Kishën e Llapushnikut: Është objekt i fesatit, nuk është kishë
Hoxha Osman Musliu është deklaruar lidhur me Kishën e Llapushnikut në Drenas,...
-
Peci: Kosovës i duhet një qeveri me koalicion me shumicë shqiptare
Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka thënë se për formimin e insti...
-
Kriza politike- Gjini: LVV po tenton të na shantazhojë
Lidhur me situatën e politike në vend dhe qëndrimet e AAK-së, në “Rubikon me ...
-
Momenti kur pjesëtarët e grupit terrorist serb në Banjskë gjuajtën me armë zjarri në drejtim të Njësisë Speciale Operative
Tëvë1 ka siguruar ekskluzivisht videot e pa transmetuara deri më tani, ku shi...
-
Maxhuni i NISMA-s i kundërpërgjigjet Haradinajt: E bëri Kryeministër Limaj, ai e rrëzoi Qeverinë pa paralajmërim
Albert Maxhuni nga NISMA ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të AAK-së...
-
Rama e akuzoi se ia “bllokoi” projektet me urdhër të Çekut, i reagon drejtoresha e IKMM-së
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar drejtoreshën e Institutit t...
-
Zemaj: Nuk është e pamundshme që Abdixhiku të bëhet kryeministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë një interviste...
-
“Me mu ka përfundu bashkëpunimi”, Haradinaj ia mbyll derën Limajt: Asnjëherë se kemi diskutu të shkojmë me mashtruesin
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi sonte në Pressing në T7 se kreu i N...
-
Haradinaj me detaje për takimin Kurti-Limaj
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka folur për takimet ndërmjet deputetit ...
-
BE-ja propozon t’i kthejë më shpejt në Kosovë: Çka thonë të dhënat për azilkërkuesit?
Që prej liberalizimit të vizave më 1 janar të vitit të kaluar, numri i azilkë...