Lajme

Shpëtohen disa persona në Turqi, numri i viktimave arrin në mbi 37.000

Autori: Gazeta inFokus 17:11 | 13 February 2023

Ekipet e kërkim-shpëtimit në Turqi kanë nxjerr të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura disa persona.

Teksa shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë po veniten, numri i përgjithshëm i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri, të hënën arriti në mbi 37.000 dhe pritet që ky numër të rritet.

Faza e shpëtimit “është drejt fundit” dhe tani pritet që përpjekjet të përqendrohen në ofrimin e strehimit dhe ushqimit për të mbijetuarit, tha shefi për ndihmë i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, gjatë vizitës në Alepo të Sirisë më 13 shkurt.

-Advertisement-

Këto deklarata të tij erdhën në kohën kur ekipet në Turqi arritën të nxjerrin të gjallë nga rrënojat disa persona. Zyrtarët thanë se një vajzë e vogël, e quajtur Miray, u shpëtua në Adijaman pas 178 orësh nën rrënoja. Në po të njëjtin qytet u shpëtua edhe një grua 35 vjeçe.

Një grua e quajtur Naide Umay u nxorr e gjallë nga rrënojat e ndërtesave në Antakija dhe në po të njëjtin vend u shpëtuan edhe dy fëmijë. Ndërkaq, në provincën Gaziantep, shpëtimtarët nxorën të gjallë nga rrënojat një grua.

Më herët u bë e ditur se ekipet e shpëtimit nga Taxhikistani kanë nxjerrë të gjallë një djalë 3-vjeçar nga rrënojat, në qytetin turk të Kahramanmarash.

Ai kishte kaluar 158 orë aty, njoftoi shërbimi i shtypit i Komitetit për Situatat Emergjente dhe Mbrojtjen Civile të Taxhikistanit më 13 shkurt.

Taxhikistani dërgoi një grup prej 50 shpëtimtarësh dhe mjekësh, si dhe 2.5 tonë pajisje speciale në Turqi, për të ndihmuar vendin në përballjen me pasojat e tërmetit të 6 shkurtit.

Kombet e Bashkuara, një ditë më parë, dënuan dështimin për të ndihmuar rajonet e Sirisë, teksa paralajmëruan se numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri, që ka arritur në mbi 37.000, mund të dyfishohet.

Autoritetet konfirmuan të hënën se janë konfirmuar mbi 37.000 viktima në Siri dhe Turqi. Numri më i madh i viktimave është në Turqi, përkatësisht 31.643 dhe në Siri janë regjistruar 5.714.

Dhjetëra mijëra punëtorë të shpëtimit po vazhdojnë operacionet për të gjetur të mbijetuar, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë rënduar gjendjen e miliona personave që tani kanë nevojë për ndihmë.

OKB-ja ka paralajmëruar se të paktën 870.000 persona kanë nevojë urgjente për shujta të ngrohta në mbarë Turqinë dhe Sirinë. Vetëm në Siri, deri në 5.3 milionë persona mund të mbesin të pastrehë.

Tërmeti prej 7.8 ballësh – që u pasua nga disa tërmete të tjera të fuqishme – në Turqi dhe Siri, është fatkeqësia e shtatë më vdekjeprurëse e këtij shekulli.

Një tërmet me magnitudë të ngjashme në Turqi më 1999 kishte vrarë mbi 17.000 persona. (Rel)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera