Lajme

Shkallët e dëmtuara te Posta në Prishtinë – rregullimi i tyre do të përfundojnë vitin tjetër

Autori: Gazeta inFokus 14:51 | 02 November 2022

Punimet për rregullimin e shkallëve te Posta e Madhe në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pritet të përfundojnë në fillim të vitit të ardhëm.

Nga Komuna e Prishtinës në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, kanë bërë të ditur se kostoja e këtij projekti sillet rreth 200 mijë euro.

“Projekti do të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe kosto sillet rreth 200.000 euro”, thuhet në përgjigjen e komunës.

-Advertisement-

Këto shkallë tash e disa vite janë në gjendje të rëndë infrastrukturore, madje edhe të rrezikshme për të ecur në to.

Pas ankesave të shumta nga qytetarët, Komuna e Prishtinës njoftoi ditë më parë se kanë nisur punimet për rregullimin e tyre.

“Shkallët tek PTK po rinovohen! Me materiale kualitative. Gëzuar!”, shkroi nënkryetari i komunës, Alban Zogaj.

Të shtunën, në faqen “Vrojtuesit e lagjes-Prishtinë” në Facebook, u bë e ditur se punimet janë ndërprerë 3-4 ditë pasi kanë filluar.

“Kjo foto tregon se sa filluan punimet te Posta e Madhe në Dardani, qysh para 3 jave punuan 3-4 ditë dhe u ndërpre puna, nuk shihen më punëtorët”, thuhet në postimin e tyre.

Nga komuna në përgjigjen drejtuar Telegrafit kanë refuzuar të përgjigjen lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, në një koment të bërë në postimin e faqes “Vrojtuesit e lagjes-Prishtinë”, ka lënë të kuptohet se punimet nuk janë ndërprerë, pasi ka thënë se punëtorët kanë qenë në pushim gjatë fundjavës.

“Aty punime nuk ka pas që 30 vite, e tash e gjete për një ditë me u anku a? Unë si drejtor i kom jep pushim të shtunën e të dielën”, ka shkruar Musliu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera