Lajme

Rrëfimi i Besianës dhe ëndrra e madhe për t’u bërë police e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 14:11 | 29 August 2022

Po vjen rrugës së zakonshme, bashkë me ëndrrën e saj të madhe.

Besiana po pret me padurim t’i hyjë kësaj sfide.

Anipse e re në moshë, sfidon një pozitë që kërkon shumë angazhim.

-Advertisement-

Ka aplikuar dhe po pret të bëhet police e Kosovës.

E ka vetëm një kërkesë, që të mos ketë diskriminime për komunitetet në përzgjedhjet që do të bëhen.

“Unë kam aplikuar dhe po pres që të më thërrasin për police. Jam shumë motivuese ndaj këtij profesioni dhe është shumë një dëshirë, ëndërr e imja është me u bë police. Pres shumë dhe kam synim që të arrij larg e më larg me këtë profesion. Pres që nga konkurs të mos ketë padrejtësi, të mos ketë dallime etnike ose të mos ketë dallime që unë të dallohem nga të tjerët. Kam pritshmëri të mëdha dhe uroj të më dalin këto pritshmëri”, ka thënë Besiana Sejdijaj, përfaqësuese e komunitetit egjiptian.

Derisa tregon për sfidat me të cilat përballet komuniteti prej nga vjen, Besiana Sjedijaj qe vjen nga fshati Vitomiricë i Pejës, thotë se gjendje ekonomike në të cilën jetojnë është shumë e rëndë.

“Komuniteti egjiptian përballet me shumë sfida fatkeqësisht, Një ndër sfidat më të mëdha që e hasim më së shumti është kushtet ekonomike. Janë një ndër arsyet që komuniteti egjiptian që s’mund të ketë shkollimin e fëmijëve dhe në lagjen time është i njëjti problemi për shkak të kushteve ekonomike që i ka komuniteti, mungojnë gjërat ushqimore dhe shkollimi, ky është problemi më i madh”, tha ajo.

Ajo thotë se diku rreth 70 % e komunitetit janë të papunë.

Besiana tregon për punën që po e bën tani në lagjen ku jeton, e për këtë thotë se mori mbështetje shumë nga organizata “Syri i Vizionit”.

“Jam e lidhur me ekipin e Syri Vizionit dhe çdo send shkon shumë mirë, Është një ekip shumë bashkëpunues dhe njëherë është shumë mirë. Aty në lagjen time jam mediatore kam shumë motiv për me vazhdu me ecë përpara falë ekipit të Syri Vizionit sepse ata janë ndër motivuesit dhe përkrahësit më të mëdhenj”, tha tutje Sejdijaj.

Komuna thotë se ka bashkëpunim të mirë me komunitetet.

“Komuna e Pejës ka bashkëpunim të mirë me komunitetet. Është hera e parë që pas 10 viteve një pjesëtar i komunitetit mysliman ose një boshnjak është nënkryetar i Komunës, një nënkryetar i asamblesë komunale vjen prej komuniteteve. Kemi bashkëpunim të mirë me të gjitha partitë që funksionojnë në komunën e Pejës dhe ky bashkëpunim thelohet dita ditës”, ka thënë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmen Muhaxheri.

Edhe numri i të punësuarave nga komunitetet, sipas kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri do të rritet.

“Po përpiqemi me ju dalë në ndihmë dhe me kriju një balance të punësimit të komuniteteve duke e marrë parasysh edhe kualitetet që duhet me i plotësu secili prej tyre”, tha ai.

Edhe nga niveli qendror e pranojnë se situata me arsimim dhe punësim sa i përket komuniteteve nuk është e mirë.

Ata tregojnë se janë duke punuar në këtë drejtim që të bëhet një zgjidhje.

“Në Pejë situata me arsim është ndryshe, edhe situata ndryshon nga qyteti në qytet. Një prej problemeve që ballafaqohet është braktisja dhe këtë e kemi të izoluar në një pjesë të caktuar të komunitetit. Tani kemi pasur edhe një vizitë me ministren e Arsimit në shkollën “Xhemail Kada” ku ka një numër të konsiderueshëm të braktisjes të cilët mandej rikthehen në procesin mësimor por kthehen në klasa intensivë dhe ne tani jemi duke diskutuar me nivelin lokal  se si mund të krijohet një bazë më e qëndrueshëm”, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ministri që i takon komunitetit egjiptian, thotë se Qeveria veçse ka marrë vendim për këtë çështje.

“Qeveria në takimin e 88-të të saj ka nxjerrë një vendim në cilën i favorizon komunitetet egjiptian, romë dhe ashkalinjë në punësim dhe tani një grup punues i krijuar nga ai vendim është në implementim të planit të veprimit se si duhet të ndodhë kjo në bazë të ligjit dhe të drejtës Kushtetuese. Një prej opsioneve është që personat që dalin në pension të zëvendësohen me profesionist nga radhët e këtyre tri komuniteteve”, tha Krasniqi.

Të dhënat e fundit zyrtare mbi përfaqësimin e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptian në Kosovë janë marrë nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, i cili thekson se në Kosovë jetojnë 8824 romë, 15.436 ashkalinjë dhe 11. 524 egjiptian.

Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 ka zbuluar që nga 96,450 banorë të regjistruar në komunën e Pejës, 993 janë romë, 143 janë ashkalinj të Kosovës dhe 2.700 janë egjiptianë.

Besiana është një vajzë e re nga komuniteti egjiptian, në mesin e 324 të rinjve që përfituan nga shumë trajnime dhe programe aftësimi që u zhvilluan në kuadër të projektit dhe tani ajo ndjehet e gatshme të kontribuoj aktivisht në treg të punës, ashtu siç ndjehen edhe 41 personat tjerë të komuniteteve jo-shumicë që u trajnuan dhe u aftësuan për punë dhe shpresojnë që një ditë do të mund të integrohen në treg të punës pa qenë të diskriminuar dhe duke u trajtuar në mënyrë të barabartë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera