Opinione

POROSITË E KUVENDIT TË SHKUPIT, NJË REFLEKTIM PËR POLITIKËN SHQIPTARE

Autori: Mehmet PRISHTINA 09:54 | 16 October 2021

Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane

Nga Mehmet PRISHTINA

Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kapërcyll të shek.19 dhe shek.20, kishte intensifikuar betejat diplomatike dhe ushtarake për ruajtjen e tërësisë territoriale pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Pasi që revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë të shtypur, përkundrazi forcoi Perandorinë Osmane, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror, lëvizja kombëtare në krye me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Dervish Himën, Çerçiz Topullin etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur gjithandej viseve etnike shqiptare të cilat patën epilog çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912. Më 19 gusht “Times “, raportonte se kryengritësit shqiptarë me 12.000 burra kishin çliruar Shkupin të enjten e kaluar… Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit. Një grup kryengritësish u drejtua për në Veles. Udhëheqësit kryesorë të kryengritjes të cilët hynë në Shkup ishin, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Zefi i Vogël, dhe Bajram Daklani. Për rrjedhojë, kryengritja u përhap edhe ne viset e tjera të Kosovës dhe Shqipërisë. Qeveria osmane thuajse i pranoi pjesërisht 14 pikat autonomiste të parashtruara nga Hasan Prishtina, të mbështetura edhe nga Austro-Hungaria (propozimi i Vjenës i 13 gushtit), ndërsa Fuqitë e Mëdha kundërshtuan dhënien e autonomisë dhe caktimin e kufijve të Shqipërisë, sepse u druheshin shteteve ballkanike dhe interesave të tyre mbi territoret shqiptare, ndaj edhe qeveria osmane e quajti çështjen shqiptare problem të brendshëm të saj.

-Advertisement-

Platforma ideologjike e Kuvendit të Shkupit ishte përgatitur nga kolosi Hasan Prishtina, mirëpo pjesëmarrja e tij në këtë Kuvend ishte pamundësuar për shkak se ai bashkë me Said efendi Hoxhën burgosen në hyrje të Shkupit dhe dërgohet në burgun e Kalamegdanit. Kjo ishte edhe arsyeja se pse Hasan Prishtina nuk ishte i pranishëm edhe në Kuvendin e Vlorës gjatë shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor, 1912.

Rrethanat në të cilat u organizua Kuvendi i Shkupit, janë të ndërlidhura me ngjarje të bujshme të cilat sollën ndryshime radikale në skenën politike të Ballkanit. Zhvillimet në terrenet luftarake, ku Turqisë gjithnjë e më tepër po zbehej fuqia ushatrake e politike, sidomos pas fillimi të luftës italo-turke (në fund të shtatorit 1911), diktuan që harta e Ballkanit të pësojë ndryshime në favor të shteteve shoveniste fqinje dhe në dëm të territoreve shjqiptare. Për t’i parandaluar këto pasoja më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, ku u vendos që në katër vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, fillimisht në Kosovë…, ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane për këtë rrugë të nisur.

Kryengritja e përgjithshme shqiptare dhe lufta italo-turke (në Jemen…), i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk në Ballkan. Nga këto zhvillime, ndonëse gjatë verës së vitit 1912 perandoria turke, po i numëronte javët e fundit në Ballkan, në zgjidhjen e çështjes shqiptare do të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria, duke e kuptuar funksionin historik të Shqipërisë si digë para zgjerimit sllav, filloi t’i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për 14 kërkesat e parashtruara të shqiptarëve, që ishin bërthama e platfmormës ideologjike të Hasan Prishtinës. Konti austro-hungarez Berthold, (ministri i jashtëm) u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmarrin masa për decentralizimin e Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare, Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.

Këtë propozim e kundërshtoi fuqishëm Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllave-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë. Për këtë çështje, reagoi edhe Porta e Lartë, e cila deklaroi se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë gjë ,përfaqësuesit turq, ndryshuan rrënjësisht konkluzat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup.

Fatkeqësisht këto manovrime dhe marifetllëqe të autoriteteve turke i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Planet serbe për një “luftë kundër Turqisë”, kishin filluar me bisedat e fshehta me Bullgarinë. Diplomacia ruse në krye me carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike. Kjo ishte edhe arsyeja që qarqet sunduese të Sofjes dhe Beogradit ua ndaluan krerëve bullgaro-maqedonas të Maqedonisë që të bashkpunojnë dhe të përkrahin kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912. Për rrjedhojë pas disa takimeve të shumta midis kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleancë të ashtuquajtur “Traktati miqësisë” me Bullgarinë, ku si synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptar në Ballkan dhe coptimin e tokave shqiptare. Një aneks sekret i këtij traktati parashikonte veprime eventuale të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane, ku parashihej që Serbisë t´i takonte mbarë territori në veri të maleve të Sharrit. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912 me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.

Pjesë e kësaj Aleance, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën, u bë edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të “aleancës…” përfundimisht ,në emër të luftës kundër “robërisë osmane” në tetor 1912 filuan Luftën e Parë Pallkanike për pushtimin dhe coptimin e tërsisë së tokave shqiptare.

Për ta alarmuar faktorin e brendshëm dhe të gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha, për rrezikun që po i kanoset popullit shqiptar dhe trojeve etnike shqiptare nga qëllimet ekspansioniste të Aleancës Ballkanike, më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Në këtë kuvend, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj. Pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan…” u morën këto vendime:

1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha;

2. Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të përbashkët kundër forcave osmane në Shkodër).

3. Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”

Në zbatim të këtyre vendimeve, Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”…Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Pra, këto dokumente dëshmojnë qartë se në Kuvendin e Shkupit u vunë themelet e Pavarësisë së Shqipërisë, gjegjësisht u kalua nga kërkesa e autonimisë në kërkesën për pavarësi.

Kuvendi i Shkupit caktoi edhe një delegacion (Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani), i cili u ngarkua të përgatisë terenin për mbajtjen e një Kuvendi gjithëkombëtar që do të mbahej në Vlorë më 28 nëntor, 1918.
Kuvendi i Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë, që po rrezikohej nga Aleanca Ballkanike e shteteve shoveniste fqinje. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se Kuvendi i Shkupit prodhoi vendime që të drejta dhe realiste, që u përgatitën në formë të një dokumenti që i u dorëzuan përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.

Ndërkohë ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet. Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.

Turqia u gjend e papërgatitur për luftë dhe vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e tyre.

Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.

Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.

Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.

Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.

Shikuar nga kjo retrospektivë historike, rezulton që Kuvendi i Shkupit ishte kambana e fundit që po alarmonte opinionin ndërkombëtar mbi rrezikun që po iu kanosej trojeve shqiptare nga Aleanca e shteteve ballkanike. Por, ky Kuvend pati edhe një mesazh tjetër se Lëvizja jonë kombëtare, që pati ideolog Hasan Prishtinën, e kishte pikasur Shkupin si epiqendrën e shtetit të ri shqiptar që do të formohej pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Mirëpo ky synim mbeti vetëm një ëndërr e parealizuar e krerëve shqiptarë, ndërkohë që Shkupi do të vazhdojë të frymojë shqip edhe në saje të ideve dhe perosive të Hasan Prishtinës, të cilat mund të përmblidhen në një nocion kuptimplot: HASANIZMI.

Prishtinë, 14 tetor, 2021

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera