Lajme

Prokuroria kërkon nga Apeli rigjykim për Milaim Zekën

Autori: Gazeta inFokus 13:25 | 04 April 2023

Prokuroria Themelore në Prishtinë, po kërkon nga Apeli që lënda ndaj Milazim Zekës të kthehet në rigjykim i cili më 23 nëntor 2022 ishte liruar nga akuza për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” ndaj të dëmtuarës B.D. ,ndërsa Zeka po kërkon vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Këto kërkesa u paraqitën të martën, pranë kolegjit të Apelit.

Sipas gjykatësit referues të kolegjit të Apelit, gjykatësit Skender Çoçaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, me propozim që ankesa e prokurorisë të aprovohet dhe aktgjykimi i ankimuar të anulohet, ashtu që lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

-Advertisement-

Tutje, gjykatësi Çoçaj tha se edhe Prokuroria e Apelit me parashtresën e saj ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe lënda të kthehet në rigjykim e rivendosje.

Ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ka përkrahur në tërësi përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Tomë Gashi i cili tha se, ka bazë të mjaftueshme ligjore që rasti të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Në anën tjetër, Zeka tha se nuk ekziston asnjë provë, asnjë element e asnjë motiv i cili e lidh atë me këtë ngjarje por sipas tij, ekzistojnë vetëm thashetheme e tendenca.

“Si ka mundësi që unë ta incizojë një person i cili i telefonon Berat Buzhalës, e merr numrin tim të telefonit dhe propozon vendtakimin vet, ajo vjen në takim, si ka mundësi që unë e kam regjistruar e kam incizu në telefon kur unë i jap telefonin. Si ka mundësi që kam bërë shpërndarjen në kohën kur unë kam qenë në arrest shtëpiak, dhe as policia as hetuesit kanë ardh në të gjitha përfundimet që unë nuk kam lidhje me këtë punë”, ka thënë tutje Zeka.

Sipas tij, e gjithë kjo është bërë me tendencë puro-politike e ndjekje ndaj tij.

“Krejt kjo i nderuar trup gjykues është bërë me tendenca puro-politike ndjekje ndaj meje, po të shikoni fillimin e hetimeve është bërë nga prokurorja Lumezi e cila është kunata e kryeprokurorit Lumezi, dhe kryeprokurori Lumezi është kumbara i zonjës atje, (i drejtohet të dëmtuarës)”, tha Zeka.

Gjithashtu i njëjti tha se nuk ka nevojë që si gazetar të regjistroj dikë fshehtas dhe sipas tij, në qoftë se do të kishte motiv për ta incizuar dikë atë do ta bënte sepse këtë ja garanton ligji.

“Sa qeta njerëz qetu a kanë lidhje me këtë lëndë aq unë, e para nuk kam unë nevojë si gazetar me regjistru dikon fshehtas, në qoftë se se unë do të kisha motiv për ta incizu dikon unë e incizoj, e publikoj dhe këtë ma garanton ligji, do të thotë pa u fshehë pa kurrfarë tendence, dhe s’kam pas asnjë tendencë absolute në këtë botë unë me regjistru, me incizu, me publiku B.D për një gjë super banale”, deklaroi Zeka.

Në fund, ai i ka propozuar Apelit që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë me të cilin ai ishte liruar nga akuza.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 18 mars 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Milaim Zeka akuzohej se më 18 maj 2017, në rrugën “B”, në restorantin “Fshati” në Prishtinë, pa autorizim ka incizuar tani të dëmtuarën B.D dhe se këtë incizim ua ka shpërndarë personave të tretë.

Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzonte Milaim Zekën se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, nga neni 205, par. 2, lidhur me par 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera