Lajme

“Njeriu i varfër kollaj sëmuret, e ai i sëmuri lehtë varfërohet”, Kurti për ndikimin e pandemisë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 21:37 | 31 May 2021

Në edicionin e katërt të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2021, që këtë vit temë do të jetë Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe pesë komponentët kryesorë të kësaj agjende, kanë folur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Osmani tha se është pjesëmarrëse në këtë aktivitet për të konfirmuar se do ta kenë mbështetjen e saj për të avancuar agjendën e gjelbër.

“E para për t’iu konfirmuar se do të keni përherë mbështetjen time për të avancuar agjendën e gjelbër në Kosovë. Të flasësh për agjendën e gjelbër është e ardhmja dhe në këtë aspekt duhet të drejtohet stili jonë i jetesës. Ne besojmë në të ardhmen e gjelbër dhe do të punojmë në jetësimin e saj. Ky është veprimi më i mençur. E ardhmja është e gjelbër“, tha ajo.

-Advertisement-

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ndikimi i pandemisë në ekonominë e Kosovës e ka thelluar varfërinë dhe pabarazinë.

“Ndikimi i pandemisë në ekonominë tonë e ka thelluar varfërinë dhe pabarazinë. Ne po punojmë. Mbështetja e të rinjve dhe grave, ndërlidhja e tregut me aftësimin profesional, banimi social janë disa nga politikat të cilat do të adresojnë nivelin e lartë të papunësisë e te varfërisë. Të gjithë e dimë se si njeriu i varfër kollaj sëmuret, e ai i sëmuri lehtë varfërohet. Ndër prioritetet janë sigurimet shëndetësore për të gjithë. Resurset natyrore, lumenjtë do t’i trajtojmë me kujdes”, tha Kurti.

Kurti tha se menaxhimi i mbeturinave mbetet një ndër sektorët më të pazhvilluar në Kosovë.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, nuk kanë pranuar të flasin për media rreth takimit që sot kanë pasur me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera