Lajme

Rama: Fluturimet me charter, kam harxhuar më pak se Berisha

Autori: Gazeta inFokus 17:41 | 29 October 2022

Shpifje i ka cilësuar kryeministri Rama akuzat e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha lidhur me udhëtimet e tij me çarter. Nga Peshkopia ku u takua me një tur operatorësh turistik Rama tha se ka shpenzuar nga paratë e taksapaguesve gjysmën e atyre të përdorura nga paraardhësi i tij në krye të qeverisë.

“Udhëtimet e mia kanë kushtuar më pak se gjysma e fondeve të Kryeministrisë krahasuar me atë që as emrin nuk ia përmend dot se më vjen për të vjellë dhe nuk dua që t’ju bëj dhe ju që të t’ju përzihen zorrët që me mëngjes”.

Garantoi se nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe vendosje të fashës 800 kilovat pavarësisht vendimit të ERE-s, duke akuzuar serish opozitën se po përdor mediat që kontrollon për interesa të ngushta politike.

-Advertisement-

“Pastaj a vendoset fasha, a s’vendoset fasha, a vendoset çmimi kaq apo aq, kjo është politikë që e bëjmë ne, nuk e bën ERE. ‘Rritet çmimi i energjisë’. Ta shqetësosh miletin deri në pikën që ta tërbosh fare, ta nxjerrësh në rrugë për të rrëzuar qeverinë sepse qeveria nuk të jep ty favoret që ti i kërkon”.

Pa harruar nuk la sërish apelin për kursimin e energjisë, duke mos kursyer edhe batutat.

“Duhet patjetër që secili t’i fikë ato drita, jo si Kapllani, që i kishte lënë të gjitha dritat hap. I kemi lënë për ty tha. Po të kishte çmimin real Kapllani do kishte mbyllur dhe perdet për mua se do i dukej dhe drita e diellit sikur po e paguante vetë”.

Dibranëve u premtoi se do e bëjë realitet ndërtimin e Skavicës, pavarësisht paralajmërimeve të opozitës.

“Për çfarë e kundërshtojnë Skavicën, përse? Se edhe hienë, edhe “non grata” imagjino tashi. Hiena vetë s’durohet, jo të jetë dhe “non grata”. Ndërkohë që përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do të jenë ata që janë aty rreth e rrotull”.

Opozitën e akuzoi edhe për premtime të pambajtura dhe abuzime me paratë e shqiptarëve kur ishte në pushtet, duke i kujtuar bastin e humbur edhe në këto zgjedhje.

“Ne do vazhdojmë punën, taksirati jonë është t’i mundim edhe një herë”.

Pavarësisht problemeve gjeologjike në tunelin e Murrizit, të rinjve dibranë Rama u tha se rruga e Arbrit do të jetë një premtim i mbajtur, ndryshe nga ato të Partisë Demokratike kur ishte në qeveri.

“Dibra është kopshti i gjelbër i Tiranës. Me shpirt nëpër dhëmbë që ai tunel i Murrizit të mbarojë sepse ka një gjeologji të keqe që janë gjëra që ndodhin dhe kjo e bën që kompania të ecë avash, një metër në ditë”.

Kryeministri Rama premtoi mbështetje për fermerët, duke i garantuar se askush nuk do të pengohet për të investuar, pavarësisht mungesës së dokumenteve të pronësisë së tokës.

Gjatë turit të takimeve në Peshkopi, Rama pa nga afër punimet për shtrimin e rrugëve, trotuareve dhe rehabilitimin e fasadave të pallateve të vjetra me sistemin kapot, si dhe inspektoi ujësjellësin e këtij qyteti./tvklan

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera