BE-ja propozon t’i kthejë më shpejt në Kosovë: Çka thonë të dhënat për azilkërkuesit?

Autori: Gazeta inFokus
21:08 | 22 April 2025
Që prej liberalizimit të vizave më 1 janar të vitit të kaluar, numri i azilkërkuesve nga Kosova në Bashkimin Evropian është rritur ndjeshëm. Tani, një propozim i Komisionit Evropian mund të bëjë që ata të detyrohen të kthehen në Kosovë.
Kjo pasi që Komisioni Evropian ka propozuar që për azilkërkuesit nga Kosova dhe gjashtë vende të tjera të përshpejtohen procedurat për kthimin e tyre në vendlindje, sepse i cilëson ato si vende të sigurta.
Tani i mbetet Parlamentit dhe Këshillit Evropian ta aprovojnë këtë propozim ose jo për shtatë vendet – Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Marokun, Tunizinë, Egjiptin dhe Indinë – nga të cilat vitin e kaluar aplikuan gjithsej 200 mijë njerëz për azil.
Pikërisht vitin e kaluar, numri i azilkërkuesve nga Kosova u rrit dukshëm në krahasim me vitet paraprake.
Çfarë ndikoi në këtë rritje?
Nga 1 janari i vitit 2024, pas shumë viteve pritje, kosovarët kanë mundur të udhëtojnë nëpër 29 vendet anëtarë të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtarë të BE-së, pa pasur nevojë për vizë.
Ky liberalizim i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Parimisht, udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera. Por, qysh para liberalizimit, organizata të shumta kishin paralajmëruar se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e migrimit nga Kosova.
Dhe, të dhënat e zyrës së statistikave të BE-së (Eurostat) tregojnë se pikërisht një gjë e tillë ka ndodhur.
Edhe pse jo në nivelet për të cilat kishin paralajmëruar shumë organizata joqeveritare, trendi i rritjes së kërkesave të azilkërkuesve po vazhdon edhe këtë vit.
Njëjtë si në vitet paraprake, Franca mbetet destinacioni kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian, ndjekur pas nga Gjermania.
Edhe Gjermaninë e kanë synuar shumë kosovarë në vitet e fundit për shkak të procedurave të lehtësuara për punësim. Por, pasi procedurat për marrjen e vizës së punës janë lehtësuar, në kërkesat për azil nuk përfshihen këta persona dhe numri është më i vogël.
Në mesin e azilkërkuesve nga Kosova në BE, më së shumti ka të rinj nën moshën 18-vjeçare dhe burra. Megjithatë, në vitet e fundit, dallimi në numrin e azilkërkuesve gra dhe burra është zvogëluar.
Pas liberalizimit të vizave, është rritur edhe numri i kosovarëve që detyrohen të kthehen në Kosovë, si pjesë e marrëveshjeve për ripranimin e qytetarëve që u refuzohen kërkesat për azil apo kapen duke qëndruar ilegalisht.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë kthyer gati sa gjysma e të gjithë të ripranuarve gjatë vitit 2023, pra para liberalizimit.
Shumica e tyre kthehen nga vende të Bashkimit Evropian.
Cilat mund të jenë pasojat?
Përveç përfshirjes në listën e vendeve ku BE-ja synon t’i kthejë në procedurë të përshpejtuar azilkërkuesit, trendi i aplikimeve më të mëdha rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.
Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave. Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, raporton REL.
Janë katër skenarë ku Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:
Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.
Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.
Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.
Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra të rënda penale.
Deri më tani, BE-ja nuk ka shprehur shqetësim për rritje të migrimit apo kërkesave për azil nga Kosova, e as organizatat që përfaqësojnë bizneset nga Kosova nuk kanë shprehur shqetësim se punëtorët po ikin në mënyrë masive.
Megjithatë, këtë vit BE-ja është duke e shqyrtuar mundësinë që ky mekanizëm të ashpërsohet në atë mënyrë që të jetë më e lehtë për ta kthyer regjimin e vizave për 61 vende, ku përfshihet edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Të tjera
-
Bajrami i reagon Rizvanollit: Partia ta ka caktu rolin me mbrojtë mafinë energjetike, s’e ke lehtë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i thotë ministres në largim të Ekonomisë...
-
Kurti: Anëtarësim në Këshill të Evropës, Ambasadorët e QUINT: Formojeni Qeverinë
Kryeministri në dorëheqje Albin Kurti, ka pritur sot në zyrë diplomatët e pes...
-
Rusia rrit praninë ushtarake pranë Finlandës: Imazhet satelitore zbulojnë bazat e reja dhe përgatitjet për luftë
Imazhet satelitore të publikuara së fundmi nga transmetuesi suedez SVT në bas...
-
Blerta Deliu Kodra: PDK-ja nuk sheh mundësi koalicioni me Vetëvendosjen, dallimet janë thelbësore
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka shprehur qartë qëndrimin e partisë...
-
Bllokimi i rrugëve në Prishtinë s’ka të ndalur, Alban Zogaj tregon planin e ri për banorët e rrugës “Muharrem Fejza”
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës dhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës, A...
-
A do ta njoh PD-ja rezultatin e zgjedhjeve, Flamur Noka: JO
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka thënë se PD n...
-
Shtrenjtimi i rrymës dhe tregu i hapur, Rizvanolli kundër subvencionimit, i reagon LDK’së dhe ZRRE’së: 50 milionë me kaq lehtësi…
Ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, ka kundërshtuar idenë për...
-
70% e votave të numëruara – PS dominon në vota
Procesi i numërimit të votave në mbarë vendin po shkon drejt fundit, ku deri ...
-
Zgjedhjet në Shqipëri, kush është kandidati më i votuar
Blendi Gonxhja, kandidati i Partisë Socialiste në listën e hapur, rezulton de...
-
Në telefon me Thaçin, Spahiu për Ramën: Po i çon mesazh Kurtit
Fotografia e Edi Ramës e publikuar nga vetë ai në rrjete sociale me njoftimin...
-
Kryesuesi i KGJK-së: Kemi prioritizuar rastet e gazetarëve, dënimet janë të ulëta
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) tha se gjyqësor...
-
Lansohen dy shërbime të reja në platformën e-Kosova
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ...