Ekonomi

Serbia ndalon eksportin e miellit, a do të mbes Kosova pa bukë?

Autori: Samire Jaha 16:17 | 09 March 2022

Nga kjo e enjte Serbia ka paralajmëruar se do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit, për shkak të krizës në tregje ndërkombëtare të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Nga kjo bllokadë pritet të preket edhe Kosova, pasi vendi në masë të madhe varet nga importi, shkruan Gazeta Infokus.

Në lidhje me këtë njohësi i ekonomisë Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Gazetën Infokus tha se ministri i Bujqësisë, duhet të apelojë tek pronarët e tokave që me çdo kusht të mbeten të mbjellura me kultura pranverore.

-Advertisement-

“Besoj që në këtë drejtim duhet vërtetë të kemi një dialog dhe të mos merremi se çfarë vepron Serbia apo se çfarë bënë Kosova, kamë prit që sot do të mbahet një konferencë për media i ministritë të Bujqësisë i cili do të apelojë tek pronarët e tokave që me çdo kusht tokat të rrijnë të mbjellura me kultura pranverore, që shteti do të subvencionojë, shteti do të ju ndihmojë dhe këto rezerva, në çoftë se  nuk plasohen në treg do të krijohen për 3 muaj apo 4 muaj rezerva të shtetit”, ka deklaruar Gërxhaliu për Gazetën Infokus.

Gjithashtu ai tha se nuk duhet të humbin kohë duke kërkuar arsyet e dështimit por të kemi strategji për të mos dështuar.

“Prandaj nuk duhet që gjithmonë të humbet kohë për të kërkuar arsye për dështim por që duhet vërtetë vigjilencë, dhe gatishmëri për të pasur strategji për të dalë nga dështimi, dhe këtë gjë Kosova mundet por duhet vullnet politik dhe duhet pak dialog i mirëfilltë”, shtoi Gërxhaliu për Infokus.

Mirëpo nga Shoqata e Mullistëve kanë thënë se Kosova ka miell mjaftueshëm dhe se asnjë kilogramë nuk është importuar nga Rusia apo Ukraina.

Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Mullisëve, tha se momentalisht Kosova qëndron mirë me grurë dhe se nuk ka nevojë për panik.

“Kosova si shtet ka fatin që në Kosovë ka të instaluar mulli të mjaftueshëm, industria e miellit është tejet e zhvilluar. Ato kapacitete që janë duke punuar kanë kapacitet me prodhu prodhimtari për 5 milionë e gjysmë banorë. Sasia e lëndës së parë nuk është e mjaftueshme në Kosovë për gjysmën e popullatës. Por mullinjtë janë të kujdesshëm dhe kanë importua në kohë të duhur sasitë e nevojshme edhe nga jashtë shtetit. Importi i grurit dhe miellit që ka qenë në Kosovë gjatë vitit të kaluar ka qenë prej vendeve të afërta por po potencoj se asnjë kilogramë as miell as grurë nuk ka qenë e të importuara as prej Rusisë e as prej Ukrainës ”, deklaroi Farizi.

Po ashtu kryetari i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, tha se në korrik ka korrje të reja e mos të bëhet panik pa arsye.

“Ne flasim për gjendjen aktuale që të gjitha shtetet po përballohen me një krizë të grurit dhe miellit…kemi arsyeshëm dhe mjaftueshëm miell dhe grurë në Kosovë. Kjo nuk nënkupton se pas qershorit nuk do të bëjmë zgjidhje tjetër. Çmimet aktuale janë të tregut, që në Kosovë janë shumë më të lira se në gjithë regjionin tjetër”, tha Zejnullahu.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, gjatë një konference tha se të gjithë qytetarët të cilët kanë blerë miell ta dërgojnë atë në furrë.

“I kisha inkurajuar qytetarët që miellin e blerë ta qojnë në furrë. Ka rezerva dhe nuk ka vend për panik”, ka thënë Kurti.

Kurse, ministri i bujqësisë, Faton Peci tha se vlera e subvencionimit për bujqit këtë vit do të jetë 50 milionë euro.

“Përkrahja do të jetë substanciale për shumicën e produkteve e veçanërisht të atyre substanciale që vlerësohet se bëjnë pjesë në sigurinë kombëtare të ushqimit, saç janë drithërat, gruri, perimet, patatet, fasulet. Vetëm për përkrahjen e subvencionimit për këtë vit, falë përkrahjes të Qeverisë i kemi rreth 50 milionë euro vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe shumë shpejtë do të bëjmë hapjen e thirrjes edhe për grantet”, tha ai.

Gjatë vitit 2021 Kosova ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina. Kjo nënkupton që Kosova importon nga Serbia rreth 73 për qind të grurit dhe miellit.

Nevojat e popullatës së Kosovës janë për rreth 400 mijë tonë grurë në vit./Gazeta Infokus/

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy