Lajme

Selmans nis fazën e re të fushatës: JCE vendoset mbi figurat e luf*tërave dhe lëvizjeve çlirimtare të periudhave të ndryshme

Autori: Gazeta inFokus 16:42 | 23 September 2026

Kompania “Selmans Network” ka nisur një tjetër fazë të fushatës së saj publike, përmes së cilës synon të projektojë në hapësirat urbane një realitet të imagjinuar distopik, duke vendosur konceptin juridik “Joint Criminal Enterprise” (JCE), apo “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” (NPK), mbi figura të ndryshme historike të luftërave dhe lëvizjeve çlirimtare.

Fushata, e nisur mbrëmë dhe që pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, sjell në të njëjtën gjuhë grafike figura si Nelson Mandela, George Washington, Giuseppe Garibaldi, Mustafa Kemal Atatürk, Michael Collins, Charles de Gaulle dhe Winston Churchill, krahas Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas konceptit të fushatës, vendosja e këtyre figurave në të njëjtin format nuk synon të pretendojë se rastet historike apo juridike janë identike. Përkundrazi, Selmans thotë se përmes këtij paralelizmi synon të shtrojë një pyetje provokuese: si do të dukej historia nëse e njëjta logjikë juridike do të projektohej mbi udhëheqje të tjera të rezistencës, revolucionit dhe luftërave për çlirim?

-Advertisement-

Posterët e trajtojnë termin JCE/NPK si objekt të debatit publik, duke e nxjerrë atë nga dokumentet juridike dhe duke e vendosur në hapësirat urbane.

Një element qendror i posterëve është “vula” JCE, e vendosur mbi secilin portret. Formati i njëjtë grafik krijon qëllimisht pamjen e një katalogu distopik, ku historia, rezistenca dhe përgjegjësia penale vendosen brenda së njëjtës skemë vizuale.

Në kuadër të kësaj faze të fushatës janë edhe posterët “Special Chambers Dictionary – Liberation / Çlirim”.

Këto materiale imitojnë formatin e një fjalori të një realiteti alternativ, ku kuptimi i fjalës “çlirim” paraqitet përmes lentes së Dhomave të Specializuara.

Përmes kësaj qasjeje, Selmans synon që terminologjia dhe konceptet juridike të dalin nga konteksti i dokumenteve dhe sallave të gjyqit dhe të bëhen pjesë e debatit në hapësirën publike.

“Qëllimi i këtij paralelizmi nuk është të pretendojë se rastet historike apo juridike janë identike, por të shtrojë një pyetje provokuese: si do të dukej historia sikur të njëjtën logjikë juridike ta projektonim mbi udhëheqje të tjera të rezistencës, revolucionit dhe luftërave për çlirim?”, thuhet në konceptin e fushatës.

Sipas kompanisë, vendosja e këtij realiteti alternativ në qytet synon veçanërisht të krijojë një përballje me publikun ndërkombëtar.

“Një realitet distopik, i vendosur në qytet për t’i detyruar miqtë tanë, sidomos ata perëndimorë, që ta shohin realitetin në sy dhe t’i ‘detyrojmë’ të ndiejnë sadopak nga ajo që secili qytetar i Kosovës po ndien këto ditë”, thuhet në përshkrimin e fushatës.

Selmans ka bërë të ditur se kjo është vetëm një fazë e fushatës dhe se materiale të tjera do të shfaqen në ditët në vijim, duke e zgjeruar debatin publik rreth konceptit JCE/NPK, historisë së luftërave çlirimtare dhe mënyrës se si këto çështje interpretohen përmes një gjuhe juridike dhe publike.

Më poshtë gjeni pamje:

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy