Serbi: Raporti i KE-së për Kosovën shihet si gjest armiqësor
Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 29 March 2024
Miratimi i raportit që i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në Këshilin e Evropës u cilësua në Kosovë si historik e arritje e madhe. Për Serbinë anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në KE është gjest armiqësor ndaj Serbisë.
Në Kosovë vendimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës që i hap rrugën Kosovës për anëtarësimin në këtë Këshill u mirëprit me entuziazëm, ndërsa në Serbi me kritika dhe kundërshtime. Hapi i radhës do të jetë më 18 prill, kur ky raport do të hidhet në votim para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Nëse merr miratimin edhe në Asamble, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.
Zemërimi në Serbi pas miratimit të raportit ishte i madh. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq madje kërcënoi me largimin e Serbisë nga Këshilli, nëse Kosova bëhet anëtare. Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se vendimi i Komisionit të Këshillit të Evropës është shkelje e drejtpërdrejtë e interesave shtetërore dhe cënim i tërësisë tokësore të Serbisë. Sipas autoriteteve serbe, përkatësisht nga Vuçiq dhe Daçiq, anëtarësimi i plotë i Kosovës në Këshill të Evropës “do të ishte një gjest armiqësor ndaj Serbisë”.
Ndryshe është qëndrimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës. “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Këshillit, dujt theksuar, se “duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për diplomaci, dialog dhe kompromis”, dhe në këtë mënyrë i bëhet thirrje “Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.
“Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani miratimin e raportit për Kosovën nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së, e cilësoi si një ditë historike për vendin. “Ky hap pozitiv tregon se Kosova është gati dhe e aftë për të marrë pjesë në mënyrë të plotë në familjen e Këshillit të Evropës, duke ndarë detyrimet dhe përfitimet që vijnë me anëtarësimin”, shkroi presidentja Osmani. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili vendimin e cilësoi “një arritje shumë të madhe për vendin’. “Tash qytetarët e Republikës mund ta kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por përtej kësaj është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda”, tha kryeministri.
Meritat për miratimin e raportit për Kosovën, njëri nga udhëheqësit e opozitës ish-kryeministri Ramush Haradinaj, po ua lë aleatëve të Kosovës, po jo qeverisë Kurti. “Është pozicion i qartë i aleatëve me avancu Kosovën, mendoj se përkundër pengesave që qeveria dhe kryeministri Kurti ua ka nxjerrë aleatëve, ata prapë se prapë arritën këtë rezultat, këtë sukses për Kosovën”, thotë Haradinaj, duke shtuar se “kjo është krejtësisht punë e aleatëve”.
Parakushtet e reja do të ishin të padrejta
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, që ishte i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me Këshillin, shkroi në profilin e tij, se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja, janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”. E Komiteti i Këshillit tha pas votimit të raportit se “e mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës”, duke saktësuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësim, por nënvizoi se “duhet të jetë një angazhim pas anëtarësimit për Kosovën”, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë.DW
Të tjera
-
EULEX: Familjarët e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre
Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka marrë pjesë në akt...
-
Gjendet i vd*kur një burrë në Fushë Kosovë, policia nis hetimet
Është gjetur i vdekur një burrë në një banesë në Fushë Kosovë dje. Policia...
-
Kurti: Jam optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpjeguar se si do ta menaxhojë sfidën...
-
Osmani pret në takim përfaqësues të familjarëve të të zhdukurve të lu*tës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim përfaqësues të familjarëve...
-
Shqiptarët të pa interesuar për politikën
“Barometri” në Euronews Albania i ka pyetur në sondazhin e të premtes qytetar...
-
OSBE: Të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve
Në Kosovë sot po shënohet Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur nga lufta e f...
-
Besnik Tahiri, Armend Muja dhe Abelard Tahiri, tre deputetët më aktiv në Kuvendin e Kosovës
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin e monitorimit të punës...
-
Ganimete Musliu, Hykmete Bajrami e Kusari-Lila gratë deputete më aktive në Kuvendin e Kosovës
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin e monitorimit të punës...
-
Qerkini: Brukseli ka stagnuar procesin e personave të pagjetur
Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëv...
-
Dita e të Zhdukurve, Osmani: Pl*ga e Kosovës do të mbetet e hapur derisa nuk kthehen të gjithë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e të Zhdukurve ka thënë se kjo ...
-
Besnik Tahiri vlerësohet si deputeti më aktiv i Kuvendit të Kosovës
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është vlerësuar si deput...
-
Knaus: Vuçiqi po bën fushatë të suksesshme kundër Kosovës në KiE
Kosovës iu miratua raporti pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 1...