Lajme

Çka do të bëhet me paratë e marra nga institucionet serbe në veri?

Autori: Gazeta inFokus 18:51 | 21 May 2024

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar e Kosovës nuk ka ende vendim gjykate për të administruar me miliona eurot që policia e Kosovës tha se i konfiskoi në disa institucione financiare në veri të vendit, më 20 maj.

“Pa e marrë një vendim nga gjykata, ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ne veprojmë sipas vendimit të gjykatës kompetente”, thotë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm të kësaj agjencie, Enver Krasniqi.

Për këtë temë, REL-i kontaktoi edhe Ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të së cilës funksionon Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, por ajo nuk u përgjigj.

-Advertisement-

Tash për tash, nuk është e qartë se në kompetencë të cilës gjykatë është çështja.

Një ditë më herët, policia e Kosovës mbylli gjashtë objekte të institucioneve financiare të Serbisë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë aksionit, ajo tha se konfiskoi në total mbi 2.2 milionë euro – në mesin e tyre edhe dinarë, franga dhe dollarë amerikanë e australianë.

Aksioni u zhvillua pak ditë pasi Banka Qendrore e Kosovës bëri të ditur se periudha transitore për zbatimin e rregullores së saj, që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ka skaduar.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Policisë së Kosovës me pyetjet se ku janë paratë e marra nga institucionet financiare serbe në veri dhe a janë konfiskuar apo sekuestruar ato, por nuk mori përgjigje. Ajo sugjeroi vetëm që të merret për referencë komunikata e saj e datës 20 maj.

Konfiskimi nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë me urdhër të prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent në pajtim me ligjin në fuqi, kurse sekuestrimi marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Çka tash?

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me sekuestrim dhe jo konfiskim, që do të thotë ngrirje e përkohshme e këtyre mjeteve, derisa të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Sipas tij, nëse vërtetohet se ato mjete kanë rrjedhur nga dukuri të kundërligjshme, atëherë “mund të merret vendimi për konfiskimin e tyre”, që nënkupton “marrjen përfundimtare të parave në pronësi të Republikës së Kosovës”.

Shala thotë se faza hetimore – derisa të merret vendimi përfundimtar i gjykatës kompetente – mund të zgjasë deri në tre vjet.

Në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës thuhet, po ashtu, se pasuria e sekuestruar mbahet në mënyrë adekuate nga policia, deri në nxjerrjen e urdhrit të gjykatës për ndalim.

Kritika Kosovës

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer me aksionin e policisë së Kosovës në institucionet financiare serbe në veri dhe, sipas tij, ai i përshkallëzon tensionet në zonën e banuar me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian reagoi ngjashëm.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha zëdhënësi Peter Stano.

Në Serbi, ndërkaq, kryeministri Millosh Vuçeviq e cilësoi aksionin si “akt barbar” që, siç tha, “kërcënon drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

Ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Jonuz Salihu, pajtohet se çështja merr konotacion politik dhe dyshon se mund të zgjidhet përmes bazës ligjore të Kosovës.

“Unë besoj se sekuestrimi i këtyre parave duhet të jetë objekt i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë përfunduan pa sukses rundin e shtatë të bisedimeve për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Rregullorja e BQK-së që e ndalon dinarin, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt, ndërsa më 13 maj, BQK-ja tha se periudha transitore për zbatimin e saj, ka përfunduar.

Rregullorja i rriti fërkimet mes Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë, të cilët kërkuan pezullimin e saj derisa komuniteti serb, i cili prej vitesh pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia, të përshtatet me praktikën e re.

Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk u zmbrapsën.

Policia tha se qëllim i aksionit të saj në veri, më 20 maj, ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”.

Nga 1 shkurti, edhe Dogana e Kosovës njoftoi disa herë se ka ndaluar hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.

Së paku deri më 17 maj, sipas raportimeve të REL-it nga terreni, pagesat në mjediset me shumicë serbe në Kosovë kanë vazhduar të bëhen edhe në euro, edhe në dinarë. /REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera