Qeveria pret listat e pagave që t’i ‘dënojë’ grevistët, komunat nuk bashkëpunojnë
Autori: Gazeta inFokus 19:45 | 01 September 2022
Ende nuk dihet se kur do të ekzekutohen pagat për punëtorët e institucioneve publike, të cilët janë grevë që nga 25 gushti.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Kurse, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave.
Thesari i Kosovës është institucion që menaxhon dhe bën ekzekutimin e pagave.
Nysret Koca, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për kontabilitet, raportim dhe monitorim në Thesarin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjatë ditës (1 shtator) nuk ka pranuar ndonjë konfirmim të listave nga organizatat buxhetore për ekzekutim të pagave.
“Jemi në pritje. Më 31 gusht kemi pranuar konfirmimin e [disa] listave për paga dhe i kemi ekzekutuar”, tha ai.
Thesari i Kosovës për çdo muaj dërgon listat e pagave tek organizatat buxhetore për të konfirmuar ndonjë ndryshim eventual.
“Ky është një proces i rregullt mujor dhe në fund të muajit finalizohet lista pasi të jetë konfirmuar nga organizata buxhetore përmes sistemit të pagave”, deklaroi Koca për REL.
Nga fundi i muajit gusht, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve të konsumit. Ata kërkojnë 100 euro në muaj deri në miratimin e Projektligjit për paga.
Ekzekutivi, më 31 gusht ka bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për këtë muaj.
Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, më 31 gusht ka bërë të ditur se ekzekutimi i pjesshëm i pagave është bërë për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
Ndërkaq, dy ditë më herët, ai ka thënë se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do të marrin pagë të plotë nga Qeveria e Kosovës.
“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, ka thënë Murati më 29 gusht, gjatë një konference për media.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.
“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë sipas meritës. Kjo është, jo vetëm një çështje e ligjit, jo e Qeverisë, por është një çështje e arsyes së shëndoshë njerëzore. Secili prej nesh jemi punëtorë, nuk jemi pronarë, paguhemi për punën”, tha Kurti gjatë një ngjarjeje në Gjakovë, në ditën e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Qeverisë së Kosovës dhe në Ministrinë e Financave dhe ka pyetur se kur dhe si do të ekzekutohen mjetet për punëtorët që janë në grevë, por deri në publikimin e tekstit nuk kanë dhënë përgjigjeje.
Mosekzekutimi i pagave për punonjësit tjerë që janë në grevë, po konsiderohet joligjor dhe vendim që mund të radikalizojë formën e grevës.
Shërbyesit civilë në disa komuna të Kosovës i janë bashkuar grevës së organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Komuna e Prishtinës dhe Malishevës janë disa nga komunat që janë në grevë.
Në këto komuna janë ofruar vetëm shërbimet emergjente, siç është lëshimi i ndonjë dokumenti për qytetarët që kanë caktuar termin për vizë në ndonjë ambasadë, si dhe në rast të ndonjë dokumenti që kërkohet për raste të sëmundjes.
Kryetarët e sindikatave të këtyre dy komunave, Ahmet Gashi nga Komuna e Prishtinës dhe Azem Gashi nga Komuna e Malishevës, treguan se pagat nuk kanë dalë në llogaritë e punëtorëve, madje as për punonjësit që kanë punuar në rastet emergjente.
Që të dy u shprehën se punonjësit janë të pakënaqur dhe kjo i ka revoltuar edhe më shumë ata.
“Jemi duke u konsultuar me Këshillin grevist të BSPK-së, të shikojmë se çfarë masash tjera do të ndërmarrim në lidhje me veprimin që ka marrë Qeveria”, tha Gashi nga Komuna e Prishtinës.
Pas vendimit të Qeverisë, punonjësit e Komunës së Malishevës, po kërkojnë që të “ndërpriten edhe rastet emergjente dhe të mbyllet komuna”.
Pagat nuk janë ekzekutuar as për mësimdhënësit, pavarësisht a janë në grevë apo jo. Mësimdhënësit e shkollës fillore ” Xhemail Mustafa” në Prishtinë janë në grevë dhe nuk i kanë marrë pagat.
Kurse, Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Ali Sokoli” , në Prishtinë, e ka filluar vitin e ri shkollor duke zhvilluar mësimin në klasa, pasi mësimdhënësit e kësaj shkolle nuk i janë bashkuar grevës.
Pavarësisht kësaj, drejtori i kësaj shkolle, Flamur Bujupi, tha për Radion Evropa e Lirë, se më 31 gusht dhe 1 shtator, nuk janë ekzekutuar pagat e punëtorëve.
Pikërisht, për shkak të mosekzekutimit të pagave, më 1 shtator, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Për shkak të grevës, në Kosovë më 1 shtator nuk ka nisur viti i ri shkollor 2022/2023, pavarësisht se Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për një gjë të tillë.
Të tjera
-
Ngjarjet e datës 18 maj
Dega e LDK-së në Gjilan mban konferencë për media. (Selia e Degës së LDK-së G...
-
Plagoset me ar*më zja*rri një person në Nashec të Prizrenit
Një person është plagosur me armë zjarri në mbrëmjen e së premtes në fshatin ...
-
Vjosa Osmani pritet me tortë nga Hillary Clitnon: Ditë edhe më speciale, me miken e popullit tonë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bullgari si e ftuar sp...
-
Osmani mbërrin në Bullgari me ftesë të Hillary Clinton, merr pjesë në Clinton Global Initiative
Me ftesë të ish-Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, H...
-
Bashkimi Evropian ndalon katër media ruse
Bashkimi Evropian tha të premten se pezulloi të drejtën e funksionimit pë...
-
Blerja e teksteve shkollore subvencionohet edhe sivjet
Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet Ministria e Arsimit ka vendos...
-
Shqiptarët duan tre fëmijë si variant i një familjeje ideale
Sondazhi i fundit i Barometrit në Euronews Albania, ka ngritur disa pyetje pë...
-
Maqedonci: Angazhimi i FSK-së në operacionin Interlflex tregues i bashkëpunimit me Britaninë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar...
-
Osmani: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë takimit të Komiteti...
-
Regjistrimi i popullsisë shtyhet deri më 24 maj në 11 komuna
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të...
-
Moti për këtë fundjavë
Këtë fundjavë në Kosovë do të mbajë mot me diell, por nuk do të mungojnë vran...
-
Haradinaj: Dështimi në KiE i Kosovës i faturohet vetëm Albin Kurtit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mospërfshirja e Kosovës për ...