Lajme

Sarajeva kërkon sanksione ndaj Serbisë pas nderimeve shtetërore për Ratko Mlladiqin

Autori: Gazeta inFokus 12:05 | 10 September 2026

Ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, u ka dërguar letër të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar reagim ndaj asaj që e ka cilësuar si glorifikim institucional të të dënuarit për gjenocid, Ratko Mlladiq.

Konakoviq ka thënë se arkivoli i Mlladiqit është transportuar me aeroplan të Qeverisë së Serbisë dhe është mbuluar me flamurin shtetëror. Sipas tij, ceremonia përkujtimore është mbajtur në Shtëpinë e Ushtrisë, ndërsa varrimi është zhvilluar me nderime të plota ushtarake.

Në ceremoni, sipas kryediplomatit boshnjak, kanë marrë pjesë ministra serbë dhe zyrtarë të lartë të Republikës Srpska.

-Advertisement-

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka marrë pjesë në ceremoni, por sipas Konakoviqit, ai ka mbrojtur publikisht veprimet e institucioneve serbe.

Konakoviq i ka krahasuar nderimet për Mlladiqin me një skenar hipotetik ku një shtet evropian do të nderonte udhëheqësit nazistë Hermann Göring dhe Wilhelm Keitel.

Ai ka theksuar se Mlladiqi është dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në letrën drejtuar vendeve anëtare të OKB-së, Konakoviq ka kërkuar që të dënohet publikisht glorifikimi i Mlladiqit dhe të shqyrtohen masa kufizuese ndaj personave përgjegjës.

Ai ka kërkuar gjithashtu rikonfirmimin e autoritetit të vendimeve ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë dhe kundërshtimin e mohimit të tyre.

“Heshtja nuk është neutralitet, por rrezik që glorifikimi i kriminelëve të luftës të bëhet normalitet”, ka përfunduar Konakoviq.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy