Fun & Video

Ndryshimi i orës, Lituania i kërkon BE-së ta shfuqizojë

Autori: Gazeta inFokus 14:32 | 22 December 2017

Lituania ka njoftuar se do t’i kërkojë Bashkimit Europian të shfuqizojë ligjin për ndryshimin e orës, duke pretenduar se shumë njerëz bezdisen nga fakti që duhet të ndryshojnë akrepat dy herë në vit.

Parlamenti i vendit baltik votoi me 76 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, një propozim të qeverisë për të hapur negociatat për këtë çështje me Komisionin Europian.

Ministrat e Jashtëm dhe të Komunikimit të Lituanisë, së shpejti do të nisin konsultimet me ekzekutivin e BE-së dhe vendet anëtare.

-Advertisement-

Një sondazh i opinionit publik, i publikuar këtë vit, tregonte se 79 për qind e njerëzve në vendin me 2.8 milionë banorë ishin kundër ritualit të përvitshëm të kthimit të akrepave një orë para në pranverë dhe një orë pas në vjeshtë.

Mbështetësit e ndryshimit të orës, të adoptuar që në fillim të shekullit të XX, thonë se ditët më të gjata në verë ndihmojnë në kursimin e energjisë dhe rritjen e produktivitetit.

Komisioni Europian njoftoi ndërkohë se po ekzaminon të gjitha të dhënat në dispozicion. Një zyrtar i BE-së tha se ndryshimi i orës ndihmon në evitimin e problemeve për sektorët e transportit, logjistikës dhe energjisë, e se studimet kanë treguar se ajo çon në kursim energjie.

Por, për kritikët, njerëzit nuk mund të përshtaten lehtësisht me ndryshimin dhe ka pasoja negative afatshkurtra mbi shëndetin e tyre, ndërkohë që nuk ka prova me të vërtetë bindëse për përfitimet ekonomike.

Edhe politikanë në shtetet e BE-së, si Finlanda, Polonia dhe Suedia e kanë kritikuar ritualin, që përdoret në pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut dhe Europë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera