Lajme

Përfaqësuesi britanik: KiE është i ndarë nga BE-ja, anëtarësimi i Kosovës të mos mbahet peng nga dialogu

Autori: Gazeta inFokus 12:47 | 26 January 2023

Anëtari i delegacionit të Britanisë së Madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, John Howell, gjatë seancës së djeshme ka bërë thirrje që Kosova të bëhet anëtare e KiE.

Ai tha se anëtarësimi i saj në KiE nuk duhet të pengohet nga dialogu që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Kosova nuk duhet të mbahet peng për progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Ne duhet të tregojmë se Këshilli i Europës është i ndarë nga Bashkimi Europian dhe ka vlerat dhe parimet e tij në bazë të të cilave merren vendimet”, tha Howell në fjalën e tij.

-Advertisement-

Në po këtë seancë të Asamblesë Parlamentare u diskutua edhe çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, u bëri thirrje pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën që ta bëjnë këtë. Thirrjen ia drejtoi po ashtu edhe Serbisë, raporton Gazeta Express.

“Kam një thirrje edhe për shtetet anëtare të Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. 15 vjet pas pavarësisë së saj dhe një vit pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, është koha për të vënë paqen dhe stabilitetin në radhë të parë, paqen dhe stabilitetin tonë, paqen dhe stabilitetin e Europës”, tha ai.

Pro Kosovës foli edhe anëtari i delegacionit ukrainas, Oleksiy Goncharenko, i cili tha se është në interesin e të gjithëve që ta pranojnë realitetin e Kosovës.

“Dua t’u bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi, atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë. Ukraina, vendi im, është një prej tyre. E kam dërguar projektligjin në Parlamentin e Ukrainës për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe jam i sigurt se kjo do të ndodhë shumë shpejt sepse ky është realiteti. Ne duhet t’i emërojmë gjërat ashtu siç janë”, tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera