Lajme

Vendimi | Gjyqi ndaj Jeton Sylajt i mbyllur, “me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare”

Autori: Gazeta inFokus 10:36 | 11 November 2026

Gjykata Themelore në Pejë ka konfirmuar për Gazetën Infokus se seanca fillestare ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të së ndjerës Arlinda Zekaj, do të mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e publikut dhe mediave.

Seanca ndaj Sylajt, i cili akuzohet për veprën penale të kanosjes, është caktuar të mbahet të enjten, më 12 nëntor 2026, duke filluar nga ora 11:00.

Në aktvendimin e datës 10 nëntor, të cilin Gjykata Themelore në Pejë ia ka dërguar Gazetës Infokus, bëhet e ditur se vendimi për mbylljen e seancës është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

-Advertisement-

Sipas dokumentit, më 9 nëntor, gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për përjashtimin e publikut nga shqyrtimi gjyqësor.

“Me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve tjerë në procedurë”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga Gazeta Infokus.

Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se gjatë procesit pritet të shqyrtohen prova dhe informacione të ndjeshme që lidhen me marrëdhëniet familjare, përfshirë edhe të dhëna për fëmijën e mitur.

Po ashtu, në aktvendim bëhet e ditur se kërkesa e Prokurorisë për mbylljen e seancës është përkrahur edhe nga mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtësja e të pandehurit.

Gjykata ka vlerësuar se, megjithëse transparenca e procesit gjyqësor është një nga parimet themelore të drejtësisë, në këtë rast mbrojtja e privatësisë dhe e jetës familjare ka përparësi ndaj interesit publik për pjesëmarrje në seancë.

Sipas aktvendimit, Prokuroria kishte propozuar që, nëse gjykata nuk e vlerësonte të nevojshme mbylljen e plotë të shqyrtimit, publiku të përjashtohej të paktën gjatë administrimit të provave të ndjeshme, përfshirë deklaratat e palëve, raportet psikologjike dhe video-incizimet.

Megjithatë, gjykata ka vendosur që seanca fillestare e 12 nëntorit të mbahet tërësisht pa praninë e publikut.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Selvije Morina Zejnaj, duke u bazuar në nenet 289 dhe 291 të Kodit të Procedurës Penale.

Kujtojmë se më 23 tetor 2026, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për veprën penale të kanosjes.

Ai akuzohet se kishte kërcënuar me vdekje ish-bashkëshorten e tij, Arlinda Zekaj, e cila më pas u vra në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj, vëllai i Jetonit.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta publike, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar denoncimet e dhunës ndaj Arlinda Zekajt./GAZETA INFOKUS/

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy