Lajme

Prioritetet e Rashiq dhe Trajkoviq në punën e tyre me komunitetin serb në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 11:55 | 04 January 2023

Rada Trajkoviq, politikanja serbe në Kosovë, njëherit këshilltarja e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, thotë ngjarjet e fundit kanë vërtetuar se shqetësimi kryesor i qytetarëve serbë në Kosovë mbetet mbrojtja dhe siguria.

Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, Trajkoviq thotë se kur këto dy elemente të sigurohen, vetëm atëherë do të kishte një të ardhme të qëndrueshme për komunitetin serb në Kosovë.

“Situata në Kosovë mbetet e tillë që shqetësimi kryesor i qytetarëve mbetet mbrojtja dhe siguria. Ngjarjet e fundit, fatkeqësisht, e kanë vërtetuar këtë. Prandaj, së pari duhet të sigurohemi që kjo kërkesë shumë themelore për jetë paqësore të sigurohet për të gjithë në Kosovë. Vetëm atëherë do të mund t’i kushtonim me besim burimet tona të plota për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë dhe të qëndrueshme për komunitetin serb në Kosovë”, tha fillimisht Trajkoviq.

-Advertisement-

Por, cilat do të ishin prioritetet qe do të trajtoheshin me komunitetin serb, duke qenë se Lista Serbe tani është larguar nga institucionet?

Politikanja serbe thotë se prioritet tani është kthimi i serbëve në veri në institucionet e Kosovës dhe mos bindja e diktatave të dëmshme të Listës Serbe.

Sipas Trajkoviq, “serbët e Kosovës e dinë mirë mashtrimin që Lista Serbe po përpiqet të bëjë”, e siç thotë ajo qytetarët nuk mashtrohen lehtë, por që kanë nevojë për inkurajim.

“Prioriteti i menjëhershëm për ne është kthimi i serbëve në veri në institucionet e Kosovës dhe dhënia e guximit dhe nxitjes për të mos iu bindur diktateve të dëmshme të Listës Serbe. Tashmë kemi regjistruar interesim nga shumë qytetarë në veri për të ndërmarrë këtë hap të guximshëm. Serbët e Kosovës e dinë mirë mashtrimin që Lista Serbe po përpiqet të bëjë; ata e dinë se Lista Srpska u është zotuar për besnikëri institucioneve dhe Kushtetutës së Kosovës edhe në kohën kur qeveria udhëhiqej nga përfaqësuesit e të ashtuquajturit “koalicioni i luftës”. Qytetarët nuk mashtrohen lehtë, por kanë nevojë për një inkurajim për të shprehur mendimin e tyre dhe për të ushtruar lirinë e tyre. Dhe tani me siguri mund të them se vendimi ynë për të hyrë në institucione tashmë ka nxitur pluralizimin e opinioneve në mesin e serbëve të Kosovës”, shtoi Trajkoviq.

Ajo thotë, se Ministri Rashiq ka shpallur një iniciativë për të siguruar kthimin funksional të serbëve të Kosovës në qytetet kryesore, përveç Mitrovicës.

Një tjetër prioritet që përmend Trajkoviq do të ishte edhe themelimi i Komunitetit të Komunave Serbe, siç rekomandohet nga DASH, dhe se sipas saj duhet të sigurohet vetëqeverisje për serbët në veri me qëllim lehtësimin e integrimit të tyre.

“Një çështje tjetër që ndikon negativisht në planifikimin e ministrit Rashiq dhe hapat e mi të mëtejshëm në ministri është kriza e vazhdueshme ekonomike, e cila po i prek të gjithë. Është e vështirë të përcaktohen prioritetet dhe buxheti i duhur për arritjen e tyre në kohën kur nuk plotësohen nevojat themelore ekonomike të qytetarëve tanë. Për momentin, ministri Rashiq ka shpallur një iniciativë të re për të siguruar kthimin funksional të serbëve të Kosovës në qytetet kryesore të Kosovës (përveç Mitrovicës), dhe ne jemi të ngazëllyer nga perspektiva e rivendosjes së komuniteteve urbane multietnike të lulëzuara në Kosovë. Një prioritet tjetër do të ishte themelimi i Komunitetit të Komunave Serbe në një formë, siç rekomandohet nga DASH, Gabriel Escobar. Ne duhet të sigurojmë një vetëqeverisje për serbët në veri në mënyrë që të lehtësojmë integrimin e tyre. Ky është një fakt që duhet pranuar, duke lënë mënjanë emocionet e të gjithëve”, përfundoi Trajkoviq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera